Kryeministri Berisha: Anëtarësimi në NATO, mbyllet kapitulli i tranzicionit
Kryeministri Berisha ka dhënë sot në mbrëmje, në Strasburg, disa intervista për disa televizione shqiptare, TOP Channel, TV Klan dhe TVSH
- Intervistë e Kryeministrit Berisha dhënë për Top Channel
Pyetje: Zoti Kryeministër, edhe një herë urime për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si Kryeministër i shqiptarëve. Shpesh herë ne mediat jemi kritikë ndaj politikanëve, por njëkohësisht duhet t’ia njohim këtë kontribut klasës politike shqiptare?.
Kryeministri Berisha: Mendoj se sot u realizua, ndoshta aspirata më e madhe e shqiptarëve për të pasur të sigurt liritë e tyre. Dhe po të kemi parasysh, se nga e nisëm këtë rrugë, niveli që ne kishim në vitet ’90-’92, mendoj se është realizuar dhe kurorëzuar me sukses të plotë një projekt i një rëndësie përcaktuese për të ardhmen e shqiptarëve. Sot e tutje, kombi ka të gjithë sigurinë e plotë në ndërtimin e lirisë. Kombi ka një prestigj, një pasaportë, një kredibilitet të ri, ka një perspektivë të dhe re dhe ndahet përfundimisht nga tranzicioni.
Pyetje: Zoti Berisha, kujtoj një nga intervistat tuaja, ndër të parët zërat ndryshe që “Zëri i Amerikës” intervistonte, në vitin ’89-’90, që keni thënë për vende të vështira si Shqipëria tranzicioni mund të shkojë edhe 20 vjet...
Kryeministri Berisha: Ekzakt. E kam mbajtur atë sepse kam pasur konceptin se demokracia është një qëndrim. Në tërësinë e vetë është një qëndrim, një tërësi standardet, normash dhe parimesh, të cila formojnë qëndrimin e një njeriu. Por, nëse ne e nisëm nga një monizëm total, do të duheshin 15 deri 20 vite që të krijohej një qëndrim tjetër nga ai i trashëguar dhe kjo ka ndodhur.
Pyetje: Fundi i tranzicionit apo fillimi i fundit të tij? Pra, ka ende për të bërë?
Kryeministri Berisha: Jo! Realisht është fundi i tranzicionit. Vendi ynë është vend anëtar i NATO-s. Do të thotë një vend krejtësisht tjetër. Pra, mbyllet kapitulli i tranzicionit dhe çelet kapitulli i ecjes së një rruge normale, jo pa vështirësi, por një rruge shumë më të sigurt dhe në të cilën për shkak të sigurisë, prestigjit dhe kredibilitetit të ri, Shqipërisë i shumëfishohen mundësitë e shpejtimit të zhvillimit, siç ka ndodhur me vende të tjera. Nëse i pyet vendet anëtare, që të gjitha thotë se anëtarësimi i NATO-s u shndërrua në një levë të fuqishme të shpejtimit të zhvillimit.
Pyetje: Ka qenë një moment tepër emocional ecja e barabartë e liderëve të Shqipërisë me liderët botëror mbi urën e lumit Rehn. Mua mu duk si kalimi i një epoke tjetër. Juve si e përjetuat?
Kryeministri Berisha: E kam përjetuar me një emocion të madh, e kam përjetuar me një ndjenjë shumë të veçantë. Ura quhet Ura e Evropës dhe Shqipëria kalonte këtë urë jo më e vetmuar, por e bënte këtë rrugë në aleancë me vendet më të lira dhe më të fuqishme të planetit. Mendoj se shqiptarët, kanë një mijë arsye për të qenë krenar, por, sërish dua të theksoj, për të qenë më shumë mirënjohës. Ne tranzicionin e kemi pasur të lodhshëm, por nuk mund ta imagjinojmë se çfarë mund të kishte qenë ai po të mos ishte solidariteti i jashtëzakonshëm. Në fjalën time theksova se asnjë komb,e them pothuajse i sigurt, nuk ka njohur solidaritet saç kemi njohur ne në këto 17 vite. Kështu që ndjehemi mirënjohës, ndjehemi krenar dhe të sigurt. Ura ishte simbol i asaj të ardhme që ne kemi.
