Përse nuk votohet për Kollozin!
Ish Rektor i Universitetit të Vlorës
Shume njerëz kohët e fundit më pyesin se për kë do të votoj për Kryetar Bashkie në Vlorë. Janë tepër kuriozë të dine se cila do të fitojë tek unë; ndjenjat e urrejtjes personale për deputetin e kaposhave apo historia 70-80 vjeçare e familjes sime kundra komunizmit dhe pro së djathtës.
Shumë mendojnë se për këtë jam në dilemë. Në të vërtetë kjo dilemë nuk ekziston fare. Unë do të votoj për atë që është më mirë për Vlorën, qoftë i majtë apo i djathtë. Për më teper që Kollozi nuk është aq i djathtë sa na hiqet këto kohët e fundit.
Së pari zoti Kollozi i vajti disa herë Ministrit të Arsimit për pushimin tim si Rektor. Nuk la gjë pa bërë duke përdorur gjykatën, prokurorinë, dhe gjithë zagarët që i vijnë vërdallë për të më sabotuar në Universitet. Kjo tregon një njeri i cili nuk i njeh as limitet e veta ligjore, as nuk mund të respektojë institucionet e pavarura në shoqëri.
Përse e bënte Kollozi këtë? Ndoshta sepse i dukej se atë punën e Rektorit e dinte më mirë se unë. Por mendoj se arsyeja e vërtetë ishte që Universitetin ta përdorte si han të tijin për të punësuar militantët dhe bashkëpunëtorët e tij. Shihni se ke ka verdalle Kollozi! Ish-brigadierët e kooperativave, ish-anëtarët e partisë së punës, shumica me shkollë nate. Me këta do të rregullohet Vlora?!
Së dyti, me prejardhjen e tij politike askush nga e djathta e vërtetë nuk ka besim tek Kollozi. Gjyshi i tij Veledin Kollozi në 1945 ka djegur shtëpitë e Shaskajve në Kocul, midis shume bëmave të tjera. Zyraja e Kollozajve ka qenë me famë në komisionin e internimeve ne Komitetin e Partisë së Punës në Vlorë dhe ka internuar me qindra familje nëpër fshatra. Familja Kollozi nuk ka qenë e majte si shumë të tjerë, por ka shumë mëkate gjatë komunizmit. Atëherë përse duhet preferuar Kollozi karshi Shpëtim Gjikës? Një kafe me zotin Gjika unë edhe para 1990-es edhe sot do ta pija me shumë me tepër kënaqësi se sa me Kollozin. As Shpëtimi dhe as babai i tij nuk ma kanë djegur shtëpinë, nuk me kane internuar familjen, nuk kanë bredhur Tiranës për të më luftuar me çdo lloj mënyre dhe intrige të mundshme.
Personalisht unë respektoj faktin se zoti Gjika ka qenë dhe vazhdon të mbetet i majtë dhe nuk ka ndërruar parti sa herë bëhej ndonjë tender për rrugën trans-ballkanike në Vlorë. Kollozi ka mbledhur rreth vetes disa kumarxhinj, disa militantë nga fshatrat e Vlorës dhe do që të uzurpojë edhe Bashkinë, sepse në Vlorë nuk i ka mbetur gjë tjetër pa kapur. Cila është garancia ime si votues se ky njeri pa asnjë nivel intelektual do të ketë sukses të aktivizojë inteligjencën vlonjate, te ripërtërijë energjitë e Vlorës që qyteti të ketë një të ardhme më të mirë ekonomike? Në qofte se ne kemi parasysh se me kë rri dhe me kë shoqërohet Kollozi ne e kemi fare të qartë se si do te jetë Bashkia nën drejtimin e Kollozit.
Personalisht për mua zgjedhja është shumë e thjeshtë. Kundra Kollozit me çdo mënyrë. Ata që janë të djathtë nuk munden kurrë të votojnë për Kollozin. Kollozi dhe tipa si ai janë armiqtë më të medhenj të së djathtës shqiptare. Ata janë pa dinjitet dhe oportunistë. Sa më shpejt që këta individë të eleminohen nga skena e politikës shqiptare aq më pranë është ndryshimi pozitiv që pritet prej kohësh.
