E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perspektiva letrare

Gazeta Shqip

ARS POETICA

(Një vështrim tjetër i poezisë shqipe)

Dr. GAZMEND KRASNIQI

ars poetica dranja-martin-camaj gazmend krasniqi madame bovary

Nëse ngremë pyetjen se Çfarë bën një poet pranë një fushe në shi, plot pellgje, një mendim i parë, një mendim që kemi për poezinë tradicionaliste, na thotë se shkruan për melankolinë, kohën që ikën, miqësinë a dashurinë e humbur, për jetën e luleve a fatin e tyre, e gjëra të tjera si këto.

Si sinkron i kësaj që përmendëm, në vitin 1957, para një fushe të tillë, Kadareja i ri shkruan: Një ditë në fushë shëtisnim,/ Dhe ja, te ky pellg mu në fund/ Të qeshur të dy ne u pamë/ Në ujët që era lëkund.// Tani erdha prap tek udha/ Bredh tutje me mallin në gji! Por pellgu është tharë… siç duket,/ Që veten mos shoh në vetmi. Vetëm tre vjet më vonë, pra në vitin 1960, duke parë piketat që ngulin punëtorët në fushë, Ismail Kadareja (i cili vjen pas studimeve në Moskë) ka vegimin e një qyteti të ardhshëm industrial dhe shkruan një poemë (Ëndërr industriale) ku gjejmë përvijimin e ndërtesave vigane, zhurmën shurdhuese të makinave, fabrikat që derdhin çelik dhe oxhaqet që vjedhin tym kuq e zi. Pra, vargje si këto: Metali do të derdhet/ metali i parë/ Shqipëria do të japë metal të saj,/ çelik të gjallë./ …………../ avujt kuq e zi/ dhe flamujt kuq e zi./ Ky qytet i shqiptarëve/ për shqiptarët.// Dhe sdo të mbajë ai emra të bujshëm,/ Qyteti i diellit/ Qyteti i parajsës/ Qyteti i lumturisë,/ Ky do të quhet thjesht/ Qyteti i ri industrial/ i RP të Shqipërisë.

Në një poemë tjetër, po ky poet e sheh Republikën me syze të zeza mbi fise oksidrike, me shtylla tensioni të lartë që përshkojnë vendin ngado (Shënime për brezin tim). Citojmë: E shoh Republikën/ në mëngjese industriale/ me kombinezonin proletar veshur./ Republikën time/ qakoma mban qeleshe. Patetika dhe romantika e së ardhmes do të shkruante kritika zyrtare e kohës për këtë lloj krijimtarie, edhe në botimet akademike dhe universitare, duke harruar se metoda krijuese pra realizmi socialist duhet të kuptonte diçka tjetër që lidhet me termat e emërtimit realizëm dhe socialist. Kjo mënyrë krijuese që po natyralizohej në letërsinë shqipe, sigurisht që ishte jashtë frymës së saj të deriatëhershme. Ajo po sillej nga disa poetë të rinj që studiuan në vendet e Lindjes komuniste, apo të demokracive popullore, siç quheshin atëherë. Dimë se, edhe pse gjeti rezistencë te krijuesit dhe kritikët tradicionalistë të kohës në mesin e të cilëve, në të vërtetë, mungonin talentet e spikatura, pasi nuk kanë lënë ndonjë shenjë kjo letërsi mori bekimin e udhëheqjes politike të vendit, me anë të sloganit: Afirmohuni me vargun tuaj, por duke marrë kështu, automatikisht, vulën e një krijimtarie të funksionit.

Nuk mund të mohohet se modeli i asaj krijimtarie qe letërsia sovjetike, më saktë Majakovski, poeti me devizën e famshme: Govorit partija, padrazumevajem Lenin./ Govorit Lenin, padrazumevajem partija. (Kur themi partia, nënkuptojmë Lenini./ Kur themi Lenini, nënkuptojmë partia.)