Pyetje: Doja t’ju pyesja pak për atë që NATO në vetvete do të paraqes për ne dhe për buxhetin e qeverisë shqiptare. Me sa di kemi derdhur edhe kuotën e parë, që duhet të jetë diku tek 700 mijë euro. Por, nga ana tjetër është që tani çdo operacion ushtarak do ta kemi nën flamurin tonë dhe me shpenzimet tona. Mendoni se në të ardhmen, për një vend me buxhet delikat si Shqipëria, do t’i paraqesë problem buxhetit ushtarak?
Kryeministri Berisha: Sigurisht që angazhimet e Shqipërisë rriten. Por, ne kemi dy vite që përcaktuar një buxhet 2 %, apo pak më shumë, të Prodhimit të Brendshëm Bruto për Forcat e Armatosura. Unë edhe në buxhetin afatmesëm kam theksuar se Shqipëri për të paktën 15 vjet me radhë do të jetë e detyruar të mbajë këtë nivel buxheti për Forcat e Armatosura. Ne do të kemi një ushtri të vogël, të mirë trajnuar, të bazuar në këmbësori, por të aftë për të përballuar të gjitha problemet që lindin gjatë kohës së paqes në vend dhe të gjitha misioneve paqeruajtëse apo të luftës kundër terrorizmit të NATO-s. Por, këto shpenzime në krahasim me prurjet e mëdha që sjell prestigji i NATO-s, në krahasim me sigurinë e madhe që i jep zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja, gjykoj se janë jo shumë të rëndësishme.
Pyetje: A do të kemi ne kompleks që të dërgojmë ushtarë shqiptarë nën stemën e NATO-s, në një shtet të ri kosovar, të qeverisur nga shqiptarë, por në një shtet që lindi për shkak të NATO-s?
Kryeministri Berisha: Ne nuk do të kemi asnjë kompleks. Për këtë ju siguroj. Nuk do të kemi asnjë kompleks për të dërguar ushtarët tanë nën flamurin e NATO-s në Kosovë apo kudo që do të ketë nevojë. Por, nga ana tjetër theksoj se KFOR me fuqizimin e institucioneve të Kosovës nuk shkon drejt zgjerimit të tij. Por, sidoqoftë ne nuk kemi komplekse për të marrë pjesë në çdo mision paqeruajtës të NATO-s.
Pyetje: Sot fillon një epokë e re, epoka e pas NATO-s. Çka do të thotë siç thatë ju krenari, mirënjohje dhe përgjegjësi. Si e përktheni këtë me terma më konkrete?
Kryeministri Berisha: Së pari me një përpjekje shumë të fuqishme për standarde dhe konsolidimin e tyre. Gjatë këtyre katër viteve ne kemi arritur disa standarde shumë të rëndësishme bashkëpunimi, pavarësisht nga kundërshtitë që janë të pashmangshme, por ka pasur dhe bashkëpunim serioz për fusha tërësore. Mendoj se kjo frymë për reformat kryesore duhet të vazhdojë të konsolidohet. Mendoj se duhet të vazhdojë të konsolidohet bashkëpunimi ndërmjet qeverisë vendore dhe qeverisë qendrore. Unë mund të them se në vlerësimin tim një nga levat e suksesit në investime të qeverisë time ka qenë ndarja e tyre me qeveritë vendore në mbarë vendin. Fryma e dialogut duhet të predominojë. I rëndësishme është edhe konsolidimi i shoqërisë civile dhe rolit të saj. Pra, reformat mbeten dhe janë perpetuum mobile. Natyrisht sa më i gjerë konsensusi, aq më mirë ecin ato.
Pyetje: Zoti Kryeministër, dilema dhe skepticizmi vazhdon. Kryesisht opozita ka rindezur kritikat në këtë drejtim. Ju keni premtuar publikisht se këto do të jenë zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri. A do të jenë ato aq të mira, sa të çdo vendi tjetër anëtar të NATO-s?
