Maqedonasit përpiqen më kot t’i ndërojnë drejtimin Rrugës së Arbrit
Për biznesmenët shqiptar të organizuar në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore është i papranueshëm vendimi i fundit i qeverisë që të financohet projekti për ndërtimin e aksit rrugor të Korridorit 8, që kalon përmes Gostivarit, Kërçovës dhe fshatit Izvor me destinacion të fundit Dibrën. "Shumë më herët, Qeverisë së Gruevskit i kemi dorëzuar projektin falas për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Si duket, ky projekt po mbetet vetëm si dekor plus për të zbukuruar raftet e kabinetit të tij", tha Shefki Aliti, projektues i projektit Rruga e Arbrit. Përkundër premtimeve të mëparshëm të ministrave shqiptarë se të gjitha projektet rrugore që lidhin vijën rrugore Shkup- Prishtinë-Tiranë, përfshi këtu dhe Rrugën e Arbrit, Aliti shprehet se nuk janë parapara të financohet nga buxheti i Agjencisë së rrugëve të Maqedonisë. "Në vend që të financohet projekti që do të shkurtonte rrugën Shkup - Tiranë për 190 km përmes projektit të njohur tek shqiptarët si Rruga e Arbrit, kjo qeveri pranon projektin rrugor që është për 180 kilometra më i gjatë" thotë Aliti. Sipas tij, qeveria në vend që të zgjedhë projektin e ekspertëve shqiptarë të Maqedonisë, e cila duhej të kalonte përmes aksit rrugor Gostivar-Mavrovë - Lugina e Radikës dhe Dibër, qeveria ka zgjedhur aksin rrugor të Korridorit 8 që kalon përmes Gostivarit në Kërçovë, në fshatin Izvor e deri në Dibër. "Është vendim skandaloz dhe absurd. Qëllimi i ndërtimit ose realizimit të projektit Rruga e Arbrit ishte të shkurtohet distanca e udhëtimit e jo të zgjatet, kurse rruga ekzistuese në Korridorin 8, e cila duhet të ndërtohet, ka distancë prej 370 kilometra. Aliti thekson se vlera e ndërtimit të Rrugës së Arbrit Gostivar-Dibër, në pjesën e Maqedonisë, kap shifrat prej 400 milion euro, ndërsa projekti që ka kaluar në Qeveri, është parashikuar të përfundojë brenda 6 viteve dhe bashkë me Korridorin 8, që brenda saj përfshinë edhe projekte të infrastrukturës, hekurudhë, energjisë elektrike dhe telekomunikime, arrijnë vlerën prej 1.4 miliardë euro.
...