E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Kryeministrit Berisha drejtuar shqiptarëve për anëtarësimin e vendit në NATO, në Rinas, i sapokthyer nga Strasburgu

Qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen,  dua t`u uroj gëzuar ditën e parë të NATO-s, ditën e mrekullisë së lirisë, ditën e dinjitetit tonë kombëtar, ditën e të ardhmes sonë të sigurt.

Sapo vijmë nga Samiti i Kehl-Strasburg-ut, në të cilin ne, si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, u ulëm për herë të parë në histori me udhëheqësit e vendeve më të lira, më të fuqishme të planetit si të barabartë. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj të gjithë atyre shqiptarëve që, nga vitet `90 e deri më sot, kontribuuan me qëndrime, me veprime, me përkushtimin e tyre në konsolidimin e lirisë dhe të vlerave të saj, konsolidimin e tregut dhe vlerave të tij, reformave të thella e të shumëanëshme që bënë të mundur këtë ditë. Një falënderim i veçantë u takon Forcave tona të Armatosura që me reformat e tyre, me kurajën dhe përkushtimin e tyre u bënë ambasadorët tanë të shkëlqyer në misione ndër më të vështirat të paqeruajtjes në Europë dhe botë.

Një falënderim dhe mirënjohje të gjithë ekspertëve , specialistëve, drejtuesve, zyrtarëve që me një vendosmëri të paparë proceduan gjatë këtyre viteve, në një luftë me zero tolerancë me krimin e organizuar, korrupsionin që po mbyllnin progresivisht dyert e Aleancës për Shqipërinë dhe shqiptarët, rivendosën në Shqipëri, rendin, qetësinë, sigurinë, rikthyen transparencën e domosdoshme dhe bënë të mundur që të kthehemi nga Strasburgu si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Një mirënjohje e pakufishme u takon qeverive dhe kombeve të vendeve anëtare që, gjatë këtyre viteve, u dëshmuan shqiptarëve solidaritetin më të jashtëzakonshëm dhe më të madh që ata kanë njohur në historinë e tyre.

Një mirënjohje e madhe dhe e pakufishme qeverive dhe kombeve të vendeve anëtare që, gjatë një viti, bënë që shqiptarët të njohin një besim që se kishin provuar kurrë më parë, votuan në një kohë rekord Protokollin e Anëtarësimit në NATO.

Një mirënjohje më e veçantë i takon popullit të madh amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e cila, vite më parë, themeloi Kartën e “Adriatik 3”, që u shndërrua në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me dy vendet mike, Kroacisë dhe Maqedonisë, në afrimin e shpejtë të Shqipërisë me NATO-n             

Një mirënjohje të veçantë dua t`i përcjell mikut të shquar të kombit shqiptar, Presidentit George W. Bush. Mesazhi i tij i 10 qershorit 2007, sot u shndërrua në realitet. Dua ta falënderoj me shumë mirënjohje Presidentin Barack Obama, i cili priti me fjalët më inkurajuese anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, bëri vlerësimin më të madh për reformat e shqiptarëve, reforma, të cilat anëtarësuan Shqipërinë në NATO.

Dua ta mbyll duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj organizuesve të samitit Kehl-Strasburg, Presidentin Nikola Sarkozy, Kancelaren Angela Merkel, si dhe të gjithë liderëve të vendeve anëtare, të cilët hapën fjalën e tyre në këtë samit historik të 60 vjetorit të themelimit të NATO-s, duke i përcjell Shqipërisë urimet më të përzemërta për anëtarësimin e saj.

Edhe njëherë gëzuar për çdo shqiptar! 


05/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›