Suksesi i bestsellerit: Krimet e Tiranit
Gazetari i mirënjohur Bugajski, në kërkim të gjërave interesante në Shqipëri, i dha zë vejushës së tiranit Enver Hoxha, e cila u shfaq rishtas para shqiptarëve pa pendesë, sfiduese dhe ofenduese, e denjë për kujtimin e bashkëshortit. Është paradoksale se si mediat e lira ushqejnë nostalgjinë e diktaturës!
Një gazetar shqiptar, Blendi Fevziu, prej disa muajsh, duke u dhënë zë arkivave, dokumenteve, personazheve që e kanë njohur nga afër diktatorin shqiptar Enver Hoxha, të persekutuarve të tij, e mbi të gjitha krimeve të bëra në 41 vjet pushtet, ka realizuar të parën biografi të plotë për të. Ky libër në pak kohë u shndërrua në një fenomen ose, siç thuhet në zhargonin mediatik, në bestseller. Arsyet kryesore të këtij suksesi gjenden brenda librit.
Në biografinë Enver Hoxha dëshmohet surprizuese aftësia e gazetarit për të lexuar natyrën e komunizmit shqiptar dhe shefit të tij, mënyrën e të vepruarit e të menduarit, si dhe rrezikun radikal që ato së bashku shfaqen për indet e kësaj shoqërie dhe individët e saj. Enveri i Fevziut zë vendin e një libri themelor për të kuptuar regjimin totalitar shqiptar nëpërmjet fakteve të shumta, jo vetëm lineare, por edhe kontekstuale të panjohura deri tani në marrëdhënie logjike mes tyre. Autori në këtë zhanër i jep autoritet kulturës së hulumtimit të dokumentit dhe jo kulturës së dëgjimit, të veshit dhe të thashethemit. Dokumentet autentike i japin lexuesit shqiptar, e jo vetëm, mundësinë që të ballafaqohet me të kaluarën e tij, duke e vendosur memorien kolektive kundrejt moralit, ndërgjegjes dhe drejtësisë së munguar. Në këtë biografi spikat krimi i ftohtë dhe i kalkuluar si filozofi pushteti.
Fevziu e risjell tiranin dhe natyrën e tij kriminale me racionalitet analize, me qartësi shkrimi dhe me një stil në dukje neutral, por veç në dukje, sepse ironia zëvendëson anësinë e shkruesit për ngjarjet. Fevziu ka zbuluar enigmën e shndërrimit. Ai ia ka dalë të na japë përfytyrimin se si diktatori maskon para masave, para syve dhe zemrave të tyre thelbin e tij kriminal, natyrën e vërtetë të pushtetit të tij. Para nesh ai ka rizbuluar mekanizmin jetëdhënës të diktaturës, mendjen e tiranit. Kjo mendje kishte nevojë ekzistenciale që të artikulohej në emër të popullit, sepse tipar qenësor i diktaturave është manipulimi me vullnetin e popullit dhe maskimi i çdo dhune dhe i vetë tiranisë në emër të tij. Natyra humane dhe politike e Enver Hoxhës, e në bazë të tyre edhe ajo historike, në këso raportesh përvijohet gjithnjë e më qartë. Enver Hoxha si askund tjetër, pas ndërtimit të mjedisit të vet nga Fevziu, qysh prej rinie në pleqëri del një oportunist pa parime, por i aftë të qëndrojë brenda historisë dhe të lëvizë sipas instinktit. Një instinkt kriminal triumfues përballë një shoqërie tradicionale, përballë tolerancës e idealizmit të një pjese të komunistëve shqiptarë, përballë shpresës apo frikës së intelektualëve të kohës që nuk e kuptuan se ajo që po lindte ishte tirani, dhe se nuk mund të luftohej vetëm kulturalisht, por edhe ndaj atyre që i bënë rezistencë të armatosur. Një instinkt me shumë pamje ky i Hoxhës sonë, një ars combinatoria e vërtetë ndërmjet kultit të sundimit, egërsisë e inteligjencës, frikës e terrorit të pafre, kalkulimeve dhe shërbesave të përunjura ndaj fuqive të huaja që përcaktonin fatin e pushtetit të tij. Libri mbyll diskutimin mbi