Paketa e ndryshimeve kushtetuese të PS-së, Presidenti në plan të parë
Nisja e sezonit të ri politik në shtator pritet t’i vërë dy partitë kryesore politike në një debat real për ndryshimet kushtetuese. Partia Socialiste si iniciatore e këtyre ndryshimeve do t’i paraqesë në muajin shtator palës demokrate një paketë konkrete me propozime për të ndryshuar ligjin themelor të shtetit, ku duket se mënyra e zgjedhjes së Presidentit do të jetë dhe nyja gordiane. Megjithëse socialistët janë duke punuar ende për këtë paketë edhe duke angazhuar ekspertë të njohur të drejtësisë, tashmë në vija të përgjithshme ata kanë bërë të ditura synimet e tyre lidhur me këtë reformë kushtetuese, realizimi i së cilës është vendosur si kusht për të vijuar më pas me reformën zgjedhore dhe të gjitha reformat e tjera në kuadër të procesit integrues dhe që kanë të bëjnë kryesisht me miratimin e atyre ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash.
Reforma Kushtetuese
Paketa për ndryshimet kushtetuese ka në themel atë që opozita e cilëson si garantimin e parimit më të rëndësishëm kushtetues, balancimin dhe ndarjen e pushteteve. Pika e parë nga e cila derivojnë edhe ndryshimet e tjera është pikërisht ajo që kërkon të rivendosë shumicën e cilësuar me 3/5-at në zgjedhjen e kryetarit të shtetit në Kuvend. Ose më saktë, për të ndryshuar nenin 87 të Kushtetutës, në pikën 3 të tij, ku aktualisht sanksionohet pikërisht mundësia për të zgjedhur kreun e shtetit në raundin e katërt dhe të pestë me një shumicë të cilësuar votash. Sipas socialistëve, ky përcaktim kushtetues i vendosur në ligjin themeltar të shtetit në vitin 2008 edhe me konsensusin e tyre nuk garanton një president konsensual dhe që të garantojë unitetin dhe balancimin e pushteteve në vend. Ndaj PS vlerëson që para se vendi të hyjë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri vitin e ardhshëm, duhet më parë të vendoset në Kushtetutë përcaktimi i hequr në vitin 2008, për ta zgjedhur atë me 3/5 e votave.
Kjo për PS-në merr një rëndësi të veçantë, jo thjesht për vet postin e kreut të shtetit, i cili për ta duhet të jetë konsensual, por më shumë përbën një nevojë për kontrollin e pushteteve të tjera, të cilat zgjidhen me propozim të ekzekutivit, por me pëlqimin e Presidentit. Këtu socialistët logjikojnë se zgjedhja e Presidentit nëpërmjet konsensusit do të jepte garanci edhe për të gjitha institucionet e tjera, si prokurori, SHISH, KLD, të cilat ose zgjidhen me pëlqimin e Presidentit ose drejtohen prej vetë atij. Duke konsideruar se të gjitha institucionet e pavarura janë të zhbalancuara, zgjedhja me konsensus të detyruar e Presidentit, siç ka qenë në Kushtetutë para vitit 2008, do të garantojë, sipas socialistëve, që disa prej drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit të jenë produkt i konsensusit dhe jo i imponimit politik. Por për të shkuar te ky ndryshim i rëndësishëm socialistët janë gati që ta nisin këtë debat edhe me një çështje tjetër për të cilën ekziston një vullnet paraprak i palëve, siç është heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë për aktet e korrupsionit, e shoqëruar kjo me pezullimin nga të gjitha funksionet publike gjatë kohës së hetimit.
Reforma zgjedhore
Nuk përjashtohet mundësia që gjatë bisedimeve për ndryshimet kushtetuese të përfshihet edhe diskutimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Megjithëse deri më tani socialistët nuk kanë shfaqur ndonjë qëndrim të qartë për këtë pikë, eksponentë kryesorë të saj e kanë vlerësuar sistemin aktual si të pafavorshëm për PS-në, pasi në një numër qarqesh favorizohet PD-ja. Madje ata kanë argumentuar se një sistem i tillë nuk bën të mundur që PS-ja edhe pse dy herë radhazi forca më e votuar në vend, të jetë një forcë qeverisëse. Ndaj nuk përjashtohet mundësia që Kushtetuta të ndryshohet edhe në nenin 64 të saj, ku flitet për sistemin zgjedhor.