E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimet pas 8 majit, aleatët kundër PS-së

Gjinushi: Koha e gjoja kompromiseve, koha e opozitës konstruktive, dhe kjo në thonjëza, absolutisht ka kaluar”. Milo: Ka ardhur koha që të kuptohet se aleatët duhet të vlerësohen për aq sa kanë dhe jo të konsiderohen si shërbëtorë për synimet e PS-së, pasi kjo mund ta dëmtojë në të ardhmen siç dhe e ka dëmtuar vetë aleaten tonë PS.

Mënyra sesi Partia Socialiste po menaxhon situatën paszgjedhore ka lënë të pakënaqur thuajse të gjithë aleatët e saj. Të gjendur para një situate të paqartë veprimi nga ana e aleatit të tyre, ata nuk ngurrojnë të shprehin hapur rezervat e tyre për këtë qëndrim dhe i bëjnë thirrje lidershpit të kësaj force që të marrë situatën në dorë dhe zhvillojë një opozitë që të respektojë mbështetjen që i dhanë shqiptarët edhe në 8 Maj. “Jam kritik për vetë faktin që sot opozita nuk është mbledhur ende për të diskutuar, shqyrtuar dhe për të koordinuar veprimet e saj të mëtejshme. Përfundimisht duhet të hiqet dorë nga nënvlerësimi dhe nga një lloj paternalizmi që Partia Socialiste po ushtron ndaj aleatëve të saj. Ka ardhur koha që të kuptohet se aleatët duhet të vlerësohen për aq sa kanë dhe jo të konsiderohen si shërbëtorë për synimet e Partisë Socialiste, pasi kjo mund ta dëmtojë në të ardhmen, siç dhe e ka dëmtuar vetë aleaten tonë PS”, - tha kreu i PDS-së Paskal Milo, i cili nga zgjedhjet e 8 Majit u konfirmua si aleati më i madh i PS-së në kampin opozitar. Gjithashtu kritik për atë që përfaqëson sot PS me sjelljen e saj, është edhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i cili vlerëson nevojën e riformatimit të opozitës. “Opozita në vetvete duhet të riorganizohet, të rifomatohet, të zgjerohet, pasi është një domosdoshmëri e kohës, duke mos u treguar e ngurtë në administrimin e këtij procesi, për të hapur më tej radhët e opozitarëve politikë, pra duke tejkaluar më tej disa konflikte dhe interesa të momentit, për t’u faktorizuar në mënyrë të shpejtë, për faktin që opozita ka mbështetjen e shumicës në popull dhe kjo është shumë e rëndësishme”, - tha Ndoka. Ndryshe nga dy aleatët e mësipërm, Skënder Gjinushi, kreu i PSD-së, është kundër PS-së jo për mënyrën sesi ajo po sillet me aleatët e vet, por për mënyrën sesi po kërkon të bëjë opozitë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të bashkëpunuar me mazhorancën për të votuar ligjet e rëndësishme në Parlament. “Partia Socialiste ka përgjegjësinë më të madhe për të kryer këtë mision opozitar, pasi erdhi koha që përfundimisht të bëjë opozitën e vërtetë. Koha e gjoja kompromiseve, koha e opozitës konstruktive, dhe kjo në thonjëza, absolutisht ka kaluar”, - tha Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›