Vizita e Berishës në Amerikë, leksion për politikën shqiptare
Vizita e kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Amerikë shënoi padyshim në karrierën e tij personale politike një zhvillim të mëtutjeshëm. Ky sukses ishte në një vijë logjike me kredon, idenë dhe filozofinë e tij politike, qysh kur ai u shfaqur publikisht në jetën shqiptare. Por, për hir të së vërtetës, suksesi ka rrënjë edhe më të thella, që lidhen me formimin dhe shijen intelektuale të para ’90-s. Kjo do të ishte një objekt tjetër dhe më vete, nëse do të rrinim tek raporti Berisha-SHBA.
Por, për nevoja të kulturimit dhe të edukimit të mekanizmit politik në Shqipëri, ky rast duhet shfrytëzuar për të thënë disa të vërteta që gjatë ditës, në mënyrë të përsëritur, shkelen me këmbë nga një pjesë e madhe e politikës sonë. Në këtë kuptim, vizita dhe suksesi i Berishës në Uashington është një leksion politik, jo vetëm për opozitën, por edhe për vetë PD-në, ministrat e saj, strukturës së saj, dhe veçanërisht me rolin politik dhe efektivitetin e tij modern, tek secili, qoftë edhe brenda PD-së, në fushën a sektorin që mbulon.
Në Uashington, mund ta sjellë puna që të takosh shumë personalitete, se ai është një vend i lirë dhe ka shumë mënyra për t’u takuar e për të takuar njerëzit e mëdhenj të Amerikës, të cilët sa të mëdhenj janë, aq modestë janë. Por, Berisha pati sukses në Uashington, jo për shkak lidhjesh, koincidencash apo rrugësh, të cilat nuk e përfshijnë vlerësimin zyrtar e shtetëror të superfuqisë. Jo! Berisha është pritur sipas kriterit të punës. Shqipëria, këtë radhë në Uashington, çoi kryeministrin e punës, kryeministrin që ka përgjegjshmërinë e gjumit të qetë të bashkatdhetarëve dhe pagjumësinë e vet. Ne e dimë shumë mirë se në Uashington kanë qenë edhe kryeministra të tjerë shqiptarë. Secili prej tyre ka bërë nga një detyrë mirë; qëndrimi ndaj NATO-s, qëndrimi ndaj terrorizmit, por askush prej tyre nuk ka qenë si kryeministri i punës dhe i punëve të mbara për vendin e tij. Berisha takoi në Uashington një të tretën e energjisë politike të superfuqisë. Nga pikëpamja cilësore e takimeve, nuk duhet nënvizuar vetëm fakti pse ai ishte kryeministri i parë që u takua me zonjën Klinton. Ai mund të jetë një kuriozitet për staticienët, por vizita dhe suksesi i saj në Uashington është e lidhur me pritjen shpirtërore që atij iu bë. Secili nga autoritetet amerikane që takoi kryeministrin Berisha, emetoi jo protokollin, jo kollaret e ftohta, por përkundrazi, emëtoi tërë erupsionin shpirtëror, demokratik, të lirë dhe njerëzor. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë, pa çmuar punën e atij që takon, pa çmuar integritetin dhe dinjitetin e atij që takon. Në këtë kuptim, suksesi i vizitës, në të vërtetë është një mësim për politikanët shqiptarë që janë në opozitë dhe që e kanë kthyer frontin opozitar në një frantojë që përpiqet të bluajë vlerat e kësaj qeverisjeje, vlerat e punës së këtij kabineti dhe të këtij kryeministri. Është vetëm puna dhe e vërteta mbi të, ajo që t’i hap shpirtërisht dyert e Uashingtonit. Dhe nuk janë kurrsesi shpifjet propagandistike të një politike zhdanoviste, të një propagande me gjetje të shpifura të Komitetit Qendror, me spekulime letrareske të tipit “G 99-Mjaft”.
Suksesi i vizitës në Uashington të kryeministrit shqiptar është një leksion politik për teatrin që përpiqet të luajë veçanërisht zoti Rama, i cili në pamundësi të emetojë ide, zgjidhje e propozime që i vlejnë një qeverisjeje - qoftë të sotmes, qoftë potencialisht një qeverisjeje të nesërme të tij - ka zgjedhur rrugën e blerjes së mediave dhe furnizimit të saj me shpifje, apo përsëritje sfilitëse të një propagande që nuk ka lidhje me zhvillimet ekonomike në Shqipëri, që nuk ka lidhje me nevojat qoftë edhe të elektoratit socialist, që nuk ka lidhje me asgjë, përveçse me marrëzinë e tij për të krijuar një detashment faqezi politikanësh antiglobalistë.
