E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Gëzuar ditën e mrekullisë së lirisë, të dinjitetit kombëtar dhe të ardhmes së sigurt!

- Gjatë kthimit nga Rinasi për në Tiranë, Kryeministri Berisha u përshëndet nga një grup fëmijësh, tek vendi i quajtur Fusha e Balonave, ku fëmijët lëshuan qindra balona me mbishkrimin “Shqipëria në NATO”.

Nën atmosferën entuziaste, mbërriti sot në mesditë nga Strasburgu, delegacioni shqiptar që mori pjesë në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku Shqipëria u përfaqësua për herë të parë si anëtare me të drejta të plotë në NATO.

Në një ceremoni madhështore, të organizuar në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, delegacionin kishin dalë për ta pritur nënkryetari i Kuvendit Neritan Ceka, Zëvendëskryeministri Genc Pollo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ministra.

Kryeministri Berisha u uroi të gjithë qytetarëve shqiptarë ditën e parë të NATO-s, ditën e mrekullisë së lirisë, ditën e dinjitetit kombëtar dhe të ardhmes së sigurt.

“Sapo vijmë nga Samiti i Kehl-Strasburg-ut, në të cilin ne si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë u ulëm për herë të parë në histori me udhëheqësit e vendeve më të lira dhe më të fuqishme të planetit si të barabartë”, theksoi Kryeministri Berisha. 

Me këtë rast, Kryeministri u shprehu mirënjohjen më të thellë të gjithë shqiptarëve, Forcave të Armatosura, ekspertëve, drejtuesve dhe zyrtarëve që me vendosmëri proceduan gjatë këtyre viteve në një luftë me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që po mbyllnin progresivisht dyert e Aleancës për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 “Një mirënjohje e madhe dhe e pakufishme u takon qeverive dhe kombeve të vendeve anëtare që gjatë një viti bënë që shqiptarët të njohin një besim që se kishin provuar kurrë më parë, votuan në një kohë rekord Protokollin e Anëtarësimit në NATO”, u shpreh Kryeministri. 

Një mirënjohje më e veçantë, tha Kryeministri, i takon popullit amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e cila vite më parë themeloi Kartën e “Adriatik 3” që u shndërrua në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me dy vendet mike, Kroacisë dhe Maqedonisë, në afrimin e shpejtë të Shqipërisë me NATO-n.

“Një mirënjohje të veçantë dua t`i përcjell mikut të shquar të kombit shqiptar, Presidentit George W. Bush. Mesazhi i tij i 10 qershorit 2007 sot u shndërrua në realitet. Dua ta falënderoj me shumë mirënjohje Presidentin Barack Obama, i cili priti me fjalët më inkurajuese anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, bëri vlerësimin më të madh për reformat e shqiptarëve, reforma të cilat anëtarësuan Shqipërinë në NATO”, tha Kryeministri.

Gjatë kthimit nga Rinasi për në Tiranë, Kryeministri Berisha u përshëndet nga një grup fëmijësh, tek vendi i quajtur Fusha e Balonave, ku fëmijët lëshuan qindra balona me mbishkrimin “Shqipëria në NATO”.

Duke e ndarë këtë gëzim së bashku me fëmijët, Kryeministri Berisha i uroi ata për këtë ditë madhe për mbarë kombin, ditë, e cila u mundëson atyre të ndërtojnë jetën, siç kanë ëndrrat e tyre.

Kthimi i Kryeministrit Berisha, gjatë rrugës deri në selinë e Këshillit të Ministrave, u shoqërua nga qindra qytetarë, të cilët kishin dekoruar makinat e tyre me flamuj të NATO-s dhe flamuj kombëtarë.   


05/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›