E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patatja e nxehtë mes Ramës dhe Berishës

Share

Nga Mero Baze

Makthi për trashëgiminë politike në PD ka futur në një luftë të paprinciptë Sali Berishën me dy parti të reja që po shfaqen në skenën politike shqiptare, partinë e Bamir Topit dhe Aleancën Kuq e Zi. Sali  Berisha, i cili pranohet gjerësisht si një nga liderët më të aftë për të ndërtuar koalicione të gjera, me lëshime të mëdha për partnerët dhe me një stabilitet të admirueshëm politik, ka hyrë në betejë me dy parti ende pa lindur akoma, për një arsye të ndryshme nga arsyeja që e bën atë tolerant në ndërtimin e koalicionit. Ideja se prurjet e reja të Topit dhe Spahiut në politikë i rrezikojnë atij trashëgiminë politike brenda PD-së nëse i përfshin në koalicion, e bëjnë atë të jetë tejet agresiv dhe shpesh i palogjikshëm në luftën ndaj tyre.

Dje ai u përfshi në polemika në distancë me Edi Ramën për Aleancën Kuq e Zi, duke tentuar ta quajë atë kamerdare shpëtimi për të majtën. Ky vlerësim në fakt pranon se Aleanca Kuq e Zi do të marrë votat e se djathtës. Sali Berisha, i cili është në koalicion me 17 parti nga e majta ekstreme e Hysni Milloshit deri tek Eqrem Spahiu, nuk ka asnjë arsye politike apo ideologjike që të jetë agresiv me Aleancën Kuq e Zi. E vetmja gjë e besueshme është se Aleanca Kuq e Zi po hyn në truallin e dikurshëm patriotik të PD-së dhe popullariteti në rritje i saj, nëse do të jetë në aleancë me PD, do të dinamizojë jetën politike dhe do të zhvlerësojë mumiet e grupit parlamentar që çdo të hënë fusin kokën mes duarve dhe dëgjojnë broçkullat e Sali Berishës. Një lider, i cili ka provuar se bën koalicione të gjera, e ka shumë të vështirë të jetë bindës pse ka shpallur armike një parti që ka tendencë të jetë centriste dhe të përdorë retorikën patriotike për popullaritet.

Edhe më ekstreme është situata me Bamir Topin. Sali Berisha e akuzon atë se është aleat i Edi Ramës, pasi sipas tij është verifikuar që ka votuar për Edi Ramën. Në të vërtetë frika reale është se nëse Topi do të ishte një alternativë brenda PD-së, trashëgimia politike e Berishës do të spostohej drejt tij. Ai do ishte figura më e pëlqyeshme e PD-së për kandidat për kryeministër në vitin 2013, dhe natyrisht do të shpërbënte klanin e mumieve politike të Berishës në PD. Është kjo arsyeja që Bamir Topi për Sali Berishën është komunist dhe Hysni Milloshi demokrat. Nuk ka asnjë arsye të besueshme që Berisha të shpallë armik Bamir Topin për arsye politike, kur dihet që koalicioni i tij i gjerë ka brenda dhe Shoqatën e Vullnetarëve të Enverit me Hysni Miloshin kryetar dhe Ridvanin anëtar, dhe legalistët, ballistët apo ndonjë profil më ekstrem politik. Pra, i gjithë ky debat që po prodhohet e nxjerr Berishën nga profili i tij si udhëheqës koalicioni dhe i zgjon makthet si kryetar PD-je, që është i shqetësuar për trashëgiminë e tij politike në PD.

E njëjta tendencë vërehet dhe nga shtypi afër Berishës. Armiqtë më të mëdhenj për shtypin gjoja të djathtë janë Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, që sipas tyre janë të majtë!!! Biles revista mujore Mapo, kishte arritur të zbulonte dhe një skemë konspirative që Spahiu ishte parti turke!!! Përveç paranojave primitive, targeti i sulmit zbulon dhe një dobësi të madhe të Berishës, që nuk akuzon dot më njeri si spiun grek apo serb siç e bënte më parë lehtësisht me Pollon, Metën, Nanon, apo Rulin. Tani dhe liria për të gjetur armiq të lidhur me fqinjët është pakësuar pasi qeveria është bërë vasale e fqinjëve. Turqia duket se nuk prish shumë punë dhe duron akuza të tilla, ose ia fal Berishës këtë sëkëlldi.

Nga ana tjetër vetë Rama sa herë që Berisha i kujton Spahiun apo Topin vrapon të theksojë se ata janë të djathtë. Në fakt Rama duhet të mësohet ta shikojë veten dita- ditës si udhëheqës të koalicionit anti- Berishë dhe jo si kryetar i Partisë Socialiste. Këndvështrimi i tij socialist për çdo gjë dhe gjykimi i ngjarjeve apo zhvillimeve në raport me Partinë Socialiste, ia heq atij atributin si kandidat i koalicionit anti-Berishë. Vetë Berisha në këtë pikë është i qartë. Ai nuk flet për Partinë Demokratike, përveç të hënave kur mbledh mumiet, nuk flet më për siglën e saj. Flet vetëm për koalicionin e tij. Dhe ka të drejtë se sistemi që ka bërë bashkë me Ramën ta imponon këtë gjë. Përveç rastit të Topit dhe Spahiut që i rrezikojnë trashëgiminë brenda PD-së, për gjithçka tjetër ai shfaqet si kryetar koalicioni. Rama duket se nuk po i përgjigjet me të njëjtën monedhë dhe kjo mund ti kushtojë në energjitë e pafundme për të ndërtuar koalicionin në minutat e fundit. Koalicioni anti-Berishë nuk mund të ketë vetëm vlera socialiste, por duhet të përfshijë gjithë faktorët opozitarë në Shqipëri. Partia Socialiste është lokomotiva e këtij koalicioni, por Berisha më 2009 fitoi nga vagonët, pasi lokomotiva i mbeti e dyta pas Partisë Socialiste. Ndaj njësoj si Berisha, edhe Edi Rama duhet të korrigjojë përpjekjen për të mbajtur distancë me faktorët antiqeveritarë në politikë. Partia Socialiste është një parti e madhe, është parti e parë në vend, është një parti që fiton e para edhe pa pasur kryetar partie dhe degë rrethesh pasi e voton populli socialist. Edi Rama ka për detyrë të përdorë fuqinë e kësaj për të udhëhequr një koalicion që të mundë Sali Berishën. Ai është edhe kryetar i Partisë Socialiste, por mbi të gjitha është udhëheqës i koalicionit opozitar dhe duhet ti kushtojë më shumë rëndësi këtij portreti se sa ngarendjes organizative të PS. Kriza politike po precipiton dhe mund të shpërthejë pas zgjedhjes së presidentit dhe koalicioni opozitar duhet të formojë frymën e bashkëpunimit dhe të fitores. Harxhimi i energjive se i kujt është Topi dhe Spahiu, sikur të ishin një patate e nxehtë që se don askush në dorë, është thjesht të merresh me frikërat e Sali Berishës në vend të optimizmit për koalicionin e opozitës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›