Suksesi i kësaj vizite është leksion politik, sepse kryeministri ka çfarë t’u thotë atyre që takon. A nuk është kjo qeveri që ka çuar në dyert e drejtësisë me dhjetëra zyrtarë të lartë e të mesëm për korrupsion, por në 8 vjet të qeverisjes socialiste korrupsioni ishte hallva e drekave të tyre. Kryeministri shqiptar, duke takuar autoritetet e Uashingtonit u foli për të gjithë atë batalion kriminelësh ordinerë vrasësish apo trafikantësh, që ishin të lidhur me politikën dhe që jetonin bashkë me politikanët në lokale luksoze, kurse tani janë nëpër burgje. Kryeministri shqiptar në Uashington foli për investimet, për rrugët nëpër të cilat po merr frymë Shqipëria e izoluar. Vetëm me këto rrugë po shpartallohet realisht izolimi i dikurshëm. Po mes rrugëve janë ujësjellësit, janë shkollat, janë miliarda investime. A nuk është shifra e arritur e buxhetit, deri tani, një tregues i fuqisë, i punës, i aftësisë, të financierëve dhe institucioneve të tjera të qeverisë, ajo që e nxjerr realisht Shqipërinë në vendet e para në këtë sektor, krahasuar me shoqet e saj?
Kjo vizitë mbetet një leksion politik për karakterin e politikanëve tanë, të cilët shpesh, dritëshkurtër e mendjeshkurtër, besojnë dëshirat e tyre të mbrapshta dhe të vogla apo ëndrrat e tyre meskine me fantazmat e Enver Hoxhës, Adil Çarçanit, Ramizit apo Haznedarit. Askush nuk e pyeti Berishën për ligjin e lustracionit, gjë që do të thoshte se nuk ekzistonte ai shqetësim, gjë që do të thoshte se Amerika s’mund ta pranojë krimin komunist. Por kryeministri Berisha i foli vetë zonjës Klinton, duke iu përgjigjur raportit me ndërgjegjen e vet, dhe kjo politikë e opozitës, frikamane për fajet e së dikurshmes, u përpoq më kot ta bëjë këtë temë pengesë marrëdhëniesh midis dy vendeve. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se suksesi politik i kësaj vizite është sukses i të gjithë politikës shqiptare, sepse në fund të fundit, vetë politika, pavarësisht nga aktorët e saj, synon që të filtrohet. Dhe kjo vizitë shërben shumë mirë për këtë filtrim, sepse pas kësaj, vajtojcat e majta të parlamentit shqiptar do ta kenë shumë më të vështirë të shtiren.
Leksioni politik i kësaj vizite mund t’u vlejë të gjitha institucioneve shqiptare, të cilat janë të pavarura nga qeveria. Ajo u vlen të gjithë atyre individëve, që përmes politikës kanë kapur nga një post dhe maten me hijen e mëngjesit, dhe mendojnë se kompetenca e tyre, që është edhe kompetenca e interesit të qytetarëve shqiptarë, mund t’u shërbejë për të ndërtuar një të ardhme tjetër. Ky leksion politik, që ata marrin nga suksesi i kësaj vizite - pa ushqyer iluzione - duhet t’i bëjë këta individë, kudo që ndodhen, të kuptojnë se ata as nuk mund të gënjejnë, as nuk mund të mashtrojnë e as nuk mund të gëzojnë vlera që s’i kanë. Nuk i shpëton nga mediokriteti dhe lidhjet korruptive, nuk i shpëton nga aferat e dikurshme dhe të sotshme, dhe u ndal dorën që kompetencat t’i shfrytëzojnë për të prishur sistemin e vlerave kombëtare dhe për ta shndërruar sistemin e vlerave në sistemin e trurit të tyre, i cili mendon se bota ka filluar nga çasti që iksi apo ypsiloni ka marrë atë post. Leksioni politik që del nga vizita e Berishës në Uashington është e lidhur me të vërtetën, jo thjesht si filozofi, por edhe si praktikë e punëve të ditës. Të ashtuquajturat “hatara”, të ekzagjeruara dhe të shpikura nga mendje, këtej dhe përtej kufijve, morën me këtë rast një përgjigje të merituar.
Natyrisht, ta përballosh këtë sukses politik të kryeministrit, kur e ke kundërshtar politik, duhet të heqësh dorë nga sëmundjet e vetvetes. Kjo nuk të jep shumë shpresë, por shpresë të jep diçka tjetër, që është më e madhe; ndërgjegjja e qytetarëve shqiptarë, të cilët, janë apo s’janë me pikëpamjet politike të këtij kryeministri, ndjehen me integritet dhe dinjitet, kur shohin se zv/presidenti i Amerikës e përqafon Berishën, apo zonja Klinton ka mirësjelljen ku lexohet hapur komplimenti për suksesin e qeverisjes. Padyshim që është një leksion politik për të gjithë gazetarët që ndodhen në pika të ndryshme referimi, por që duhet ta ndalin tashmë lojën me shpifjet, lojën me hile, për ta kapur qeverisjen në gabim. Para disa ditësh, një kritik i egër i Berishës, e ndau kritikën e tij përsa i përket qeverisjes, se tha “ajo ka bërë punë”, duke u përqendruar vetëm tek fjalori i Berishës. Mirëpo, fjalori i Berishës këtu i përgjigjet monstruozitetit të disa politikanëve që lahen në Pezë e thahen në bashki. Apo të ndonjë tjetri, që nga fshati i tij i varfër e vesh xhaketën Armani, të blerë me rubla e jo me euro.
Ky leksion politik është i hapur!