Kryeministri Berisha: Opozita normale që ankohet dhe duhet ankohet, por le të paraqesë qoftë edhe ndërhyrjen më të vogël nga kjo qeveri në zgjedhjet lokale të vitit 2007, qoftë edhe një rresht nga të gjitha raportet e bëra se qeveria ndërhyri në ato zgjedhje. E kundërta është e vërtetë, konfirmoi se qeveria nuk ka ndërhyrë dhe se defektet kanë qenë kryesisht teknike. Të gjitha forcat politike për herë të parë i njohën pa asnjë koment. Mua më kujtohet që eksponentë kryesor të opozitës u shprehën se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, çka unë nuk e thash sepse kishin deficite teknike. Pra, nuk ka asnjë arsye edhe gabon ai që mendon se kjo qeveri nuk do të bëjë sërish të gjitha përpjekjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Natyrisht, jam i bindur se opozitës i intereson kjo. Duhet ti bëjë dhe ajo dhe ti japim vendit procesin më të mirë zgjedhor që ka ndodhur ndonjëherë. Pak a shumë kërkesat e saj për kartat e identitetit janë plotësuar. Ne ndaluam me një gjobë shumë të fortë lëshimin e kartave për personat që kanë pasaporta. Ne ulëm në çmime vërtet simbolike blerjen e tyre. I përket opozitës të bëjë zgjidhje në dëshmi të interesit saj për një proces zgjedhor që mbështetësit e saj, simpatizantët e saj dhe anëtarët e saj ti marrin kartat.
* * *
Intervistë e Kryeministrit Berisha për TV KLAN
Pyetje: Zoti Kryeministër, së pari ju uroj për faktin që sot , për herë të parë Shqipëria ka marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota në NATO. A mendoni se kjo prezencë është shumë e vonuar, duke pasur parasysh që janë 19 vjet, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri dhe 42 vjet pasi kemi lënë Traktatin e Varshavës?
Kryeministri Berisha: Së pari, le të ndalemi tek madhështia, rëndësia e ditës së parë të Shqipërisë në NATO. Kjo përbën ditën më të rëndësishme, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, sepse për shqiptarët, një komb që kanë vuajtur dhe kanë paguar çmimin më të madh për problemet e sigurisë së tyre, një komb që me gjithë përpjekjet mbinjerëzore që kanë bërë, mund të themi se më së shumti kanë arritur të sigurojnë mbijetesën, dita e sotme hap një epokë të re, epokën e sigurisë së plotë të lirive të tyre, epokën në të cilën shqiptarët do të mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë në liri. Dita e sotme i jep fund një tranzicioni 18 vjeçar të Shqipërisë dhe e vendos atë në rrugën e kombeve dhe vendeve më të zhvilluara. Dita e sotme, e cila nisi me kalimin e urës së Europës së pari, me të gjithë udhëheqësit e Europës dhe të botës, përbënte një moment simbolik, që do të thotë se shqiptarët nuk do të jenë më vetëm në rrugën e tyre.
Pyetje: A e meritojnë shqiptarët të jenë përkrah vendeve të tjera me standard më të larta se ne?
Kryeministri Berisha: Mendoj se anëtarësimin e kemi merituar plotësisht. E theksova sot në fjalën time dhe po e theksoj edhe këtu për ju, sot është një ditë krenarie, më e madhja që kemi ndier ndonjëherë në jetën tonë.
Por sot, është dita e mirënjohjes më të thellë. Në këto vite, Shqipëria e cila e filloi vite e vite dritë larg vendeve të lira, filloi dekada të tëra mbrapa të gjitha ish diktaturave të tjera komuniste, ia dolëm që në një hark kohor realisht më të shkurtër, të meritojmë një vlerësim tepër të madh dhe të bëhet anëtare e NATO-s.
Rikujtoj sot këtu vetëm përgjigjen që I dha Presidenti Obama pyetjes së ish gazetarit të TV Klan, në konferencën për shtyp, ku Presidenti Obama u shpreh se jemi krenar për reformat dhe arritjet e Shqipërisë dhe se ajo ka bërë reformat ë jashtëzakonshme, të suksesshme. Pra, dita e sotme ishte vlerësimi më i madh, besimi më i thellë tek reformat që Shqipëria ka ndërmarrë dhe ka realizuar. Në këtë kontekst, të jeni të sigurt se jashtë meritës, ky proces nuk mund të ecte deri në arritjen e kësaj dite.
Sikundër, pa mbështetjen e madhe të qeverisë së SHBA dhe qeverive të vendeve të tjera, natyrisht kjo do të ishte e pamundur.
