Kardinali Xhivish: Rruga e Kryqit e popullit tuaj ka qenë një tragjedi e vërtetë tronditëse nën ashpërsinë e shtypjes komuniste
20 vjet pas vizitës së të Lumit Gjon Pali II në Shqipëri, Kardinali Stanislau Xhivish merr titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës
Kardinali Stanislau Xhivish, ish sekretari personal i Papa Gjon Palit të II I është dhënë titulli Doktor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës. Rektori i UT Dhori Kule u shpre mjaft i emocionuar që senatit akademik të Universitetit të Tiranës iu bashkua edhe një antar nderi shumë i njohur në botë. Ndërsa Kardiali polak Stanislau Xhivish u shpreh se “Jam plotësisht i ndërgjegjshëm që titulli i cili më atribuohet sot i detyrohet para së gjithash Atit të Shenjtë Gjon Pali II. Këtë bindje ma forcon fakti që dita e kësaj mbledhjeje akademike solemne nuk është zgjedhur rastësisht. Pikërisht sot, siç e dimë është 20 vjetori i vizitës së Papës së Lumë në Shqipëri, në vendin tuaj fisnik, një vizitë e shkurtër, por mjaft intensive dhe domethënëse!
Nuk do ta harroj kurrë atë ditë – 25 Prill 1993 – edhe pse ruaj në zemër shumë kujtime nga shërbimi im i gjatë pranë Kardinalit Metropolitan të Krakovës, Karol Vojtyla, dhe më pas pranë Ipeshkëvit të Romës Gjon Pali II, i cili më 16 tetor 1978 u bë pasardhësi i Apostullit Pjetër. Për gati 40 vjet kam qenë dëshmitar i çdo dite të jetës dhe punës, të takimeve të panumërta, të lutjes dhe vuajtjes së këtij njeriu, udhëheqës i madh shpirtëror jo vetëm i Kishës Katolike, por edhe e mbarë botës. E kam shoqëruar në 104 udhëtime në qytete të ndryshme të Italisë dhe në 317 vizita në famullitë e Romës. Kam parë prej afër formimin e dokumentave të mësimeve papnore të Gjon Palit të II: 14 enciklika, 15 thirrje apostolike, 11 kushtetuta apostolike, 45 letra apostolike etj... dy Kodikëve të së Drejtës Kanonike (për Kishën Latine dhe për Kishat e Lindjes) dhe përveç gjithë këtyre, kam qenë i pranishëm në shumë omeli, katekizma, ligjërata”. E gjithë kjo përbën një trashëgimi të madhe shpirtërore dhe intelektuale, jo vetëm të Kishës Katolike. Jam i bindur që edhe gjeneratat e ardhshme do të huazojnë shumë nga kjo trashëgimi.
Më pas ai vuri në dukje se Papa Gjon Pali II ka kontribut të padisktutueshëm në rrëzimin e sistemit totalitar komunist në Europë, regjim i cili për dhjetra vite ka shtypur vendet në këtë anën tonë të botës. Po mendoj veçanërisht për Shqipërinë e Poloninë. “Gjon Pali i II duke u bërë Papë solli me vete në mënyrë të natyrshme eksperiencën e tij polake. E kishin formuar kultura dhe historia polake, thellësisht të lidhura me kulturën dhe traditën e krishterë. Polonia e kishte marrë pagëzimin më shumë se 1000 vjet më parë, në vitin 966. Papa i vinte gjithnjë në dukje rrënjët e ti polake pasi ishte i bindur se një person me identitet qartësisht të përcaktuar mundet pa asnjë vështirësi të zgjerojë kufijtë e zemrës së tij, ti hapet pasurisë së kulturave të tjera, traditave dhe vendeve të tjera. Në rastin e një Pape, kulturat, traditat dhe kombet kanë të drejtën të gjejnë vend në zemrën e tij”. Ndër të tjera, kardinali Stanisłaë Dziëisz theksoi se, Papa Gjon Pali II përveç eksperiencës polake, kishte dhe eksperiencën personale nga dy regjime totalitare të shekullit të 20-të. Gjatë luftës së dytë Botërore kishte eksperimentuar atë çka ishte ideologjia e nacional – socializmit. Simbol i kësaj ideologjie ishte bërë kampi i përqëndrimit Auschëitz-Birkenau, ndërtuar jo larg Ëadoëicës – vendlindja e Papës së ardhshëm Në këtë kamp