Përsëritja e rastit "Paja"? Dajti mund të pretendojë se nuk e dinte që qëlloi policë
TIRANË - Ligji, shpeshherë është interpretuar edhe në favor të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ka pasur edhe rast të lirimit nga burgu të këtyre, për shkak të boshllëqeve ligjore.
Prokurorisë së Krimeve të Rënda do t'i duhet të provojë se agjentët e policisë janë prezantuar para se të fillonte shkëmbimi i zjarrit, për të mos i lënë shkak të dënuarit dhe mbrojtjes së tij të pretendojë "se e ka shkrepur armën pa ditur që janë policë".
Një gjë e tillë ka ndodhur kohë më parë dhe po ndodh pikërisht pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku i pandehuri Ilir Paja, në çastet e tentimit për arrestimin e tij, morri zvarrë një efektiv të policisë, (konkretisht kolegun e agjentëve që mbetën të vrarë), i cili po e ndiqte Pajën me makinë e me rroba civile.
Paja, person shumë i kërkuar nga drejtësia italiane, pretendon se nuk ka ditur që ka shtypur një polic, për shkak të rrobave civile, ndërkohë që prokurorisë i është dashur të gjejë dëshmitarë që të deklarojnë se kanë dëgjuar thirrjet: "Ndal, policia"
Mbetet për ta provuar se agjentët e kanë paralajmëruar të shumëkërkuarin Dajti se janë agjentë policie.
Ndryshe, ai mund të pretendojë se ka menduar që personat civilë e me maska në kokë kanë qenë rivalët e tij të njohur në botën e krimit. Asnjë nga agjentët e policisë nuk kishte shenja dalluese që t'i identifikonin ata si efektivë policie.