LSI: “Kërkesa e PS për ndërhyrje në Kushtetutë, e motivuar nga interesat personale të Edi Ramës”

Ndryshimet Kushtetuese të propozuara nga Partia Socialiste janë të motivuara nga interesat personale të Edi Ramës, pas disfatës së tij në zgjedhjet e 8 majit. Kështu e konsideron sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ofertën më të fundit të ardhur nga selia rozë, për ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit. Sipas tij, ish kreu i bashkisë së Tiranës duhet të merrte përgjegjësinë e humbjes dhe me anë të dorëheqjes të rikthente standardet demokratike në Partinë Socialiste.
“Kur pa që, e gjithë ajo çfarë bëri i mbeti si një tullumbace në dorë, është rikthyer sërish te e njëjta temë. Për një politikan të përgjegjshëm, për një kryetar partie, më e pakta që mund të bënte, do të ishte të jepte dorëheqjen. Nuk mund të ndryshohet kushtetuta sipas orekseve personale dhe ambicieve personale për pushtet të Edi Ramës. Ajo çfarë duhet të bëjë PS, është të nxjerrë përgjegjësinë e gjithçkaje që përbën tashmë negativitetin e të gjithë qëndrimeve politike të Partisë Socialiste. Të rregullojë vetveten, të rikthejë standardet demokratike brenda hapësirave të veta dhe pastaj të ketë të drejtën që të kërkojë edhe partneritet dhe bashkëpunim për sfidat e mëdha. Në thelb, e gjitha kjo është një hipokrizi e pacak”, u shpreh Luan Rama.
Ndaj nisur nga kjo qasje, zyrtari i LSI-së thotë se kryesocialisti i zënë nga paniku i të qenit në opozitë po kërkon të kapet fort pas pushtetit që mund t’i sjellë froni kryeministror, me ndryshimet e reja kushtetuese. Por ai i kujton kreut të PS-së se LSI është e gatshme të bashkëpunojë me selinë rozë, jo për t’u bërë pjesë e shkeljeve kushtetuese, por vetëm për prioritetet që qëndrojnë në krye të axhendës politike, siç është reforma zgjedhore, e kërkuar me forcë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Partinë Socialiste që nesër, për reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore është prioriteti i prioritete për axhendën e reformave të vendit, reforma zgjedhore është edhe çështja më sensitive, për të cilën edhe partnerët ndërkombëtarë janë të angazhuar dhe na kanë tërhequr vëmendjen për të bashkëpunuar në realizimin e saj. Nëse vërtetë PS do bashkëpunim, le të vijë dhe ta demonstrojë këtë bashkëpunim, si hap të parë për reformën zgjedhore. I dëshpëruar dhe në panikun e humbjes, ai është gati të prishë dhe të sakrifikojë gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që ai vetë të jetë i lidhur pas një zyre pushteti, pasi, pas 13 vjetësh në pushtet një njeri që s’ka qenë asnjëherë në opozitë, nuk mund ta kuptojë që rregullat e lojës në demokraci do të thotë që, të jesh edhe në opozitë dhe të punosh në opozitë”, thotë Luan Rama.
Debati i ndryshimeve kushtetuese vjen në një kohë kur kryetari i Partisë Socialiste u shfaq i penduar për ndërhyrjet e bërë në ligjin themeltar të shtetit, në natën e 21 prillit 2008. Ndërkaq, selia blu ka shprehur tashmë qëndrimin e saj refuzues ndaj kërkesës së socialistëve.
Mazhoranca është treguar e unifikuar ndaj tentativave të Partisë Socialiste, për kthimin e Kushtetutës në vatër konflikti politik, ashtu siç konsumohej barbarisht 3 vjet më parë. Edhe aleati i saj më i ngushtë në qeverisje Lëvizja Socialiste për Integrim, ka kundërshtuar fort kërkesën e kreu të socialistëve, për një tjetër ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit, pas asaj të 21 prillit 2008-të, të cilën LSI e kontestoi fuqishëm. Ndryshimet e fundit në kushtetutë u realizuan në prill të vitit 2008, me konsensusin e dy partive të mëdha. Në atë kohë ndër të tjera u ndryshua mënyra e zgjedhjes së presidentit, duke u sanksionuar votimi me shumicë të thjeshtë. Tre vjet më pas Edi Rama i cilësoi ndryshimet një gabim, dhe në kuadrin e kursit të ri politik të opozitës tha se do të ndërmerret një nismë e re për të ndërhyrë sërish në librin themeltar të shtetit, por ende nuk ka një dokument të shkruar. Megjithatë, pritet me interes, lëvizja e radhës e Edi Ramës, i cili po përgatit një draft kërkesash sikur edhe ka paralajmëruar për ndryshimet e kushtetutës, për të kushtëzuar kështu dhënien e konsensusit në reforma, të cilat mbeten një kusht vendimtar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, brenda këtij viti.