E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Personat e dhunuar”, ligji shkon në Kushtetuese

Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, që njihet ndryshe edhe si ligji për mbrojtjen e personave të dhunuar, përfundon në Gjykatën Kushtetuese. Shkak është bërë pikërisht përplasja e tij me një ligj më të rëndësishëm siç është Kodi Penal, i cili miratohet me një shumicë të cilësuar votash. Problematika që ka sjellë këtë hap në Kushtetuese është vënë re nga zbatimi i tij nga organet e përkatëse shtetërore. Ligji në fjalë parashikon masën e ekzekutimit vullnetar të vendimeve të gjykatës nga personat dhunues, për të mos iu afruar më personit që ka mbetur viktimë e dhunës. Një parashikim ky që bie ndesh me Kodin Penal, i cili këtë masë e përcakton si detyruese dhe jo thjesht vullnetare. “Gjykata ka pasur një rast konkret për gjykim, sepse ka dalë një urdhër mbrojtje dhe ky urdhër nuk është ekzekutuar vullnetarisht nga një i pandehur dhe prokuroria ka ngritur një akuzë, për moszbatimin vullnetarisht të një vendimi gjyqësor. Kodi Penal nuk parashikon ekzekutim vullnetar të këtyre detyrime, por një ekzekutim të detyrueshëm” - thotë Idajet Beqiri, avokat i çështjes që është bërë dhe shkak për këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që për veprat që dhunojnë gratë e fëmijët në Kuvendin e Shqipërisë qëndron i depozituar një projektligj i paraqitur nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, sipas të cilit kërkohet të përjashtohen nga e drejta e faljes të gjithë personat që e kryejnë këtë vepër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›