Pyetje: Ky proces që është përmbyllur në datën 1 prill dhe u certifikua sot, është një proces që ju do ta konsideronit si një meritë tuajën, apo ka rol edhe opozita e sotme, e cila e ka ndjekur këtë gjatë 8 viteve që ka qenë në pushtet?
Kryeministri Berisha: Anëtarësimi në NATO është rezultat i një përpjekjeje të madhe shqiptare gjatë këtyre viteve dhe nuk mund të mohohet kontributi i mëparshëm, sidomos me Kartën Adriatik 3, nuk mund të mohohet çdo kontribut i dhënë. Por një gjë është e sigurt, pa rrëzimin e murit të korrupsionit, pa rrëzimin e murit të krimit të organizuar, pa reformat e tjera serioze të kësaj qeverie, anëtarësimi në NATO do të mbetej një horizont. Pra, rëndësi përcaktuese, krahas mbështetjes që qeverisë së SHBA, ka pasur suksesi i reformave të kësaj qeverisjeje, serioziteti i madh i dëshmuar në këto reforma.
Pyetje: Zoti Berisha, me anëtarësimin në NATO mund të themi se do të jemi të sigurt, por nuk mund të themi se do të jemi më mirë ekonomikisht, më të mbështetur dhe me një jetë më të mirë.
Kryeministri Berisha: Absolutisht mund të thuhet, sepse anëtarësimi në NATO përbën një imazh të ri të këtij vendi, përbën një pasaportë të re për këtë vend, përbën një garanci dhe një besim të ri të investitorëve të huaj te Shqipëria. Imagjinoni pak vite më parë, ku çdo investitorë në çdo anë të botës, kur shihte hartën, shihte Shqipërinë si një vend me siguri të caktuar por përreth me konflikte, ai e kishte të vështirë të vendoste për të investuar në këtë vend. Ndërsa sot, ai shikon në hartë se Shqipëria ka burimet e saj, ndërkohë që është edhe anëtare e NATO-s. Pra, anëtarësimi në NATO është pasaporta më e sigurt për investitorët e huaj.
Pyetje: Sot Shqipëria ka zhvilluar mbledhjen e saj të parë si pjesëtare e Aleancës së Atlantikut. Cilat kanë qenë ato tema që ju kanë interesuar konkretisht gjatë këtij samiti?
Kryeministri Berisha: Mendoj se gjëja që më interesoi më shumë se çdo gjë tjetër ishte hapja e samitit me Shqipërinë dhe Kroacinë dhe përshëndetja nga Presidenti amerikan Obama, si para nisjes për tek Ura e lumit Rin, ashtu edhe këtu, në dorëzimin që i bëri kopjes së Traktatit të Uashingtonit, urimet që ai i bëri në fjalimin e tij, por edhe në fjalimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe në tërësi, të gjithë udhëheqësit e tjerë të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, për Shqipërinë dhe Kroacinë.
Së dyti, ky ishte një samit i suksesshëm. Thelbi i samitit ishte në radhë të parë festimi i 60 vjetorit të tij dhe në radhë të dytë ishte zgjerimi me Shqipërinë dhe Kroacinë.
Gjithashtu, ishte strategjia e re e Presidentit Obama për Afganistanin, që ishte dhe tema qendrore e diskutimit. Në këtë kontekst, mund të them se ekspozeja që bëri Presidenti Obama pati impaktin më pozitiv tek aleatët për mënyrën e re të përballjes së problemit të Afganistanit nga Presidenti Obama. Strategjia e re për Afganistanin gjeti një mirëkuptim të gjerë, një gatishmëri të vërtetë nga të gjithë udhëheqësit që diskutuan për ta mbështetur atë.
Së fundi, samiti ishte një sukses i madh sepse, pasi përfundon mandati i z. Sheffer, i cili do të mbetet në historinë e shqiptarëve si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i periudhës së anëtarësimit të Shqipërisë në të dhe që ka vendosur që të mos kërkojë një mandat të dytë, NATO do të ketë një Sekretar të ri të Përgjithshëm, Kryeministrin e Danimarkës, një nga njerëzit më të suksesshëm në qeverisjen e një vendi, Kryeministrin Rassmusen.
