E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, në panikun e humbjes për 2013, “armatoset” me idetë e Mao Ce Dunit

30-08-2012 / Nga Sejdi Peka

Një fjalë e urtë e popullit thotë se “ai që nuk të mbush syrin, nuk të mbush as mendjen”. Në një rast tjetër, liliputi i PS Braçe nuk do të kishte frikësuar njeri me deklaratat e çmendura kundër sistemit demokratik në Shqipëri që me shumë sakrifica të panumërta populli shqiptar i ka zgjedhur. Por kur ky i paplotë nga fiziku dhe mendja është i zgjedhur si NKryetar i Grupit Parlamentar të opozitës, cilido shqiptar që mendon për të ardhmen e Shqipërisë ndjehet i trishtuar. Një autor i huaj shkruan se “paraqitja e jashtme pasqyron botën e brendshme shpirtërore të njeriut”. Nuk e kemi parë Braçen të flasë rëndom në foltoren e Parlamentit, por nga vendi ku është ulur, sepse s’e ka për kollaj mikrofonin. Duke qenë fare i lexueshëm në aventurën e tij, shqiptarët fare mirë e kuptojnë se vetëm gjuha është e Braçes, atë e komandon si një gramafon të prishur ustai i tij delirant Edi Rama. Braçe në kulmin e çmendurisë dhe paranojës së tijë si politikan i dështuar deklaron se, “Berisha do t’i manipulojë zgjedhjet e vitit 2013 si ato të 96”.Dhe me një pesimizëm të tejskajshëm për një humbje të thellë të PS në këto zgjedhje, zgjidhjen e gjen në revolucionin bolshevik, në marrjen e pushtetit sipas parimit leninist të “grykës së pushkës”. Braçe shkon aq larg në teoritë e tij marksiste të marrjes së pushtetit kur deklaron se “Berisha nuk duhet mundur, ai duhet rrëzuar, ai është një fije kashte, mos kini frikë nga ai. Ne duhet të ndjekim politikën e bllokimit, të kundërshtimit”, e plot marrëzira të tjera të turpshme, jo vetëm për një politikan si përfaqësues i opozitës në Shqipëri, është e turpshme dhe e marrë edhe sikur këto marrëzira të dalin nga goja e një njeriu të thjeshtë, e turpshme për një shqiptar të zakonshëm. Kjo tregon për nivelin e ultë intelektual që sot drejton Partinë Socialiste,nga ana tjetër paniku i humbjes së thellë po detyron kupolën e PS të gjejë rrugë të tjera, jashtë sistemit demokratik për marrjen e pushtetit. Është mjaft për t’u çuditur se edhe gomari kur mbetet në baltë në një rrugë në kohë dimri,nuk ka njeri që ta detyrojë të shkojë asaj rruge më as në kohë verë. Por këta pinjojtë e diktaturës komuniste,më të egër se baballarët e tyre,me sy të errësuar nuk shohin asgjë tjetër vetëm karriken e pushtetit me çdo kusht, me çdo çmim. Ani pse populli nuk i do, nuk i voton. E provuan dhe stërprovuan praktikën e marrjes me dhunë të pushtetit, në përpjekje për rrëzimin e qeverisë legjitime të dalë nga vota e lirë,me qindra protesta dhe demonstrata, bllokime rrugësh. Qindra njerëz të shantazhuar dhe të mashtruar nga Edi Rama se do të rrëzojmë sot e do të rrëzojmë nesër Saliun, u gdhinë brigjeve të Lanës me ditë të tëra me një bukë e dy qofte. Dhe ideuan e realizuan 21 Janarin kobzi për të hyrë në selinë e Kryeministrisë me qëllim për të linçuar Kryeministrin e Shqipërisë, ashtu si në kohën e inkuizicionit mesjetar. “Unë nuk mbaj përgjegjësi për atë se çfarë do të ndodhë nesër para Kryeministrisë” do të deklaronte Rama vetëm një natë para “demonstratës” - si i pëlqeu atij ta quante në termin leninist. Dhe gjithë opinioni shqiptar e ndërkombëtar e kanë parë Edi Ramën më 21 Janar duke inkurajuar dhe organizuar turmat, si kërcente si gjeli majë plehut tek Ura e Lanës, duke pritur me fjalimin triumfues në xhep që do të mbante para Kryeministrisë, mundësisht nga dritarja e zyrës së Kryeministrit.
