Tadiç kërkon ndihmë

Presidenti serb Boris Tadiç ka vendosur t’u kërkojë ndihmë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të përkrahin iniciativën serbe për të kërkuar vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës. Në një letër dërguar këtyre shteteve, Tadiç shprehet se Serbia do të propozojë miratimin e një projektrezolute në sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në këtë draft kërkohet vlerësimi këshillimor i organit më të lartë të drejtësisë në OKB, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi faktin nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës nga institucionet vetëqeverisëse shqiptare është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. “Në emër të Republikës së Serbisë, bëj apel për mbështetjen e vendit tuaj që ta përfshijnë këtë çështje në axhendën e sesionit të ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme. Ju kërkoju gjithashtu mbështetje në votimin që do t’i bëhet projektrezolutës në asamble”, - shprehet Tadiç në letrën dërguar të gjithë vendeve anëtare të OKB-së, pjesë e së cilës u publikua dje nga agjencia serbe e lajmeve “B92”. Sipas kreut serb të shtetit, vlerësimi i paanshëm i gjykatës do të kontribuojë në lehtësimin e tensioneve të krijuara për shkak të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe do të parandalojë zhvillime të pafavorshme në rajon, duke lehtësuar në këtë mënyrë një marrëveshje mes palëve të përfshira në këtë çështje. Tadiç thekson në letër, se në këndvështrimin e Serbisë shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës përbën një shkelje të Kartës së OKB-së dhe dokumenteve të tjera kyçe të sistemit ligjor ndërkombëtar dhe bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila thotë se të gjithë vendet anëtare janë të detyruar të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Kjo e fundit shpreson se me marrjen një vlerësimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në favor të saj, mund të rikthejë sërish çështjen e statusit të Kosovës në tryezën e bisedimeve. Por liderët e Kosovës ashtu si shumë përfaqësues ndërkombëtarë, kanë theksuar disa herë se një gjë e tillë është e pamundur, pasi statusi i Kosovës është zgjidhur tashmë dhe se shqiptarët e serbët mund të bisedojnë vetëm për sa u përket çështjeve teknike. Por, gjithsesi, çfarëdolloj vendimi që të merret, iniciativa e Serbisë për të kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do të ketë thjesht peshë morale dhe jo vlerë ligjore. Ekspertë ndërkombëtarë kanë deklaruar se ky vendim nuk mund të ndryshojë situatën dhe faktin se Kosova tashmë është njohur nga shumë vende si një shtet i pavarur dhe sovran. Ata argumentojnë se edhe sikur Serbia të fitojë mbështetjen nga numri i duhur i vendeve anëtare të OKB-së, edhe sikur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të mbajë anën e Serbisë, vendimi i saj nuk është ligjërisht detyrues dhe nuk mund të obligojë shtetet që e kanë njohur Kosovën të ndryshojnë vendimet e tyre.