Kritiku sovjetik David Samoilov ka shkruar shumë herët, që në parathënien e vëllimit Lirika të Ismail Kadaresë të botuar në BS, se ndikim të fuqishëm te Kadare ka ushtruar njohja me letërsinë e Majakovskit. Por nuk mund të harrojmë se Majakovski, ky poet me ndikim të madh në letërsinë e angazhuar botërore, kishte formimin e një futuristi, madje të një lideri të kësaj rryme poetike ruse e europiane. Ai mbetet shembulli i madh i simbiozës së një letërsie me deviza ekstravagante si Shkatërrimi i sintaksës, Shuplakë shijes së publikut, E kaluara është shumë e ngushtë, Flakini Pushkinin, Dostojevskin, Tolstorin etj., etj., jashtë Anijes së Modernitetit me një letërsi të funksionit, duke u vënë në shërbim të një ideologjie a partie politike të caktuar. Se cilat qenë bazat e këtij futurizmi, na e thotë Marineti, me të cilin Majakovski ka qenë shumë i afërt në ide, përveç ndonjë parimi mbi luftën (të cilën Marineti e quante higjiena e vetme e botës) si dhe talentit që ndjek ndjeshmërinë e vet, kur shkruan: Futurizmi bazohet në rinovimin e plotë të ndjeshmërinë njerëzore. Ata njerëz që përdorin sot telegrafin, telefonin, gramafonin, trenin, biçikletën, motoçikletën, automobilin, transoqeanikun, zepelinin, aeroplanin, kinemanë, gazetën e madhe (përmbledhja e një dite të jetës së botës) nuk e kuptojnë se këto mjete të ndryshme komunikimi, transporti dhe informacioni kanë një ndikim vendimtar mbi psikikën e tyre.

Thyerja e vrullshme dhe e zhurmshme me të shkuarën, shtrimi për zgjidhje i problemit të domosdoshmërisë së gjetjes së formave të reja shprehëse ku spikat futja e një leksiku të paparë ndonjëherë trajtohet sot si vlera më kulmore e këtij drejtimi letraro-artistik. Letërsia e angazhuar i shfrytëzoi ide si këto për të modifikuar idetë e veta mbi letërsinë e funksionit, përfshirë këtu edhe Majakovskin. Në Shqipëri, ku ky poet u mor si pikë reference, sidomos nga Ismail Kadare, ndodhi e njëjta gjë me të quajturën Letërsia e Realizmit Socialist, edhe atëherë kur ajo pati vlerat e saj më të larta artistike.

Sot, meqë nga pikëpamja përmbajtësore (me të cilën mburrej aq shumë kritika e kohës, shoqëruar aq shpesh edhe me qëndrime naiviste…), kjo metodë letrare ka rënë bashkë me kohën që përfaqësonte, sfidat e një historie letrare përballë saj do të ishin të një natyre tjetër.

Veçojmë dy prej tyre: a) ligjërimi; b) leksiku (diksioni).

Nga pikëpamja e ligjërimit, te këto poema epiko-lirike, apo monologë lirikë shohim:

a.    Kontribute më të spikatura, kemi një varg tonik, i cili ngrihet mbi sintaksën e të folurit të zakonshëm, që në letërsinë tonë e pat futur Migjeni. Poeti e zhvesh vargun prej muzikalitetit që rrjedh nga ruajtja strikte e sasisë së theksave dhe të rrokjeve duke u përpjekur të sigurojë më shumë një numër të caktuar theksash në çdo varg.

b.    Nga pikëpamja e historisë letrare, një tjetër veçori mbetet qëndrimi ndaj rimave. Rimat janë: Të sakta të guxojë/ xixëllojë vini/ bini; Të pasakta vjetër/ vjet maleve/ madhe; Të përafërta rrëmujës/ rrokopujë valëve/ stërkalave.

c.    Hiperbolat dhe antitezat mbeten figurat dominante. Ato mund të përdoren edhe njëherësh, si në rastin kur plakut të thinjur – që zbret për të vrarë bijën që e koriti, sepse la të fejuarin dhe u bë metalurge do ti thonë ndal furrat martin, me ulërima sirenash dhe mijëra sy shkëndijash e avujsh të tmerrshëm.

Nga pikëpamja e leksikut, kemi një qark që zgjerohet vazhdimisht:

1.    Në poema hyjnë fjalët e rëndomta si gavetë, pension etj.

2.    Hyjnë kompozitat si vargje – binare etj.

Mund të shihet që, përmes ndikimit të Majakovskit, të kenë depërtuar edhe elemente të poetikës futuriste, të cilat përmblidhen te konceptet: antitradicionalizmi; antiakademizmi; antisentimental

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›