mediokritetin moral e intelektual të Enver Hoxhës, i cili kishte mbështetur me gjithë fuqinë e propagandës mitin e njeriut të kulturuar, mit kaq i nevojshëm për të impresionuar masat. Ai e shtrëngon Nexhmijen të pohojë sot se Enveri bëri vetëm 1 vit shkollë. E pra, Enver Hoxha i Fevziut nuk është injorant, ai lexon, madje porosit gjithmonë libra, shkruan të tillë vetë, por gjithsesi mbetet përjetësisht në kufijtë e mediokritetit. Fevziu na rrëfen se suksesi i Enver Hoxhës nuk duhet kërkuar te njohja superiore e ligjeve të historisë apo politikës, sepse ai nuk ishte në lartësinë e atyre ligjeve universale, por ndoshta më shumë duhet kërkuar te krimet e tij të pareshtura, tek ajo skutë ku arsyeja e ligjësive nuk arrin, por vetëm egoja neroniane e sundimit. Detajet që Fevziu sjell na paraqesin një Enver Hoxhë që informohej për çdo gjë. Pushteti mbi informacionin e bën atë njëfarë kryepolici në shërbim të vetvetes. Ai udhëtonte fshehurazi nëpër Tiranë për ti parë në fytyrë të nënshtruarit e tij. Manifestonte trille joracionale ndaj personave të njohur, herë për ti lëshuar anatemën, e herë për ti falur shikimin dashamirës që i rregullonte biografinë. Sëmundja dhe papërgjegjshmëria mendore i rrisin ankthin, por i shtojnë fuqinë e goditjes mbi Kryeministrin, ministrin e Brendshëm ose Himlerin e tij dhe shërbëtorë të tjerë.
Mbijeton Ramiz Alia, mbijetesë e mbikëqyrur nga Nexhmije Hoxha. Në agun e pushtetit, por edhe në perëndimin e jetës, tirani na shfaqet, përmes dokumentesh që sjell Fevziu, si një mjeshtër sadizmi. Kultura e krimit është dominant i Hoxhës dhe tipari më identifikues i regjimit 46-vjeçar. Ai nuk kënaqet vetëm me vrasjen e bashkëpunëtorëve, por i shijon edhe poshtërimi tek i këqyr bashkë me hanëmen (si kumbare e terrorit) se si ata merren në hetuesi, si rrihen, si torturohen apo si vdesin, duke thirrur ndonjëri syresh rroftë ngjitmas emrit të tij. Duke lexuar këtë libër kuptojmë që pakkush që punoi e jetoi pranë diktatorit mund të mburret për humanizëm apo dinjitet njerëzor. Nderi u takon vetëm atyre që e kundërshtuan, duke ditur cili ishte horizonti i pritjes. Blloku ngjan një cirk me majmunë, ndërsa Shqipëria një rreth dantesk ferri. Figura e tiranit kompozohet nga e keqja, tirania, krimi dhe gjaku. Pasqyrimi i tyre me vërtetësi është në bazë të suksesit të këtij libri, i cili është gjithashtu një akt moral ndaj shoqërisë shqiptare. Tek lexohej me nxitim ky libër, shqiptarët zbulonin se si paskëshin qenë kavie në laboratorin e doktor Mengelesë shqiptar. Ata gjenin aty metodën dhe mekanizmin e poshtërimit të tyre, tragjeditë dhe dramat familjare. Të tjerë e lexojnë duke fërkuar duart, tek mendojnë se ia hodhën pa u lagur dhe shoqëria shqiptare nuk u imponoi kurrë pendesë dhe detyrim për të kërkuar falje. Një tjetër meritë i duhet njohur gazetarit Blendi Fevziu, i cili ndryshe prej autorëve të mëparshëm që janë marrë me këtë temë, është i pari dhe i vetmi gazetar i paditur nga familja, sepse është i pari që ka goditur me dokumente dhe thellë manipulimin e tyre. Biografia Enver Hoxha duhet lexuar edhe më shumë, sot dhe nesër, sepse përveçse kontribut ndaj historisë apo akt moral, ajo është një pengesë serioze kundër manipulimit dhe kultit të harresës, kaq shumë të përhapur.
Me anën e Enverit Fevziu na nxiti të gjithëve të reflektojmë rreth diktaturës dhe rrënjëve të saja që gjallojnë ende sot në politikën shqiptare.
