E Diel, 1 Nëntor 2026

Përsëritja e gabimeve shqiptare në presidencialet e Maqedonisë

Shqiptarët e Maqedonisë ndodhen prapë para një sfide të shprehjes së bindjeve dhe synimeve përmes zgjedhjes së liderëve të tyre, qoftë në nivelin shtetëror, qoftë në atë lokal. Për t'ju qasur ndryshimeve drastike (ashtu siç kërkon i nderuari Ismet Ramadani), do të duhej një vetëdije e lartë dhe zgjuarsi politike tepër të theksuar nga popullata shqiptare. Se kjo veti mungon tek shqiptarët në Maqedoni, jemi dëshmitar nga përsëritja e gabimeve të bëra pothuajse që nga pavarësia e këtij shteti. Kontribut shumë të madh në lidhje me kotjen e elektoratit shqiptar dhanë më së shumti subjektet politike shqiptare. Është më se e sigurt se vetëm atyre u shkon për shtati kjo gjendje e mjerueshme e këtij populli. Kjo kotje nuk kërkon përgjegjësi politike, morale dhe profesionale, dhe nuk është në gjendje të sanksionojë subjektet politike për mosarritjen e rezultateve dhe mosmbajtjen e premtimeve të dhëna. Qysh nga daljet e elektoratit shqiptar në mënyrë masive dhe me ardhjen e shqiptarëve nga kurbeti për të votuar, me një besim të pakrahasueshëm, kur ata përkrahnin subjektin e parë politik shqiptarë, ata do të tradhtohen nga premtimet e mëdha si dhe nga niveli i demokracisë së brishtë, qoftë të shtetit, qoftë të vetë anëtarëve të atij subjekti politik. Ai subjekt politik u përball me korrupsion skandaloz, si në atë monetar ashtu edhe në atë profesional e moral. Ish presidenti i atëhershëm maqedonase, Kiro Gligorov, dhe subjekti i tij politik, LSDM, arritën përmes metodave tepër të suksesshme të bëjnë për vete këtë subjekt politik edhe pse, duhet pranuar, brenda këtij subjekti të brishtë politik shqiptarë kishte njerëz të guximshëm dhe profesional. Kjo ishte lajthitja e parë e politike e subjektit shqiptar, e cila (për mendimin tim) duhej të tërhiqej në momentin e duhur për t'i hap rrugën proceseve të reformimit të shoqërisë dhe ngritjes së vetëdijes politike. Mallkimi nga kjo pakuptueshmëri ndaj proceseve dhe lëvizjeve politike do të vazhdon edhe më tej, por kësaj radhe me përmasa akoma më alarmante. Pjesëmarrja në formulimin dhe përpilimin e Marrëveshjes së Ohrit nga "ekspertët" juridik shqiptar do të shkaktojë lajthitjen tjetër të radhës. Ky devijim ishte më i dëmshmi për shqiptarët, nga vetë fakti se shqiptarët e Maqedonisë asnjëherë tjetër nuk do të kenë shans tepër të favorshme për promovimin e kauzës së tyre. Këta "ekspertë" juridik shqiptar lëshuan pe që nga termi GJUHA SHQIPE të zëvendësohet me "më së paku 20%". Ky lëshim pe dëshmoi së "ekspertët" juridik shqiptar dështuan profesionalisht, moralisht dhe burrërisht për vetë faktin se nuk qëndruan stoik ndaj presionit maqedonas, ndërkohë që ushtarët e ish UÇK-së përballeshin me tytat e automatikëve dhe tankeve të ushtrisë maqedonase. Ky lëshim pe gjithashtu tregoi se nuk kishte solidarizim mes juristëve "ekspertë" dhe djelmoshave nëpër male. Kjo gjithashtu tregon se këta "ekspertë" bën këto pazarllëqe në kurriz të atyre djelmoshave, mirëpo akoma sot e asaj dite ne po ballafaqohemi me pasojat e mosqëndruarit stoik ndaj momenteve historike. Dhe se ky "20%" vazhdimisht po kthehet dhe po godet si shuplakë e hekurt për çfarëdo kërkese politike. Se politikanët nuk kuptojnë kohën e largimit të tyre nga politika apo skadimit të afateve të tyre (meqenëse po