E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Zonjës së Parë, Teuta Topi në mbrëmjen e bamirësisë “Nënë Tereza, Shenja Shenjtërie” kushtuar 5 vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës.

18 tetor 2008

E nderuar znj. Topalli,
E nderuar znj. Berisha,
Të dashur miq,

Me shumë kënaqësi e dëshirë prita ftesën tuaj për të marrë pjesë në këtë veprimtari, e cila organizohet me përkujdesje e qëllim bamirësie. Për mbrëmje të tilla kemi nevojë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, mund të japim kontribut për zbutjen e fatkeqësive dhe për lehtësimin e peshës së rëndë të një pjese të shoqërise sonë.

Duke u kujtuar për këta njerëz, njëherazi kujtojmë arkitekten e dashurisë ndaj të varfërve, të Lumen Nënë Tereza, “Nënën e popujve” Bijën e shquar të Kombit Shqiptar.
Dëshiroj të falenderoj organizatorët dhe kontribuesit e këtij evenimenti, që gjetën këtë mënyrë për të përkujtuar Nënë Terezën në përvjetorin e saj të 5-të të Lumturimit. Kjo është një mbrëmje dashurie, ku artistët dhe arti i tyre, janë pranë njeriut më të dashur për Nënë Terezën, njeriut që vuan.
Nënë Tereza u përket vlerave universale të njerëzimit, por njëkohësisht është simbol i shpirtit dhe qytetarisë shqiptare. Ajo i dha mëshirës pushtet, duke predikuar dashurinë dhe vllazërimin ndërmjet njerëzve dhe popujve, sepse ajo ishte e bindur dhe vepronte brenda bindjes se paqja arrihet me vepra dashurie.

Nënë Tereza është emblemë e spikatur e botës shqiptare, e qytetërimit shqiptar. Një komb që nxjerr një Shenjtore si ajo, ka një vend nderi në qytetërimin e botës.

Humanizmi dhe vepra e Nënë Terezës janë gjithmonë shembull bashkëjetese për sot e për të ardhmen. Ato na nxisin të gjejmë mirëkuptim brenda vetes, harmoni, tolerancë, qetësi e prosperitet.

Ajo jo vetëm iu qëndroi pranë miliona njerëzve në botë, duke i ndihmuar të marrin frymë më lirshëm, por iu zbuti shpirtin qindra miliona të tjerëve duke trokitur pa pushim në ndërgjegjen e tyre me fjalët: “... bëj diçka për nevojtarët...”.

Jam e bindur se dhe organizimi i kësaj mbrëmje është një produkt i trokitjes së mesazhit të Nënë Terezës në ndërgjegjen e organizatorëve.

Më shumë së kurrë, shoqëria shqiptare ka nevojë ta përsërisë këtë mesazh, sepse mes nesh ka shumë nevojtarë, që e presin këtë mesazh si veprim. E presin të moshuarit e braktisur, e presin fëmijët jetimë, e presin të sëmurët pa përkrahje, e presin shpresë humburit e shumë të tjerë.

Nënë Tereza për të vazhduar veprën e saj të bamirësisë, ngriti një strukturë misionare që funksionon në të gjithë botën dhe misioni i saj punon me përkushtim edhe në Shqipëri, duke marrë në përkujdesje pjesën më të përjashtuar të shoqërisë sonë, të moshuarit, jetimët, vajzat dhe gratë e dhunuara. Motrat e Nënë Terezës në Shqipëri nuk duhet t’i lëmë vetëm, por të jemi pranë tyre. Në këtë mënyrë ne plotësojmë amanetin që Nëna e Madhe i la botës: kujdesin për të vobektit.
Kapitali më i madh dhe i vetëm që kishte Nënë Tereza, ishte dashuria. “...Ajo s’është kurrë me tepricë...” thoshte Ajo. “...por sa më shumë të kemi, aq më mirë jeton njerëzimi në tokë, ndërsa kapitali dhe pasuria nuk garantojnë përfundimisht një jetë të lumtur...”. Ndaj në këtë këndvështrim çdo kush nga ne, ka mundësi që të transformojë pak kapital në pasurinë më të madhe që është dashuria për tjetrin. Në këtë mënyrë askush nuk ka humbur, por përkundrazi ka fituar një jetë më të qetë e të begatë.

Një personalitet që sapo kaloi pranë nesh, një mik i madh i Nënë Terezës, Frati i dëshmive historike, At Zef Pllumi, na la këtë përkufizim: “Ajo nuk pati kurrë kapitale as pushtet shtetëror, kje vetëm shpirti i dashtnis për jetën, për njeriun, për Zotin që e bani të madhe para njerëzve të këtij shekulli”.

E vlerësoj dhe njëherë këtë aktivitet në përvjetorin e Lumturimit të Nënë Terezës, duke ndjekur rrugën e saj, pra duke vepruar konkretisht jo thjesht duke folur.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›