Dhe përsëri Partia Socialiste, e lodhur dhe e sëmurë nga megalomania e marrjes me çdo kusht të pushtetit, përsëri ndodhet në një rrugë të pa krye dhe kundër rrymës, nga politika e çartur e Edi Ramës dhe e monstrave të tjera që kërcënojnë demokracinë.                            Duke aluduar paturpësisht me rrëzimin e qeverisë demokratike në vitin e mbrapsht ’97, me revolucionin tipik bolshevik, Braçe fërkon duart se një fenomen i tillë duhet të ndodhë përsëri. Në këtë kontekst të kujtohet padashur një kohë jo fort e largët kur partia mëmë e z. Braçe, paraardhëse e drejtpërdrejtë (Partia e Punës) ishte “e armatosur” me idetë e Mao Ce Dunit. “Imperializmi amerikan është një tigër prej letre, prandaj mos kini frikë” deklaronte diktatori komunist kinez, ashtu si përpiqet ta imitojë Braçe sot. Mirë, partia e tyre që ishte e armatosur me idetë e citatet e veprave të Maos, por shqiptarët pse duhej të armatoseshin me idetë e Mao Ce Dunit. Çfarë ironie por edhe çfarë fatkeqësie për popullin shqiptarë të vuajtur nga diktatura komuniste. Macja gjuan minj, edhe partitë neokomuniste si Partia Socialiste e Shqipërisë, komunistë dhe ide komuniste do të pjellin. Por kjo është fatkeqësi e Shqipërisë, e shqiptarëve që kërkojnë t’i bashkohen Europës Demokratike. E vërteta është se edhe Majko, ashtu si Braçe, në një shkrim të tijin parashikon një humbje të thellë të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Duke bërë fjalë për “ligjin e imunitetit” që nuk u votua nga PS më 6 gusht, ai e quan “një histori me humor” strategjinë e kësaj opozite, që në fakt hapur bllokoi marrjen e statusit të kandidatit. A nuk bën thirrje në këtë linjë Erjon Braçe për “politika bllokuese, shtrënguese, që ta rrëzojnë Saliun”. Këtu ndjenja e urrejtjes kombëtare kapërcen kufijtë e marrëzisë dhe të tradhtarëve me të paskrupull në të gjithë historinë e Shqipërisë. Në një analizë më të hollësishme, të themi vaj medet se cilin paska patur Shqipëria qoftë edhe një ditë Kryeministër, e kush janë ata që janë në krye të një partie opozitare që pretendojnë të qeverisin vendin. Këso thirrje të tilla antikombëtare dhe antikushtetuese (Braçe&Majko), përbëjnë një akt të pashembull kundër demokracisë. Në këtë pikëpamje përbëjnë një veprim të dënueshëm që ka për qëllim destabilizimin e shtetit dhe të demokracisë. Tanimë edhe bebja në barkun e nënës e ka kuptuar se Partia Socialiste me politikën e saj bllokuese në rrugën e integrimit europian po i shkakton Shqipërisë një dëm të pallogaritshëm. Shumë kohë kemi humbur për afro një gjysmë shekulli diktaturë komuniste, duke qenë në Europë dhe shumë larg Europës. Tani edhe Europa edhe Amerika e kanë kuptuar brengën dhe të keqen që po u vjen shqiptarëve nga mbeturinat e regjimit të vjetër komunist, i riciklimit në politikën shqiptare të pinjojve të brezit të dytë të diktaturës. Me këto monstra të molepsura me mentalitet dhe ideologji komuniste, demokracia në Shqipëri mbetet e kërcënuar. Por atdheu s’ka kohë më për të humbur!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›