E Diel, 1 Nëntor 2026

Trazirat në Britani, Cameron u shpall “luftë” maskave dhe rrjeteve sociale

Kryeministri britanik, David Cameron njoftoi masat e reja për rivendosjen e rregullit nëpër rrugët e Britanisë dhe për parandalimin e trazirave, si ato të cilat mbërthyen vendin ditët e shkuara. Duke folur përpara parlamentit britanik, të mbledhur në një sesion të jashtëzakonshëm, zoti Cameron u tha ligjvënësve se autoritetet po marin në shqyrtim disa masa ndër të cilat të mos i lejojnë protestuesit të veshin maska si dhe t’u ndërpresin atyre përdorimin e rrjeteve sociale në internet, përmes të cilave bashkëredojnë aktivitetin. Kryeministri Kameron tha se qeveria britanike është e angazhuar që të mos lejojë ekzistencën e kulturës së frikës nëpër rrugët e Londrës dhe se keqëbërësit do të ndëshkohen. Mëngjesin e sotëm, policia britanike nisi kontrollet nëpër banesa. Deri tani janë arrestuar më shumë se 1 mijë e 100 persona që nga fillimi i trazirave. Nata e mbrëmshme ishte e para natë e qetë në Londër. Policia ka njoftuar për incidente të vogla, ndërkohë që rrugët e Londrës, Mançesterit, Liverpulit e Birmingait janë mbushur me forca të shumta policore. Kryeministri britanik tha se trazirat që kanë mbërthyer vendin thuajse krejt javën e kaluar, nuk kanë të bëjnë me politikën apo protestat, por janë rezultat i një kulture e cila “glorifikon dhunën”. Ai tha se qeveria britanike “nuk mund të lejojë që në rrugët e saj të ekzistojë kultura e frikës” duke paralajmëruar plaçkitësit “se do të identifikohen e do të përndiqen për veprimet e tyre”. Për disa netë me rradhë, në Londër dhe qytete të tjera britanike, të rinj kanë djegur makina dhe ndërtesa, kanë vjedhur dyqanet dhe janë përleshur me policinë. Trazirat shpërthyen mbas vrasjes së një të riu nga policia, ngjarje ende e pa zbardhur krejtësisht, në një nga lagjet e varfra në veri të Londrës. Por ky ishte vetëm preteksti. Shumë londinezë fillimisht e menduan se dhuna ishte një reagim ndaj papunësisë së vazhdueshme, mëkëmbjes së ngadaltë ekonomike dhe shkurtimeve në shpenzimet publike nga qeveria e re e vendit. Por në këto trazira nuk kishte parrulla, sllogane, thirrje apo kërkesa. Shumë shpejt u bë e qartë se këto trazira ishin diçka tjetër. Profesori i gjeografisë, Kris Hamnet në kolegjin “King” jeton në veri të Londrës, jo shump larg nga vendi ku ndodhën trazirat. “Ajo që pamë ishte kryesisht trazira për të sjellë pështjellim dhe për të përfituar. Këta njerëz nuk po shprehin zemërimin e tyre ndaj një shteti shtypës. Këta njerëz mendojnë se është tërheqëse të bësh rrëmujë”-tha ai. Trazirat u shfaqën kryesisht në lagjet me popullatë të madhe afrikane dhe ata nga ishujt e Karaibeve, lagje që historikisht kanë patur probleme me policinë. Profesori Hamnet thotë se banorët e këtyre lagjeve në përgjithësi janë më pak të arsimuar, kanë papunësi dhe përqindje kriminaliteti më të lartë se britanikët e tjerë. “Ka një dimension racist në tërë këto trazira, por ato nuk janë si pasojë e diskriminimit racial. Por padyshim në këto trazira ka elementë të dallimit klasor dhe ekonomik”-shtoi ai. Jo larg prej shtëpisë së profesorit, policia qëndron në gadishmëri ndërsa skuadrat e pastrimit heqin dëmet e trazirave të një nate më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›