Përsëri ish-të përndjekurit
Dëshmi rrëqethëse! Vuajtje që përcillet jo aq nëpërmjet fjalëve sa prej mimikës dhe lëvizjes së pareshtur te duarve. Ish-të përndjekur politike që e pësuan nga sistemi që shkoi, po ama edhe ky i riu, në të cilin jetojmë, nuk u ka sjelle ndonjë të mirë të madhe. Ata janë po atje, në ato humbëtira ku i dëboi diktatura për “fajet’ e tyre. Në imazhin tim, por edhe të shumë prej bashkëmoshatarëve të mi apo ndoshta edhe të një tërësie më të gjerë shqiptarësh, emri të përndjekur politikë të sjell menjëherë në përfytyrim portretin e një e grupi njerëzish të vuajtur të rrudhur në fytyre që të shfaqen me kyçet e duarve të rrethuar nga hekurat që pengojnë lirinë. Ky imazh i këtyre njerëzve është kaq shumë i rrënjosur në përfytyrimin tim sa që gjithçka e bukur, rrëzëllitëse dhe misterioze nuk mund të përfytyrohet ndryshe.
Në Shqipëri janë ekzekutuar 5 577 burra dhe 450 gra. Janë dënuar 26 768 burra dhe 7 367 gra. Kanë vdekur në burg 1 065 persona. Kanë humbur aftësinë mendore 408 vetë. Kanë vdekur në internim 7 022 vetë. Në 50 vjet diktaturë komuniste, nga kjo shtresë janë kryer 914 000 vite burgu dhe 256 146 vite internim. Sa te “dashur” janë bërë për mediat ish të përndjekurit politikë…? Fatkeqesisht ne “teatrin” mediatik ata nuk po shfaqen si aktore të dorës së parë, por si komediane të dorës së fundit! Çdo ditë dëgjojme, lexojmë për këtë shtrese. Jo pak herë, në faqet e këtyre mediave dalin figura të diskredituara të përndjekurish që predikojnë moral. Para disa ditësh te Tonight e drejtuar nga Ilva Tare ishin te ftuar disa të përndjekur që folen për problemet qe kanë me klasen politike. Ajo qe më bëri pershtypje ishin reagimet here- herë nervoze të Simon Mirakes kundrejt Keti Bazhdari (kyetare e grupit te punes per ish-te perndjekurit në PS). Më vinte për të vjelle kur Simon Miraka mbronte një ish- sekretar partie siç është Sali Berisha. Janë pikërisht keta tipa si puna e Simon Mirakes qe per nje kockë janë në gjendje të shesin dhe lëkurën, janë këta tipa qe të përndjekurit e vërtetë, të neveritur nga këto veprime, të mos e quajnë veten të tillë. Para disa ditësh drejtuesi qe merret me regjistrimet e ish-te perndjekurve doli ne një intervistë. Në momentin që i shikova fytyrën, shtanga sepse ai që fliste ishte Sokol Petrit Azemaj, pra dikasterin e regjistrimit e drejton djali i një xhelati siç është Petrit Azemaj. Sa për dijenine tuaj Z.Miraka dhe te lexuesve po ndalem pak tek ky Petrit Azemaj. Në vitin 1976 ka filluar punë si hetues në Degën e Brendshme në Librazhd. Shef i tij në atë kohe ishte një ish-oficer i Shkollës së Bashkuar, i përjashtuar për vjedhje nga shkolla, por meqenëse ishte familje komunistësh dhe kishte prirje për xhelat, e bënë komunist dhe shef hetuesie në Librazhd.
Ky njeri është emëruar nga Ridvan Baci (është fjala për Rivan Boden sepse para demokracisë Ridvani e ka pasur mbiemrin Baci). E pra si mund të mbroni ju një komunist si Sali Berisha që pikërisht emëron pinjollët e komunisteve pikërisht në institucionet qe merren me të përndjekurit?
Dihen iniciativat absurde që merrte pushtetit komunist herë pas here. Një nga këto ishte edhe ajo e dërgimit të kuadrove në fshat me motivin për ta bërë atë më të bukur se qytetin. Pikërisht në këtë valë u erdhi radha edhe shumë profesionistëve të ndryshëm si mjek, agronomë, veterinerë, arsimtarë (madje këta kishin disa vjet që e bënin atë rrugë). Por kjo valë përfshiu edhe shkrimtarët, poetët, artistët, e të tjerë me pretekstin se atje do të gjenin frymëzimin e vërtetë për të krijuar vepra dinjitoze. Sot, këtë iniciativë të sistemit, një pjesë e mirë e gazetave e paraqesin si dënim për motive politike dhe si rrjedhojë këta individë na i paraqesin si të përndjekur politik. A thua se fshati ishte parajsa e këtij vendi! Megjithatë, në të vërtetë, disa edhe shkuan atje, por shkuan me detyra te zgjedhura si kryetar kooperativash, shefash apo kuadrosh drejtues dhe sot këtë kohë ata e quajnë si periudhë dënimi për motive politike të tyre. Mos harroni, shumica shkoi vullnetarisht duke iu përgjigjur thirrjes që i kishte bërë partia.
Së bashku me ta në fshat ishin edhe të tjerë, ata që ishin internuar si armiq të popullit dhe që punonin në punët më të rënda që mund të ekzistonin. Për këta sot nuk kujtohet askush, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë (dua të përmend iniciativën e PS këto kohet e fundit)
Kjo është Shqipëria jonë sot. Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen të paditur dhe viktima. Në këto çaste më kujtohet shprehja e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës: – Unë nuk kam frikë nga komunizmi, por nga lakejtë e tij që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.