flasim për reformimin e shoqërisë dhe ngritjen e vetëdijes dhe kulturës politike), tregohet nga gabimi (sipas mendimit tim) i moslargimit nga skena politike të liderëve politik të PDSH-së gjatë zgjedhjeve të periudhës 2002. Largimi nga skena politike do t'i kishte kontribuar traditës së mirëfilltë politike dhe zbutjes egoiste të urisë ndaj pushtetit. Tejkalimi i vetvetes, një term ky i nxjerrë nga i nderuari Arbën Xhaferi, (edhe pse u praktikua nga ai qoftë me fjalë, qoftë me vepra), nuk u respektua nga pasardhësit e tij. Të gjithë pajtohemi se Ali Ahmeti nuk ka aftësi politike dhe aspak nuk është shembull i një lideri konceptiv, por vetë fakti që u zgjodh nga popullata duhej që t'i jepet rëndësi më të madhe trashëgimisë së ndryshimeve dhe kulturës politike në vend. Me daljen e subjektit më të ri politik në vend (Demokracia e Re) ndodhi prapë e njëjta. Sikur të mos kishim mësuar asgjë nga gabimet e mëhershme. Menjëherë subjekti u ngulfat nga ish politikanë tashmë të skaduar nga afati dhe të cilët nuk qëndrojnë në pozicion të dhënies së këshillave (ku ata mund të kontribuojnë), por të tentativave të vjeljes së beneficioneve personale politike, duke mos hapur rrugë për personat e rinj me kapacitete profesionale-shkencore, për të cilën gjë ishte zotuar vetë lideri i këtij subjekti politik, Imer Selmani. Është shumë interesant fakti që politikanët shqiptarë përputhen me analizën që Roskin ka dhënë për politikanët. Pikat që ai theksoi për politikanët ishin: duan pushtetin, mendojnë me terma politik, japin pikëpamje të forta, japin shpjegime njëshkakësore, shohin kostot afatshkurta, punojnë për zgjedhjet e radhës etj. Politikanët me përvojë, qofshin të dëshmuar për rezultate, qofshin për dështime, duhet të kalojnë nga kategoria e politikanëve tek ajo e studiuesve politik ku: janë skeptik për pushtetin, synojnë saktësinë, mendojnë për terma abstraktë, japin përfundime tentative, japin shpjegime shumëshkakësore, shohin rrjedhojat afatgjata, punojnë për afate të gjata etj. Unë nuk jam i mendimit se ndryshimi historik rrjedh nga ngritja spontane e vetëdijes shoqërore dhe as i atij se vetëm lideri është ai i cili sjell ndryshime. Unë mendoj se ndryshimet vijnë nga qasjet reciproke, duke përfshirë edhe masmediat si një faktor shumë të rëndësishëm për arritjen e reformave pozitive dhe frytdhënëse brenda shoqërisë. Vazhdimi i gabimeve të njëpasnjëshme gjithashtu sjell ndryshime dhe reforma, por këto ndryshime dhe reforma do të jenë njolla të zeza në historinë politike shqiptare. Kjo mënyrë është e hidhët dhe revolton qytetarët tashmë të ngulmuar me dëshpërim dhe pashpresë. Zbutja e toneve të betejave politike përplot rezultate formale dhe metodologjike sjell një kulturë dhe ambient të shëndoshë dhe trashëgimor. Largimi i interesave individuale-partiake dhe tejkalimi i vetvetes tregojnë pjekuri politike ku inicojnë procese të reja të strategjisë gjithëpërfshirëse të shqiptarëve në Maqedoni, ku ata do të realizojnë kërkesat e kahmotshme politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Vlen të përmendim hapjen e debateve publike nga Demokracia e Re dhe përfshirjen në këto debate të analistëve, shkencëtarëve, OJQ-ve dhe studentëve si një hap para drejtë vetëdijesimit konkret të qytetarëve ndaj asaj çfarë ndodh dhe çfarë duhet bërë.

Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›