Përse (s)duhet të refuzonte Kreshnik Spahiu!
Aleanca Kuqezi do të dalë e vetme në zgjedhje, duke lënë të paqartë kauzën e saj anti- Berishë dhe duke forcuar papritur një kauzë, e cila nuk ka qenë deri më sot betejë e saj. Shpjegimet publike të Kreshnik Spahiut për një refuzim të koalicionit të majtë për shkak të pranisë së Vangjel Dules, janë të pasinqerta dhe të dëmshme nëse qoftë dhe një minutë do ti marrim si të vërteta.
Arsyeja përse Aleanca Kuqezi duhet të dalë e vetme në zgjedhje ishte e plotë dhe e qëndrueshme nëse ajo do të vendoste të dilte e vetme si një aleancë e vlerave opozitare dhe që do të tentonte një pol të ri në politikën shqiptare. Kjo do të ishte një arsye e fortë, që socialistët e zhgënjyer nga aleanca Rama- Meta, apo të tjerë të dëshpëruar nga gjuha e moderuar e tyre kundër regjimit, ti bashkoheshin Aleancës Kuqezi. Unë hyj tek ata opozitarë kritikë të qeverisë, që realisht janë zhgënjyer nga performanca e re e opozitës dhe shpresoja që dikush të gjente diçka të re për të dhënë shpresë. Por kjo nuk ndodhi.
Arsyeja publike që shpjegoi Kreshnik Spahiu, nuk ka të bëjë as me frymën e tij opozitare dhe as me patriotizmin mbi të cilin tha se do të mbështesë betejën e tij politike kur u formua. Ai vetë ka kritikuar Vangjel Dulen për kushtëzimet që i bënte koalicionit të majtë lidhur me Aleancën Kuqezi dhe pikërisht kur Dule e pranoi ta gëlltisë këtë sfidë, e ringjalli pa asnjë besueshmëri Kreshnik Spahiu.
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është një parti e qytetarëve shqiptare, shumica e të cilëve nuk kanë origjinë etnike shqiptare. Të kushtëzosh hyrjen në një koalicion apo në një betejë politike me qëndrimin ndaj kësaj partie, do të thotë jo vetëm të mos bazosh parimet e partisë tënde mbi patriotizmin që ke trumbetuar, por të hedhësh bazat e një partie raciste dhe të nxisësh urrejtjen etnike, çka Spahiu është betuar se nuk do ta bënte kurrë. Ka disa intervista në gazetën Tema që mund tia ribotojmë për këtë. Unë besoj se dhe kur e tha para gazetarëve, nuk e kishte të qartë se çfarë po thoshte, pasi në kokën e tij vlojnë arsye të tjera nga ato që thotë. Një njeriu kur duhet të gënjejë për diçka publikisht, duhet të mbajë mend shumë gjëra që të duket i besueshëm. Spahiu duket se nuk e ka këtë aftësi.
Duke dashur të besoj, ashtu dhe siç jam i bindur se Spahiu nuk është çmendur akoma të na flasë për një parti me bazë urrejtjen etnike dhe fetare dhe të mbështetur mbi luftën ndaj një partie pakicash në Shqipëri, mu krijua përshtypja se ky njeri nuk është i lirë të thotë arsyen reale përse do të duhet të dalë i vetëm në zgjedhje.
Personalisht më duken broçkulla thashethemet e disa socialistëve se ai ka marrë pare nga Berisha për të dalë i vetëm. Bile më të zellshmit të vizatojnë dhe Shkëlzenin me çantë në dorë duke i çuar lekët, herë duke zbritur nga një BMW e herë duke hipur në një Benz. As tek vazhdimi i filmi halucinant se një ambasadë e botës myslimane ka paguar lekët. Më ngjajnë si paranoja të një shoqërie të sëmurë nga ëndrra për para.
Nuk besoj as tek fakti që Spahiu kishte një pakt me 6 pika dhe nuk ia përfillën. Një parti e paprovuar në elektorat, sado e fryrë të jetë, nuk mund ti imponojë një koalicioni programin e saj. Ajo mund të bashkojë disa angazhime në koalicion, dhe për pikat e identitetit të saj, ajo duhet të luftojë të fitojë votat e shqiptarëve për ti fituar.
Nuk besoj po ashtu që Spahiu është në kërkim të një kazusi politik për arrestimin e Berishës, pasi nëse do të ketë një deklaratë politike paraprake që do arrestojmë Berishën kur të vijmë në pushtet, i bie ta shpallim Berishën të burgosur politik, ende pa e çuar në gjykatë. Dhe kjo thënë nga një ish- drejtues i KLD-së ngjan karagjozllëk.
Nuk besoj po ashtu se Spahiu beson se meqë ka Myslym Pashain në parti, ka mbrojtur dhe kufirin detar me Greqinë. Ai thjesht e ka parë atë një herë me dylbi. Ajo ishte një betejë e kolonel Myslym Pashait, një figurë e nderuar dhe fisnike, që ia doli i vetëm të bënte atë që sbëri dot shteti, dhe të mbështetej nga Partia Socialiste në Gjykatë Kushtetuese për ta fituar kauzën e tij. Aleanca Kuqezi nuk ishte krijuar ende kur kjo kauzë u fitua nga Myslym Pashaj dhe Partia Socialiste.
Nuk besoj ashtu siç prisja që ky të dilte i vetëm i dëshpëruar nga koalicioni i së majtës së bashkuar, ku LSI mund të përbënte një arsye për një opozitarizëm më të pastër. Por në fakt ai ishte negociatori i orëve të fundit të AK dhe ndarja nuk kish të bënte me të.
Ajo që besoj është se Kreshnik Spahiu nuk ishte i lirë dhe nuk ishte transparent gjatë gjithë periudhës kur tentoi të bënte koalicion me opozitën. Që nuk ishte i lirë e shikoja tek përpjekja e tij e stërmundimshme të shpikte çdo orë nga një shkak dhe që nuk ishte transparent e shikoja që nuk i thoshte kurrë dy vetëve të njëjtën arsye.
Ndjehem i përdorur që kam besuar se ky mund tia dalë të jetë ose një opozitar i mirëfilltë, ose një patriot modern. Këtë e them si një mik i tij dhe si dikush që di më shumë se publiku se çfarë ka kërkuar, çfarë nuk ka marrë dhe çfarë ka thënë publikisht. Për lirinë e tij le të luftojë vetë se nuk e ndihmoj dot më, por për transparencën e arsyeve që thotë publikisht mund ta ndihmoj nëse ka nevojë.
