Rekomandohet shkarkimi i një prokurori
Kryeprokurorja Ina Rama ka marrë në dorë propozimin e Këshillit të Prokurorisë për të shkarkuar përfaqësuesin e organit të akuzës në Durrës, Dritan Gipshi. Ky i fundit u gjet me veprime abuzive gjatë një inspektimi, ku janë konstatuar shkelje të rënda hetimore të dosjeve penale. Mbledhja e fundit e këshillit ka vendosur me votat e shumicës që të propozojnë shkarkimin e këtij prokurori, ndërsa “barra” e vendimmarrjes i takon numrit një të akuzës në Shqipëri. Disa muaj më parë, akuza qendrore zhvilloi një inspektim në Prokurorinë e Durrësit, ku u gjetën shkelje të rënda. Një raport i detajuar iu servir kryeprokurores Ina Rama. Sipas raportit të grupit të inspektimit, u vu re se prokurorët e thjeshtë “akuzonin” titullarët për influencime në vendime. Kontrolli i Drejtorisë së Inspektimit në akuzën qendrore ka zbuluar se për 70 për qind të dosjeve nuk ka pasur konsensus midis prokurorit të çështjes dhe titullarëve. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, prokurorët e thjeshtë janë ankuar se vendimmarrjet realizoheshin nga titullarët. Nisur nga këto të dhëna dhe ankesa, në Prokurorinë e Durrësit është ushtruar një kontroll, i cili ka zgjatur një muaj. “Në përfundim të kontrollit janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj prokurorie”, do të deklaronte akuza qendrore, ndërsa shkarkoi nga detyra drejtuesin Arjan Ndoja, duke e emëruar si prokuror të thjeshtë. “Këto shkelje rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i kësaj prokurorie”, thuhej në një deklaratë të akuzës qendrore. Ndërkohë, në një komunikim të mëparshëm ishte mësuar se prokurori i rrethit të Durrësit kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Për masë disiplinore kanë shkuar edhe disa prokurorë të tjerë, të cilët kanë marrë vërejtje dhe masë për largim nga puna prej Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme. I fundit që ka shkuar për masë ka qenë prokurori Dritan Gipshi, për të cilin këshilli votoi shkarkimin.
#