Topi firmos lënien e shtetësisë për 147 shqiptarë
Shqipëria ka shtuar popullsinë e saj për vitin 2011 me 108 shtetas të rinj, të cilëve kreu i shtetit u ka firmosur dekretin e marrjes së shtetësisë shqiptare. Një shifër kjo gati dyfish më e lartë sesa ajo e shënuar vitin e shkuar, ku për gjatë gjithë vitit 2010 shtetësinë shqiptare e morën vetëm 76 persona. Përkundër rritjes së numrit të shtetasve që kanë marrë shtetësinë shqiptare, numri i shtetasve që e kanë lënë atë nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh. Kështu, gjatë 7 muajve të parë të muajit 2011 kreu i shtetit, Bamir Topi, u ka firmosur dekretin e lënies së shtetësisë për plot 147 persona, të cilët kanë preferuar të marrin një shtetësi të huaj. Shifër kjo që tregon thuajse të njëjtin trend ashtu si në vitin 2010. Një vit më parë ishin 262 persona që hoqën dorë nga pasaporta shqiptare, për të marrë atë të një vendi të huaj. Në listën e personave që kanë përfituar marrjen e shtetësisë shqiptare në vitin 2011 rezulton edhe trajneri i kombëtares në basketboll për meshkuj, neo-zelandezi Mark Dikel dhe mundësi kosovar Egzon Shala. Natyrisht vitet e fundit është rritur numri i shtetasve kosovarë që kërkojnë të marrin shtetësinë shqiptare. Madje për të eliminuar këtë procedurë të stërzgjatur dhe krejt formale “Aleanca Kuq e Zi” në qershor të këtij viti ndërmori një nismë të pagëzuar me emrin “Një Komb një Pasaportë”. Sipas kësaj nisme, “Aleanca Kuq e Zi” kërkon njohjen e shtetësisë shqiptare të të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, Serbi apo në diasporë.