kishin vrarë më shumë se 1 milion qënie njerëzore nga shumë vende të Europës, veçanërisht Cifutë dhe Polakë. Karol Vojtyla kishte eksperimentuar edhe atë ç’ka ishte sistemi komunist i imponuar Polonisë, Shqipërisë dhe vendeve të Europës Qëndrore Lindore. Papa i ardhshëm për më shumë se 30 vjet përgjatë jetës së tij në moshë madhore ishtë përballur me këtë sistem, në cilësinë e bariut – si famullitar dhe ipeshkëv. Mbështeste idenë se ideologjia marksiste ishte e dëmshme pasi përmbante në vetvete një ”gabim antropologjik”. Ajo ndërtonte një vizion të botës dhe të njeriut pa asnjë bazë, burim dhe rrënjë. Pa asnjë shpresë. Ideologjia komuniste ndante në mënyrë antagoniste shoqërinë në klasa të huaja mes tyre. E ashtuquajtura diktaturë e proletariatit në realitet tregonte një diktaturë të drejtpërdrejtë kundër njeriut, edhe kundër njeriut të varfër. Fraza ”proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni” ishte një sllogan i thjeshtë, pasi- siç e kemi vënë re edhe ne vetë në Poloni dhe Shqipëri – regjimi komunist nuk ka ndërtuar komunitet njerëzor. Sistemi i këpuste lidhjet mes njerëzve, krijonte antagonizma, shkatërronte, izolonte.
Për këtë Gjon Pali II nuk pranoi kurrë që e ardhmja e botës mund të varej nga marksizmi, pasi e dinte nga eksperienca personale që ”një ilaç” i këtij lloji ishte akoma më i keq se sëmundja e një kapitalizmi të egër. Ndërkaq ai kujtoi se ndërsa “po përgatitesha për një vizitë tjetër në vendin tuaj, i rilexova fjalimet e Gjon Palit të II, mbajtur në tokën shqiptare 20 vjet më parë, më 25 prill. Ato përbëjnë një provë rileximi e kuptimi të eksperiencës së vështirë të kombit shqiptar në këndvështrimin e besimit dhe shpresës. Më lejoni të kujtoj fjalët e Atit të Shenjtë nga mesazhi drejtuar Kombit Shqiptar, të shprehura pikërisht këtu në Tiranë. Fillimisht ju kujtoi ju dhe botës mbarë rrugën tuaj të kryqit: “Rruga e Kryqit e popullit tuaj ka qenë një tragjedi e vërtetë tronditëse nën ashpërsinë e shtypjes komuniste. Në fakt ishte i tmerrshëm imazhi i jetës njerëzore në regjimet totalitare siç edhe ai që ju keni njohur, e në të cilin privohej njeriu nga një prej të drejtave të tij më thelbësore: liria e gjykimit të tij dhe e veprimit të tij; liria e ndërgjegjes. Privim, pra fjala që jo rrallë ka marrë karakterin e një shëmtije të papërshkruar” Por arriti dhe dita e lirisë e shumëpritur prej kohësh. “Ju - tha Papa – keni rifituar lirinë praktikisht jo me gjakderdhje. Keni dalë në sipërfaqe gati mrekullisht nga një hon tiranie dhe vdekjeje. Kur dukej se tashmë po shuhej çdo motiv i arsyeshëm besimi, ja lindi agimi i çlirimit. U ringjall guximi i të ekzistuarit, u ndez përsëri drita e shpresës”.Sipas tij, sot mund të themi se vizita e Gjon Palit të II në Shqipërinë e lirë ishte në njëfarë mënyre realizimi i fjalëve që kishte formuluar më 22 tetor 1978, ditën e inaugurimit të pontifikatit të tij, i cili u shpalos i gjatë dhe i jashtëzakonshëm. Atëherë i lëshoi thirrje gjithë turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, por praktikisht i drejtoi thirrje gjithë botës, edhe asaj pjese që atëherë ishte e mbyllur pas një perdeje të hekurt, siç ishte Shqipëria dhe vendet e tjera:. “Mos kini frikë!, Hapini, hapjani krejtësisht dyert Krishtit! Hapjani pushtetit të Tij Shpëtimtar kufijtë e Shteteve, si sistemet ekonomike ashtu dhe ato politike, hapësirat e gjëra të kulturës, qytetërimit, zhvillimit. Mos kini frikë! Krishti e di se çfarë ndryhet brenda njeriut. Vetëm Ai e di!....(....) Lejojeni Krishtin t’i flasë njeriut.