E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjallët që i bashkojnë varret

 Edmond Kumnova

Pasiguria njerëzore është rrjedhojë e një teprice pozitiviteti, një pikë e pashmangshme. Pas luftës në Kosovë, Mitrovica ende mbetet një qytet i ndarë mes shqiptarëve dhe serbëve. Në Mitrovicë tensionet, trazirat, protestat dhe demonstratat janë aktivitete të jetës së përditshme. Mitrovica është një qytet i ndarë në shumë drejtime. Ai është i ndarë fizikisht nga ura, është i ndarë nga natyra me lumin Ibër, që praktikisht kalon nëpër qendrën e qytetit si dhe mendërisht pas konfliktit në Kosovë sepse njerëzit nuk kanë pasur mundësi të kalojnë urën, për të shkuar në anën tjetër të qytetit të ndarë mes dy komuniteteve.

Në mjaft raste, përpjekja për të kaluar urën ka çuar në përleshje por edhe në vrasje. Një problem veçanërisht shqetësues për ta ishte edhe vizita në varrezat e të afërmve të tyre. Për çudi, shqiptarët që banojnë në pjesën jugore të qytetit, i kanë varrezat në pjesën ku jetojnë serbët, ndërsa serbët që jetojnë në anën tjetër të qytetit, i kanë varrezat në anën e shqiptarëve, gjë që i bënte të pamundura vizitat e tyre në to, pa u shoqëruar nga trupat e KFOR-it.

Një gjendje post-hipnoze, e cila ka mbërthyer shoqërinë mitrovicase, një lloj tretje e negativitetit brenda euforisë së spikatur. Gjendja jonë i ngjan asaj të atij njeriut që kishte humbur hijen e vet: Ai ose do të bëhet transparent dhe drita do e përshkojë tej e tej, ose do të jetë i ndriçuar prej çdo këndi, i mbi-ekspozuar dhe i pambrojtur ndaj gjithë burimeve të dritës. Dhuna është lyer me gëlqere, ashtu edhe historia. Në këto rrethana, çdo gjë që është e paaftë të braktisë identitetin e vet, zhytet në mbretërinë e pasigurisë njerëzore radikale dhe simulimit të pafund. Mirëpo, realiteti ngjan më i mirë dhe më i distancuar se aktet e dhunës në veri.

Të rinjtë nga të dy komunitetet prej kohësh kanë ndërmarrë një rrugë për angazhimin e bashkëmoshatarëve të tyre në një dialog ndëretnik. Me ndihmën e organizatave ndërkombëtare, të rinjtë marrin pjesë për vite me radhë në seminare dhe takime  për ti afruar ata me njëri-tjetrin dhe për të diskutuar probleme me interes të përbashkët si mungesa e pajisjeve mësimore në shkolla, mungesa e librave, pasiguria gjatë qëndrimit në shkollë e kështu me radhë. Me çduket, kjo është një mënyrë më efikase për të forcuar bashkëjetesën. Një mënyrë më e arritur se retorikat e medias dhe politikës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›