Përshkallëzohet gjuha politike. Rama, Berishës: Ik sa nuk është vonë!

Protesta e opozitës ka stabilizuar ritualin e vet të artikulimit politik. Pa mohuar se vetë akti në fjalë është mesazhi më shprehës i kundërshtimit ndaj qeverisë së Sali Berishës, duhet shtuar se sfondi i rënduar i të ngujuarve po u jep një ton të ri komunikimeve publike. “Ik sa nuk është vonë, sepse nuk mund të mbash peng shpirtin e një populli të tërë”, ka deklaruar dje nga çadrat e stacionuara para Kryeministrisë deputetja Enkeljeda Shamku. Me një ton të rënduar, por të vendosur, ajo ka përcjellë ndoshta spontanisht atë përkufizim që e jep më mirë se çdo fjalë e thënë deri më tani raportin që pushteti ka ndërtuar me qytetarët apo të paktën me opozitën. I izoluar, paradoksalisht pas argumenteve ligjore, pushteti aktual po vendoset gradualisht para një sfide morale që buron nga sakrifica njerëzore e 200 qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë drejtësinë sipas tyre të mohuar në 28 qershor. Kronika e nisur në 30 prill të paktën po bën të kuptueshme vendosmërinë e opozitës në këtë aksion radikal. Ai po zhvlerëson edhe heshtjen e pritshme të qeverisë dhe Kryeministrit, që sipas gjasave është zgjedhur si instrument amortizues ndaj reagimit të rrugës. Apeli publik për zgjidhjen e situatës është përforcuar dje me një gjuhë edhe më të fortë, teksa përfaqësues të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj nuk kanë munguar që të flasin edhe “për fundin e shpejtë të Sali Berishës”. “Kush shpreson se kjo është një betejë me fjalë, po e sheh se çdo orë që kalon kjo është një betejë me vepra. Kush kujton se këto vepra që janë individuale brenda një vepre të madhe të përbashkët, jo vetëm se i ka hipur këtij kali mbrapsht, por thjesht po përshpejton rënien e vet nga kali”, deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama. Ai ka përfshirë në mesazhet e veta politike edhe një rrëfim për rrugën e pluralizmit shqiptar, që sot sipas tij përjeton atë sfidë që përjetonte Shqipëria që po rrëzonte diktaturën. Përmes rrëfimit të momenteve personale edhe të disa grevistëve të urisë, Rama u është përgjigjur edhe sulmeve verbale të konsumuara dje nga deputetët të Partisë Demokratike. I akuzuar se ka urdhëruar futjen në grevë të njerëzve, kryetari i selisë rozë ka nënvizuar në përgjigjen e tij karakterin individual të vendimmarrjes së këtij akti. Ilustrimin për këtë e ka dhënë edhe deputeti socialist, Namik Dokle, që ka deklaruar gatishmërinë për të hyrë ne grevën e urisë, në mënyrë që të arrihet “zgjidhja përfundimtare”. Përpara njerëzve të grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë folur edhe deputetët të tjerë dhe drejtues të partive aleate, që janë bërë tashmë pjesë e një proteste që në çdo rrethanë shënjon ekzistencën e një krize, qoftë kjo edhe krizë besimi.
#