E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse po na lënë të digjemi në shtëpinë tonë?

Nga Mero Baze

Shqipëria po digjet dhe është e tepërt të përsërisim pafuqinë dhe papërgjegjshmërinë e Berishës. Ministri i Brendshëm ka lënë Shqipërinë në zjarr dhe me një tufë andikapatësh të tjerë, është nisur drejt Prishtinës. Ministri i Mjedisit, nuk dihet në cilin plazh të botës po pushon, ndërsa shefi i emergjencave civile, që shfaqet herë pas here në televizion, të ngjall aq pesimizëm, sa të duket sikur nuk fik dot as pemën e vitit të ri dhe jo më zjarret e vërteta.

Por, në gjithë këtë pafuqi shqiptare ndaj zjarreve, të bie në sy një mungesë e thellë solidariteti dhe mbështetje nga jashtë për qeverinë shqiptare. Mbi të gjitha të bie në sy fakti që NATO, fuqia më e madhe ushtarake e botës, ku ne jemi anëtarë, nuk ka dërguar asnjë helikopter të vetëm apo ndihmë për të fikur zjarret që po shkrumbojnë Shqipërinë.

Përveç një helikopteri turk, që më shumë vadit ndonjë arrore në Priskë, se sa fik zjarre, asnjë shenjë e ndihmës ndërkombëtare për Shqipërinë nuk duket.

Çfarë ka ndodhur? A jemi ende anëtarë NATO-s, apo Berisha ka shkuar aq tutje në prishjen e raporteve reale me zyrtarët e Aleancës, sa ata thjeshtë na konsiderojne si një emër në listën e anëtarëve, por nuk na llogarisin realisht si aleatë?

Skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare me zyrtarët e NATO-s, problemet me sekretet ushtarake dhe mungesën e besimit mes përfaqësuesve shqiptarë dhe zyrtareve të sigurisë së NATO-së, problemet e mëtejshme me keqpërdorimin e aparaturave të përgjimit për çështje politike kundër opozitës apo diplomatëve perëndimorë në Tiranë, mungesa e konsultimeve në emërimin e shefit të ri të SHISH, dhe detaje të tjera rënduese në marëdhniet e Berishës me Aleancën, e kanë prishur klimën e besimit mes tyre. Por, më e rënda është se paskan prishur dhe klimën e bashkëpunimit formal.

Vitin e kaluar, kur zjarret pushtuan disa rajone të Malit të Zi, NATO dërgoi helikopterë ushtarakë në ndihmë të tyre. Mal i Zi nuk është një vend anëtar i NATO-s, por një vend që ka aplikuar. Shqipëria është vend anëtar dhe në këtë situatë të rëndë që po kalon, është e pakuptimtë të mos shfaqet një helikopter i NATO-s, së paku për të na kujtuar se jemi vend anëtar dhe jemi në nevojë.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, e cila është ura që na lidh me NATO-n, po shpenzon energji për të përgjuar opozitën dhe diplomatët dhe për të shitur skrap tek miqtë e ministrit dhe jo për të sjellë në Shqipëri forcat e emergjencës civile të NATO-s, që mund të na ndihmojnë në raste fatkeqësish të tilla.

Kjo është situata ku shihet realisht izolimi ndërkombëtar që i kanë bërë Berishës dhe raportet e tij reale me NATO-n dhe partnerët perëndimorë. Duke ndjekur një politikë klienteliste dhe fitimprurëse për Familjen e vet në pushtet, duke u vënë shkelmin standarteve të demokracisë dhe shtetit ligjor në vend, ai realisht ka krijuar precedentin e pasigurisë kombëtare në vend, një kusht që NATO e ka parim të shenjtë të partneritetit me vendet anëtare.

Nga ana tjetër, Berisha po shfaq një mungesë të thellë etike dhe papërgjegjësie në raportin mes shpenzimeve publike për luks dhe nevojës për të shpëtuar Shqipërinë nga zjarret.

Vetëm në një javë ai ka i ka dhënë dy grante presidentit Nishani, gjysmë milionë euro për ti rregulluar vilën ku do banojë dhe 130 milionë lek të tjera për shpenzime operative. Vet ka harxhuat gjysmë milionë euro për vilën luksoze në Vlorë, rreth 700 mijë euro për Benz-in e blinduar, miliona për zyrat e ministrave dhe si thel mbi bisht, miliona të harxhuara nga Guvernatori i Bankës, i cili ndryshe nga të tjerët, ka nevojë dhe për krevat dopio në vilën e tij brenda Bankës.

Kjo mungesë respekti për paratë e qytetareve ka tharë çdo fond rezervë të qeverisë dhe ka bërë që sot Shqipëria të digjet, pa pasur mundësi të çojmë dhe zjarrfikëset që kemi në vendngjarje, se nuk ka naftë. Kështu ka ndodhur në Sarandë me Parkun Arkeologjik të Finiqit që po digjet, kështu ka ndodhur në Dajt, në Lurë dhe kudo që zjarret po shkrumbojnë Shqipërinë.

Një panoramë e tillë barbare, ku Shqipëria digjet dhe kryeministri në vend të hektarëve të djegur me pyje, shikon shtëpi të sajuara për Fatos Lubonjën, me shpresë se do na hutojë, natyrisht nuk motivon as NATO-n dhe as ndonjë vend normal të na vijë në ndihmë. Të huajt të ndihmojnë kur shikojnë se të zotët e shtëpisë nuk kanë më asnjë mundësi dhe asnjë shans të mbijetojnë, por jo kur shikojnë një qeveri që në kulmin e zjarreve në vend, bënë VKM për shpenzime luksi dhe një kryeministër që shqetësim më të madh se zjarret ka kritikat e një gazetari.

Ky mentalitet realisht na ka ndarë nga Perëndimi, na ka bërë të dukemi një vend i largët lindor, me një feudal batakçi në krye të vendit, që natë e ditë mendon si të mbrojë karriken e tij dhe jo Shqipërinë që shkrumbohet.

Është kjo një kryearsye përse nuk ndjehemi dot sot as anëtarë të NATO-s, as vend aspirant për në Bashkimin Evropian, dhe mbi të gjitha, as një shoqëri evropiane, që në raste të tilla e kapin për bythe një kryeministër si ky palaço dhe e djegin në zjarret, që bën sehir nga zyra me xhama te blinduar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›