E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vakitë e 2010’s

Nga Driton Berisha më 31 dhjetor 2010 në ora 09:47

Rrahje, pakënaqësi, gëzime, zhgënjime, emërime, shkarkime, e ngjarje të tjera të mira dhe të këqija kanë shënuar vitin 2010 në sportin kosovar. Të renditura prej A deri në ZH, këto janë shenjat e një viti të pasur dhe të çuditshëm.

A është për...
Arben Muqollin, hendbollistin e njohur kosovar, i cili në muajin tetor u arrestua nga policia maqedonase. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë pati bërë të ditur se ky arrestim ishte bërë me kërkesë të Interpolit zviceran.

B është për...
Bekim Haxhiu, nënkryetari e Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili vendosi të merret me politikë. Ai ka kandiduar për deputet të parlamenti të Kosovës me Partinë Demokratike të Kosovës dhe ka arritur që ta sigurojë një ulëse.

C është për...
Certifikimin e 19 trajnerëve kosovarë me Licenca A të UEFA’s. Ata për dy javë rresht janë trajnuar nga ekspertë të Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF) si dhe disa trajnerë italianë.

Ç është pë...
Çatinë e Pallatit të Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, i cili edhe në vitin që po e lëmë pas, ka vazhduar të pikojë, kur mbi vendin tonë ka pasur të reshura shiu. Si rezultat i kësaj ishin ndërprerë disa ndeshje, derisa ekipet prishtinase ishin detyruar qe ndeshjet t’i zhvillojnë në ndonjë palestër tjetër.

D është për...
Dështimin e Federatave sportive kosovare, të cilat as në vitin 2010 nuk arritën të anëtarësohen në asociacionet ndërkombëtare.

DH është për...
Dhuratat e simpatizuesve prishtinas Plisat, të cilët edhe këtë vit shpërndanë dhurata për fëmijët e varfër dhe bonjakë.

E është për...
Erolld Belegun, i cili nuk arriti të fitojë mandatin e dytë për ta drejtuar Federatën e Basketbollit të Kosovës. Ai u mposht nga Fatmir Gashi, i cili për katër vitet e ardhshme do të drejtojë basketbollin kosovar.

Ë është për...
Ëndrrat e futbollistëve dhe basketbollistëve kosovarë për pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare mbetën vetëm ëndrra.

F është për...
Fushë-Kosovën, klubin e futbollit i cili u përjashtua nga Liga e Parë e Kosovës, pasi ishte vërtetuar se kishte kurdisur ndeshen kundër Ulpianës. Kjo ishte hera e parë në futbollin kosovar që një skuadër ndëshkohet për kurdisje të rezultateve.

G është për...
Gani Sejdiun, i cili dha dorëheqje nga drejtimi i Trepçës, me të cilën fitoi titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës. Pas disa rezultateve jo të mira këtë sezon, trajneri mitrovicas vendoi të largohet nga drejtimi i klubit xehetar.

Gj është për...
Gjakun e futbollistëve të Prishtinës, të cilët u sulmuan nga shikuesit gjakovarë në ndeshjen e ndërprerë ndërmjet Vëllaznimit dhe Prishtinës. Në këtë përballje u sulmuan edhe gjyqtarët.

H është për...
Hendbollin kosovar, i cili këtë vit zhgënjeu në arenën ndërkombëtare. Klubet kosovare u eliminuan në raundin e parë, përveç Prishtinës në konkurrencën e femrave, me rezultate të thella.

I është për...
Isuf Lumin, ish-sekretarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), i cili më 1 prill të vitit 2010, papritmas ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare. I ndjeri ka qenë edhe ish-kryetar i FBK’së, vitet ‘90.

J është për...
Jeton Nixhën, ish-trajnerin e Bashkimit, i cili në vitin 2010 nuk drejtoi asnjë skuadër të Superligës së Kosovës në Basketboll.

K është për...
Kushtrim Nebihun, futbollistin e Trepçës, i cili në ndeshjen kundër Lirisë në Prizren humbi syrin e majtë, pasi u godit me gurë nga tifozët prizrenas. Ai fatmirësisht pas një intervenimi kirurgjik në Turqi, ka shpëtuar syrin tjetër (të djathtin), derisa i është rikthyer edhe fushës së gjelbër.