Pyetje: Lidhur me Sekretarin e ri të Përgjithshëm, deri sot pasdite kishte një veto të Turqisë, për të mos e lejuar Rassmusen të bëhej Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për arsye që lidheshin kryesisht me çështjen e karikaturave të profetit Muhamed dhe ato reagime që ato ngjallën në botën myslimane. Kishte shumë pjesëmarrës, komentatorë dhe analistë të NATO-s, që pyesnin nëse Shqipëria, me shumicë myslimane, pati ndonjë moment që mund të mendohej të votonte kundër ose të bllokonte zgjedhjen?
Kryeministri Berisha: Përkundrazi. Ne e kemi pritur me kënaqësi shumë të madhe kandidaturën e Kryeministrit Rassmusen, të cilin unë e njoh dhe që i kemi garantuar mbështetjen e plotë. E vërteta është se mediat ndërkombëtare vërshuan të më pyesnin se çfarë qëndrimi do të mbajë Shqipëria. Shqipëria kishte një qëndrim shumë të qartë dhe jam i bindur se çështja e karikaturave nuk kishte asnjë lidhje me qeverinë daneze, pasi natyrisht ato u bënë nga një karikaturist danez. Por, qeveria daneze ka qenë e detyruar të respektojë lirinë e shprehjes dhe të mendimit.
Sikundër, nuk di të ketë pasur ndonjë veto turke, mbase edhe e ekzagjerojnë mediat. Mund të them se që në mëngjes, në bisedimet që kam pasur me udhëheqës të NATO-s, lidhur me këtë çështje, nuk konceptova se kishte veto, por ishin disa problem në diskutim e sipër, të cilat mendoj se me dialog me autoritetet turke, u zgjidh.
Pyetje: Ju keni takuar sot Kryeministrin spanjoll Zapatero. Cili ka qenë qëllimi i takimit?
Kryeministri Berisha: Unë pata një takim shumë miqësor. Ky ishte një takimi i kërkuar nga unë, pasi unë i konsideroj shumë të rëndësishme marrëdhëniet e Shqipërisë me Spanjën dhe se Spanja është një vend kryesor i BE, që gjashtëmujorin e parë të vitit që vjen merr edhe presidencën e radhës së BE-së. Gjithashtu, është me interes të veçantë edhe nxitja e investimeve spanjolle në vendin tonë. Pra, ishin një kompleks faktorësh për të cilin unë kërkova takimin. Në këtë takim, unë parashtrova gjithë pikëpamjet e mia për Kosovën dhe rolin e saj si faktor paqeje dhe stabiliteti. Kryeministri Zapatero parashtroi pikëpamjet e tij që i përmbahen ligjit ndërkombëtar. Në këtë koncept, nuk është se pati një zhvillim të ri, por u ndamë duke u zotuar se do të vazhdojmë dialogun.
Pyetje: A kishte takime të tjera frytdhënëse, krahas takimeve përshëndetëse?
Kryeministri Berisha: Në të vërtetë, sot më shumë se çdo gjë tjetër, ka qenë ditë përshëndetjesh, sepse sot unë mora urime nga Presidenti Obama, nga zoti Gordon Braun, nga Kancelarja Merkel, Presidenti Sarkozy, Kryeministri Berluskoni, Kryeministri Karamanlis dhe pothuaj nga të gjithë të pranishmit. Kështu që, sot në takimet e shumta që pata, kryesorja ishte urimi për anëtarësimin.
Pyetje: Zoti Berisha, a ka pasur një thyerje apo një çarje në delegacionin shqiptar. A ka pasur një qëndrim disi të ftohtë mes jush dhe Presidentit. Kap parasysh edhe faktin që mediat kanë theksuar edhe faktin që ju dje nuk keni marrë pjesë në koncertin në Baden Baden?
Kryeministri Berisha: Absolutisht nuk ka pasur as edhe një çarje. Unë mendoj se qëndrimet tona kanë qenë shumë korrekte dhe nuk ka pasur asnjë lloj thyerje. Unë kisha një arsye personale për mos shkuarjen në koncert dhe kjo ishte gjithçka. Njeriu mund të ketë një arsye. Unë e kisha ftesën e Kancelares Merkel, të cilën pata rastin edhe ta falënderoj shume dhe ta takoj me shumë përzemërsi edhe në sallën e të ftuarve, në anën tjetër të lumit Rin.
Pyetje: Gjithashtu, është komentuar fakti që Ju dhe Presidenti keni zhvilluar konferenca shtypi të veçanta.
