Nisin javët e Kreshmëve, para Pashkëve të Ringjalljes
Paraqitet Mesazhi për Krezhmët 2009. ati i Shenjtë fton të rizbulohet agjërimi i vërtetë i krishterë, si një mesazh që i nxit drejt zbulimit të dashurisë për të afërmit
Agjërimi i vërtetë ka për qëllim të na nxisë të mos jetojmë më vetëm për vetveten, por t’ia hapim zemrën Zotit e të afërmit: këtë pohon Benedikti XVI në Mesazhin për Krezhmët e këtij viti, përmes të cilit na fton ta rizbulojmë këtë praktikë të lashtë pendestare. Mesazhi i Papës për Krezhmët 2009 u paraqit të martën e kaluar në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Në konferencën e paraqitjes, drejtuar nga atë Federiko Lombardi, folën ndërmjet të tjerësh, kardinali Paul Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’ dhe zonja Jozetë Sheeran, drejtoreshë ekzekutive e Programit Ushqimor Botëror të Kombeve të Bashkuara. “Krezhmët i hapin të krishterit një udhë shpirtërore e praktike për t’ia dhuruar pa asnjë ngurrim vetveten Hyjit”. Këtë nënvizoi kardinali Kordes, i cili shtoi: në Mesazhin e tij, Benedikti XVI na kujton impenjimin për t’ia hapur zemrën e dorën atyre që kanë nevojë. Porosi - shpjegoi - që bëhet edhe më urgjente në këtë periudhë krize ekonomike globale: “Nuk mund të dorëzohemi përballë mjerimit të njerëzve; përsa mundemi, duhet t’i ndihmojmë për të gjetur rrugëzgjidhjen”. Në sa nis të ndjehet atmosfera e Krezhmëve, po kujtojmë mesazhet e viteve të kaluara të Benediktit XVI për kohën krezhmore: Në mesazhin për Krezhmët 2007, në qendër të vëmendjes ishte drama e Kalvarit, misteri i dashurisë që kryhet mbi Golgotë, zbulesa e agape-s e eros-it të Hyjit, me të cilat Zoti e do njerëzimin. Papa i ftonte besimtarët të ndalohen, me Marinë e Gjonin, nxënësin e dashur, pranë Atij që flijohet në kryq për shpëtimin e mbarë njerëzimit. Ati i Shenjtë i nxiste të gjithë t’i sjellin sytë nga Krishti i kryqëzuar i cili, duke vdekur mbi Kalvar, na zbuloi plotësisht dashurinë e Hyjit. Ja si e nënvizonte Papa thellësinë e këtij vështrimi: “Duke shikuar Krishtin, e ndjejmë se edhe ai na shikon ne. Ai, që ne vetë e shporuam me fajet tona, vijon të ndikojë mbi botën, pa u lodhur kurrë, një përrua dashurie përdëllyese”. Kthesa në rrugën e Hyjit është përmasa themelore e Kohës së Krezhmëve. Papa e ripohoi këtë edhe në Mesazhin krezhmor 2008, në të cilin nënvizon se lëmosha ungjillore nuk është thjesht filantropi; nuk duhet të jetë as përpjekje tinzare për të kërkuar interesin personal dhe admirimin e të tjerëve, aq më pak mjet për të vënë në dukje vetveten. Lëmosha, ashtu si lutja e agjërimi, duhet ta ndihmojnë njeriun të pastrohet shpirtërisht: “Agjërimi, për të cilin Kisha na fton në këtë kohë të fortë, nuk ka të bëjë me arsye fizike ose estetike. Lidhet ngusht me pastrimin shpirtëror të njeriut, me çhelmimin e tij nga mëkati e nga e keqja; e edukon njeriun të çlirohet nga skllavëria e vetvetes, e bën më të vëmendshëm në dëgjimin e zërit të Zotit e në shërbim të vëllezërve. Për këtë arsye agjërimi dhe praktikat e tjera krezhmore, tradita e krishterë i konsideron si ‘armë’ shpirtërore për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset”. Të përgatitemi, prandaj, për këto dyzet ditë hiri të posaçëm, që po afrohenduke i shikuar si kohë eukaristike.
Viti kushtuar Shën Palit: ftesa për të dëgjuar fjalën e Hyjit/Vijojnë në të katër anët e botës nismat e Vitit kushtuar Shën Palit: mijëra besimtarë shtegtojnë, posaçërisht drejt Romës, për të ecur mbi gjurmët e Apostullit të Popujve. Ndërmjet vendeve, që meritojnë të vizitohen, është sigurisht Shenjtorja e Tre Burimeve. Ishte viti ‘67 pas Krishtit kur Apostulli u martirizua në vendin e njohur me emrin Acque Salvie: me që nuk munden ta kryqëzonin, si Shën Pjetrin, sepse ishte nënshtetas romak, Palit ia prenë kokën. E duke u shkëputur nga trupi, koka e Aposotullit u rrokullis, duke prekur tri herë tokën. E atje ku preku, shpërthyen tre burime. Këtu u ngrit abacia e lashtë çisterçense e Shenjtorëve Vinçenci e Anastasi, e cila që nga shekulli XIX iu besua murgjërve trapistë . Abati i bashkësisë, Atë Zhak Brierë, tregon: “Nuk dimë shumë për vdekjen e Shën Palit. Gojëdhëna e cila flet për vdekjen e Apostullit në një vend, që quhej Acque Salvie, nis që nga shekulli II: murgjërit e parë që erdhën këtu, ishin nga Cilicia, dmth nga provinca ku lindi Shën Pali. Kemi edhe një element tjetër, që provon shenjtërinë e këtij vendi: kjo zonë ishte malarike. Prania e murgjërve këtu, pavarësisht nga ajri i ndotur, më duket shumë domethënëse”. Lidhur me mesazhin që martirizimi i Shën Palit u jep burrave e grave të kohës së sotme, ai përgjigjet: “Mendoj se është dëshmi e fesë në Krishtin; ka shumë njerëz, që përgatiten të nisen për mision e, para se të nisen, vijnë të luten në këtë vend, për t’ia besuar gjithçka ndërmjetësimit të Shën Palit. Tani vetëm një gardh gëmushash e ndan Shenjtëroren e heshtur nga bota e zhurmëshme, në të cilën murgjërit dëshmojnë vlerën që ka lutja e dëgjimi i zërit të Zotit për njeriun e të gjitha epokave, nga ajo e Shën Palit, në kohën tonë”.
Marrë nga Radio Vatikani