SHENIM/ Kaq e vështirë është që të zbulosh të vërtetën për hipotekat?
Këto ditë kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës po çirret në kasetat e tij duke thënë se do zgjidhë problemin e hipotekave në Tiranë. Sot Bashkia e Tiranës ka dalë e ka deklaruar se hipoteka nuk është në varësi të tyre. Më pas ka dalë zëdhënësja e fushatës së Bashës duke thënë se Basha është ndryshe dhe se ai do ta zgjidhë çështjen e hipotekimit. Shumëkush prej nesh është përballur me çështjen e hipotekimit, e di çfarë korrupsioni e çfarë makthi është të merresh me këtë punë. Por mbi të gjitha nuk ka njeri që nuk e di që hipotekat nuk janë në varësi të Bashkisë. Ato janë fole ryshfeti që drejtohen nga qeveria e Bashës. Ndaj mediat nuk kanë pse japin të dy deklaratat për të krijuar idenë në popull që këta po zihen, por të sqarojnë shumë lehtësisht se kush i ka pasur hipotekat në dorë dhe pse e ka çuar në këtë degradim total këtë institucion të mykur. Nuk është nevoja të nxjerrësh dy deklarata sikur të dy palët janë njëlloj. Është një traditë e shëmtuar në median shqiptare. Ne kemi për detyrë të zbardhim të vërtetën për njerëzit e të tregojmë me gisht nga ai person që abuzon, mashtron e gënjen. Për këtë arsye quhemi pushteti i katërt. Ndryshe do transmetonim vetëm kasetat e Bashës dhe ky do ishte zanati ynë.
PS. Basha sapo ka njoftuar se po vijon me praktikën e takimeve të tipit Obama. Po sjell Perëndimin në Tiranë ky njeri, vetëm se Obama nuk bënte takime në ilegalitet, pa median.