Kryeministri Berisha: Kjo më duket normale, sepse pushtetet janë të ndara. Unë mund t’ju them se nuk ka pasur asnjë projekt për konferencë të përbashkët shtypi.
Pyetje: Duket se prej 10 vitesh, Shqipëria vazhdon të ketë një dualizëm midis presidentit dhe kryeministrit që marrin pjesë në samite të përbashkëta, nisur që nga samiti i Sarajevës në 1999, por edhe në vazhdim?
Kryeministri Berisha; Ka një konstatim të tillë, por është i pranueshëm. Kjo në tërësi në vendet perëndimore nuk ndodh. Por, edhe nëse ndodh tek ne, unë gjykoj që nuk ka asnjë problem. Ky është një stad që këto vende do të kalojnë derisa të stabilizohen dhe të kuptohen plotësisht. Problemet ekzekutive janë probleme të Kryeministrit, por a është edhe Presidenti që përfaqëson? Po. Në këtë kontekst, akoma janë 3-4 vende që vazhdojnë këtë lloj tradite. Mund të them se kjo nuk përbën një thyerje protokolli, sepse nëse do të kishte thyerje protokolli, kjo nuk pranohej.
Pyetje: Zoti Berisha: jashtë këtij konteksti, a janë të ftohta dhe të tensionuara marrëdhëniet tuaja me Presidentin?
Kryeministri Berisha; Nuk mendoj se është kjo ditë e madhe për të më pyetur për këtë gjë. Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie institucionale, pa diskutim.
Pyetje: Si do të ndikojë anëtarësimi në NATO në hapat e mëtejshëm të integrimit në BE?
Kryeministri Berisha: Absolutisht do të ketë një ndikim shumë pozitiv. Nuk mund të them se janë direkt të lidhura, por indirekt janë të lidhura me mijëra fije. Sigurisht, anëtarësimi në BE kërkon konsolidimin e një seri kriteresh, standardesh të domosdoshme, por fakti që Shqipëria ka përfunduara tërësisht ratifikimin e MSA-së, fakti që me të gjitha vendet anëtare Shqipëria ka një raport pozitiv, fakti që Shqipëria merr pjesë në të gjitha misionet e BE-së, në Bosnje, Çad, e kudo dhe fakti që Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s, të gjitha këto janë zhvillime ndër më pozitivet që e bëjnë atë të përzgjedhshme për vazhdimin e procesit të integrimit europian.
Pyetje: A do të insistoni për ta paraqitur kërkesën për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, përpara zgjedhjeve?
Kryeministri Berisha: Çdo gjë ne e bëjmë në një proces negociimi. Unë dua t’i garantoj shqiptarët se në të gjitha takimet me bashkëbiseduesit e mi, gjej mirëkuptim dhe mbështetje të plotë për konceptin që procesi i integrimit është një proces i pandalshëm dhe që Shqipëria ka plotësuar të gjitha standardet. Lidhur me hapat, shpejtësinë apo ngadalësimin pak, ndërhyjnë një seri faktorësh. Por ky është një proces i pandalshëm. Natyrisht nuk e lidh me zgjedhjet këtë gjë. Ajo që unë pranoj, pa ekuivokë, që lidhet me zgjedhjet, është fakti që zgjedhjet duhet të jenë një dëshmi e qartë e qeverisë shqiptare, e politikës shqiptare, e qytetarëve shqiptarë, për standardin e tyre. Unë jap garanci të plotë dhe totale për zgjedhje të këtyre standardeve dhe unë vazhdoj të ftoj të gjitha vendet vëzhguese. Unë nuk shoh asnjë arsye që të ketë zgjedhje jo të mira, përkundrazi, shoh të gjitha arsyet që këto të jenë zgjedhjet më të mira që shqiptarët kanë bërë ndonjëherë në historinë e tyre.
Pyetje: Mesa duket, nesër është parashikuar një festë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Mund të na thoni e përse dhe si është organizuar?
Kryeministri Berisha: Mendoj se shqiptarët duhet të festojnë nesër më shumë se kurrë, sepse ata vet, pavarësisht sa dekada kanë kaluar në diktaturë, fëmijët e tyre që kanë lindur në liri, fëmijët e fëmijëve të tyre, sot e tutje janë qytetarë të një vendi anëtar të Aleancës më të fuqishme të kohërave. Mendoj se vendi i tyre, sot e tutje, nuk është ai që ishte deri dje, mendoj se kjo përbën një garanci maksimale për atë që shqiptarët kanë vuajtur më shumë në tërë historinë e tyre, lirinë dhe vlerat e saj.