L është për...
Ligjin për sportin, i cili ende nuk është miratuar.

Ll është për...
Lloqin, i cili ishte i pranishëm me bollëk edhe këtë vit nëpër stadiumet e futbollit kosovar.

M është për...
Miomir Dashiqin, ish-nënkryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, i cili ndërroi jetë para disa muajve. I ndjeri ishte edhe kryetari i klubit basketbollsitik nga veriu i Mitrovicës, Bambi.

N është për...
Nuredin Ibishin, i cili pas disa viteve dha dorëheqje nga Drejtoria e Superligës, e cila deri më tani ka mbetur pa drejtor.

Nj është për...
Njohjen e kartonëve të futbollistëve kosovarë që transferohen jashtë vendit. Kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës u aprovua gjatë vitit 2010 nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA).

O është për...
Ora për sportin kosovar ende nuk ka ardhur. Sportistët mbeten të izoluar.

P është për...
Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, e cila gjatë vitit 2010 ka zhvilluar dy ndeshje miqësore ndërkombëtare. Takimin e parë kosovarët barazuan 3:3 përballë klubit suedez Halmstads, derisa takimin e dytë triumfuan përballë ekipit zviceran, Neuchatel Xamax 2:0.

Q është për...
Qebapat, që mbeten ushqimi më i preferuar për sportistët e Kosovës.

R është për...
Rita Zeqiri, notaren kosovare e cila në vitin 2010 ka marrë pjesë në rreth dhjetë turne ndërkombëtare. Ajo ka shkëlqyer në këto gara derisa ka arritur që Kosovës t’i sjellë disa medalje.

Rr është për...
Rrogat e futbollistëve. Përpos që janë të vogla, ato u vonohen sportistëve deri në 4 muaj.

S është për...
Stadiumet e futbollit në Kosovës, të cilat vazhdojnë të jenë në gjendje të mjera. Fushat e shumicës së stadiumeve nuk janë të përshtatshme për lojë, kurse në mot të ligë aty lloçi arrin deri në gju.

Sh është për...
Shukri Paçaradën, ish-portierin e njohur kosovar, i cili u largua nga përfaqësuesja e Kosovës për një kohë shumë të shkurtë, pasi ishte i pakënaqur me punën në reprezentacionin kosovar.

T është për...
Trepçën, e cila pas 17 vjet pritjeje arriti të shpallet kampioni i Kosovës. Përveç titullit, klubi mitrovicas ka arritur të solistet edhe me Superkupën e Kosovës.

Th është për...
Thyerjen e trofeut të kupës së Kosovës në basketboll nga tifozët mitrovicas. Kjo ngjare kishte ndodhur në Mitrovicë, kur po luhej finalja ndërmjet dy rivalëve të vjetër Trepçës dhe Sigal Prishtinës.

U është për...
Urën e Shenjtë. Për dallim nga vitet e kaluara, kur mbaheshin rregullisht garat, vitin që e lamë pas ato nuk u mbajtën për shkak të problemeve të ndryshme, sidomos financiare.

V është për...
Valon Begollin, ish-basketbollistin e talentuar të skuadrës së Pejës, i cili pas një sëmundjeje të rëndë, nga e cila vuante prej një kohe të gjatë, më 1 janar të vitit 2010 ndërroi jetë.

X është për...
Xehetarët, dy rivalët e qytetit të Mitrovicës, Trepçën ’89 dhe Trepçën. Zyrtarët e kësaj të fundit kanë kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës që t’ia ndërrojë emrin Trepçës ’89, por kjo kërkesë u hodh poshtë.

Xh është për...
Xhudisten kosovare, Majlinda Kelmendi. Edhe në vitin 2010 ajo arriti të shkëlqejë në gara të ndryshme ndërkombëtare, derisa u stolis edhe me disa medalje.

Y është për...
Yll Kaçanikun, basketbollistin e njohur kosovar, i cili la basketbollin turk për të luajtur një gjysmë sezoni me fituesin e titullit dhe Kupës së Kosovës, Sigal Prishtina.

Z është për...
Zyrtarët e Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), të cilëve kërkesa për ndërkombëtarizim iu refuzua brenda gjysmë ore nga Asociacioni i Boksit Amator Ndërkombëtar (AIBA).

Zh është për..
Zhveshtoret e klubeve kosovare, të cilat vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›