Gripi, 39 të dyshuar dhe 2 pacientë rëndë
TIRANE- Edhe pse nisi me simptoma të lehta dhe përhapje jo alarmante, gripi i derrave dyshohet të ketë prekur 39 persona në vendin tonë, ndërkohë që dy pacientë të dyshuar janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Këtë e pohojnë mjekët e spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët thonë se në laboratorin e virologjisë po punohet për testin e imunofluoreshencës, që saktëson nëse të sëmurët janë prekur nga gripi i formës A. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë analizat dërgohen në laboratorin e Bukureshtit, për të saktësuar nëse kemi të bëjmë me virusin H1N1. Sipas mjekut infeksionist dhe anëtar i komisionit të gripi të të derrave, Pëllumb Pipero, të dyshuarit po trajtohen me të gjitha mjekimet e duhura, dhe vetëm dy prej pacientëve kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në Institutin e Shëndetit Publik pritet të mbërrijnë analizat përfundimtare nga laboratori i Bukureshtit për 13 raste e dyshuara rreth një javë më parë. Në vendin tonë, deri më sot janë konfirmuar vetëm tetë raste, por mostra janë marrë për rreth 300 persona. "Duhet të sjellim në konsideratë, në radhë të parë, klinikën e gripit të derrit, që nuk është se ndryshon shumë nga klinika e gripit të zakonshëm. Kur themi se klinika e gripit të derrit dominon nga shenjat e influencës stinore, që janë temperatura e lartë, dhimbja e kokës, dobësia dhimbja e fytit, kolla, diarreja dhimbja muskulare, pak a shumë këto janë edhe shenjat e gripit të derrit,"- pohon Pipero. Sipas tij, nëse është vënë re që në rast se ne, deri tani, komplikacionet e gripit të zakonshëm i njohim dhe marrim masat për t'iu përgjigjur në kohën e duhur me anë të trajtimit adekuat, ende nuk njihen mirë komplikacionet e gripit të derrit. Edhe pse vdekshmëria është e ulët, në nivelin 0.4 deri në 2 për qind, ne nuk i njohim mirë komplikacionet. "Thuhet se janë komplikacione nervore, komplikacine pulmonare, komplikacione kardiake, por ne nuk kemi një situatë të saktë nga eksperienca e vendeve të tjera. Bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera, personat më të rrezikuar janë gratë shtatzëna, fëmijët deri në 6 vjeç, ose të sëmurët me imunitet të komprometuar, apo të sëmurët kronikë dhe personat mbi 65 vjeç",- pohon Pipero.