Pyetje: Si President i Republikës, në maj të vitit 1992, ju keni shprehur dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Pas 17 vjetësh, a e kishit menduar kështu momentin e parë kur e keni paraqitur këtë kërkesë dhe sa mendoni se Shqipëria ka qenë e aftë ta kalojë shpejt këtë kohë?.
Kryeministri Berisha: Kur unë i kam paraqitur kërkesën Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, mikut të madh e të shquar që nuk ndodhet më, Venerit, sigurisht kam qenë i vetëdijshëm se sa larg ishte Shqipëria me standardet e NATO-s. Edhe ai e dinte po kaq mirë këtë gjë. Por ajo që kishte shumë rëndësi, ishte kënaqësia dhe gëzimi që ai ndjeu për kërkesën që i paraqisje përfaqësuesi i vendit me propagandën më të egër anti NATO. Kështu që, ai ishte një hap politik dhe nuk përbënte nisjen e një procesi. Por, qeveria e SHBA dhe Presidenti Klinton, pak më vonë shpalli programin e Partneritetit për Paqe, program i cili kishte një synim; armiqtë e djeshëm të bëheshin miq dhe aleatë në NATO, program i cili kishte synimin të na përgatiste ne në këtë proces anëtarësimi. Për ta përmbyllur, unë jam njeri që presistoj në parimet që besoj. Kam kënaqësi shumë të madhe që sot këtë ëndërr e shoh realitet.
Pyetje: Një pyetje disi jashtë samitit zoti Kryeministër, sot pothuajse të gjitha mediat thoshnin se star-ët e vërtetë të samitit të NATO-s nuk ishin as dy mikpritësit, zonja Merkel dhe Presidenti Sarkozy, as Presidenti Obama, as Shqipëria dhe Kroacia që u ulën për herë të parë në karrigen e NATO-s, por ishin zonja Carla Bruni dhe znj. Mishel Obama. A e vutë re ju një gjë të tillë?
Kryeministri Berisha: Që ato zonja janë 2 first lady nga më përfaqësueset e kësaj kohe, kjo është një e vërtetë e madhe, ndërsa që ato ishin star-ët e samitit, ky është një vlerësim jashtë samitit, për audiencën jashtë samitit. Por samiti kishte Presidentin Barack Obama si super star-in e tij, i cili pati një pritje të shkëlqyer dhe fjala e të cilit pati një impakt shumë të madh pozitiv nga e gjithë audience.
Gazetari: Ju falënderoj zoti kryeministër që ishit me ne dhe urime për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Kryeministri Berisha: Edhe unë shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj ju, të falënderoj me mirënjohjen më të thellë të dy mikpritësit, organizatorët e këtij samiti, Presidentin Sarkozy dhe Kancelaren Angela Merkel, të falënderoj Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Presidentin Obama për vëmendjen dhe përshëndetjet e ngrohta, por edhe fjalët shumë të mira që tha, si në fjalën e tij në samit, ashtu edhe në konferencën për shtyp, për Shqipërinë, arritjet dhe reformat e saj.
* * *
Intervistë e Kryeministrit Berisha dhënë për TVSH
“Emocionet e kësaj ditë janë më të mëdha se çdo ditë tjetër, për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Dita e sotme është dita më e madhe në tërë historinë tonë kombëtare që pas pavarësisë së vendit. Ne si komb, më shumë se çdo gjë tjetër, kemi vuajtur për të qenë të lirë dhe për të pasur lirinë tonë të sigurt. Ne jemi rropatur në përpjekje të mëdha për liri dhe dinjitet. Jemi rrëzuar dhe jemi ngritur, me dhjetëra në mos qindra herë, në udhëtimin tonë, por kemi mbetur gjithnjë në kufijtë e mbijetesës. Sot e tutje, ne nuk ecim më të vetmuar. Sot e tutje ne, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, kanë liri të sigurt, pra kanë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri siç i kanë ndërtuar kombet e zhvilluara.
Por, sot e tutje Shqipëria është një vend me një pasaportë të re, me një imazh të ri, është vend me një prestigj të ri dhe qytetarët e saj janë qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Besimi ndaj Shqipërisë, sot e tutje është krejt tjetër. Ata që shihnin hartën e Ballkanit, në një rajon konfliktual, e konsideronin Shqipërinë dhe mbarë rajonin të pasigurt. Ndërsa një vend anëtar i NATO-s ka siguritë më të mëdha për investitorët, për turistët dhe vizitorët. Pra, përbën një kapitull të ri edhe në procesin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, Ju keni marrë pjesë në vendimmarrjen e parë si vend anëtar i NATO-s që është zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Si u ndjetë dhe me gjithë atë debat që u zhvillua, pati ndonjë hezitim Shqipëria për mbështetjen e kësaj kandidature?
Kryeministri Berisha: Shqipëria e ka mbështetur plotësisht, edhe para se të vij këtu, edhe dje në mediat botërore kandidaturën e Kryeministrit të Danimarkës Rasmussen, i cili është një nga personalitetet më të suksesshme. Në këtë kontekst, edhe në takimet e mëngjesit para se të niseshim për të kaluar urën e Evropës, që ishte një nga momentet më emocionuese, sepse po bënim rrugën së bashku me udhëheqësit më të fuqishëm të botës, edhe në atë sallë ku po qëndronim u diskutua kjo temë, por përshtypja ime ishte se nuk kishim të bënim me një veto nga ana e autoriteteve turke.. Pra, klima ishte pozitive dhe pritej që edhe disa hezitime të zhdukeshin dhe të ndodhte ajo që ndodhi. Mund të them se bërja e NATO-s me Sekretar të ri të Përgjithshëm, pasi Jaap de Hoop Scheffer përfundoi mandatin dhe nuk donte që të kandidonte për së dyti, duke mbetur për jetë i shënuar në historinë e kombit si Sekretari i Përgjithshëm gjatë periudhës së të cilit Shqipëria u anëtarësua në NATO, përbën që sukses të madh për aleancën.
Por, dua të theksoj se Samiti, në qoftë se kishte tre ngjarje kryesore, njëra ishte 60-vjetori. NATO vinte më e madhe, më e fuqishme dhe më madhështore se kurrë, por edhe vetë Samiti ishte shumë i suksesshëm. Ishte shumë i suksesshëm sepse, së pari, u anëtarësua Shqipëria dhe Kroacia, së dyti temë qendrore e Samiti ishte Strategjia e re e Presidentit Obama për Afganistanin. Presidenti Obama gjeti një mbështetje të plotë dhe një mirëkuptim të madh nga të gjithë aleatët dhe udhëheqësit e vendeve anëtare për këtë strategji. Mendoj se, pas këtij Samiti, problemi i parë, që është stabiliteti në Afganistan, do të ketë një përballje të re dhe të gjithanshme. Së treti, ishte zgjedhje e suksesshme e Sekretar të ri të Përgjithshëm të NATO-s, i cili e merr detyrën në korrikun që vjen.
Pyetje: Zoti Kryeministër, a ju vjen keq që edhe këtë vit nuk u arrit të bashkohej klasa politike në Shqipëri. Festimet kanë nisur që sot në Tiranë, ndërkohë festime do të ketë edhe nesër?
Kryeministri Berisha: Unë përgëzoj të gjithë ata që festojnë sot dhe i ftoj të festojmë nesër së bashku. E gjithë Shqipëria po feston dhe do të festojë, sepse ka një rast të tillë shumë të madh. Ndoshta nuk do të kenë ndonjëherë ndonjë festë më të madhe se kjo. Ne sot shohim realitetin. Një ëndërr, e cila mund të them se para 17 vjetësh, në maj të vitit 1992, kur unë i jam drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të asaj kohe me kërkesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO-s, ishte një simbol, një shprehje e një qëllimi politik. Por atë që s’kam për ta harruar kurrë është qëndrimi miqësor, dashamirës dhe ai gëzim që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ndjeu për kërkesën time, ndonëse e dinte që Shqipëria ishte vite e vite larg standardeve të NATO-s. Por, ai mori vullnetin dhe ua tha gazetarëve se Presidenti i Shqipërisë më kërkoi që të anëtarësohet në NATO. Sot ky projekt është bërë realitet për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Është një ditë vërtet madhështore.
04/04/2009