E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtohet për fyerje

Jetlira Gashi është përjashtuar nga shkolla e mesme teknike “Anton Çetta” në Skenderaj. Profesoresha Besa Haxhiu thotë se është fyer rëndë nga ajo. Vetë Jetlira e mohon këtë. Por, vendimi i drejtorisë së shkollës për përjashtim të 16 vjeçares është përkrahur edhe nga Asambleja Komunale. Familja e ish-nxënëses paralajmëron ankesa Nga Nexhmije Ahmeti më 01 prill 2011 në ora 08:34

Shkolla e mesme teknike “Anton Çeta” në Skenderaj nga dita e mërkurë ka një nxënës më pak. Dyert e kësaj shkolle janë mbyllur përfundimisht për Jetlira Gashin. Kjo 16 vjeçare nga Skenderaj është suspenduar me vendim të drejtorisë së shkollës, vendim që u mbështet madje edhe nga deputetët e Asamblesë Komunale.

Jo fort larg ndërtesës së komunës është shtëpia ku jeton kjo vajzë. Jetlira Gashi, të enjten, posa ishte kthyer nga shkolla, në të cilën vazhdon të shkojë, pavarësisht se emri i saj është shlyer nga ditari i paraleles tetë të klasës së njëmbëdhjetë.
Pavarësisht vendimit të fundit, Jetlira thotë se do të vazhdojë të shkojë në shkollë. Ajo mendon se i është bërë e padrejtë kur drejtoria e shkollës mori vendimin për përjashtim e saj.

Problemi i nxënëses ka nisur me kujdestaren Besa Haxhiu. Jetlira rrëfen për Express se profesoresha Haxhiu gjithnjë e ka pasur në sy për të keq, për mungesa, e sidomos për stilin e veshjes së saj. E veshja e Jetlirës nuk dallon aspak nga ajo e djemve të klasës së saj. “Sa herë ka ardhur në klasë, ma ka thirr prindin dhe e lodhur nga kjo, një ditë u nervozova edhe i thashë ‘nëse do, ta bie babën me nejt gjithë këtu”, citon ajo fjalët e veta që ia ka thënë profesoreshës.

Kjo fjali si duket e ka nervozuar profesoreshën tej mase, e cila duket se këtë veprim të nxënëses e ka marrë si fyerje morale. Kështu së paku beson Jetlira. Por, nxënësja tregon se profesoresha e ka keqkuptuar atë çka ajo i ka thënë, sepse ajo mendon se kjo shprehje nuk ka pasur të bëjë asgjë me moralin. Në fakt fyerja morale duket të jetë arsyeja përse profesoresha Haxhiu e ka çuar këtë çështje deri në drejtori.

“Ia kam shpjeguar asaj edhe drejtorit se nuk ka qenë qëllimi në atë që ajo ka menduar, por nuk ma kanë marrë parasysh as kërkimfaljen”, tregon Jetlira për Express.

Kjo vajzë pretendon se profesoresha Haxhiu e ka pas inat atë dhe dy djemtë e axhës së saj, që janë në të njëjtën klasë me të. “Gjithë na ka thënë ‘ju gashët nuk vyeni kurxho”, kujton Jetlira fjalët e profesoreshës. Kushëriri i Jetlirës, Berat Gashi, që është në të njëjtën klasë, mendon se vajza e axhës së tij nuk ka bërë ndonjë problem aq të madh sa të përjashtohet nga shkolla.

“Plot nxënës tjerë kanë bërë probleme edhe më të mëdha dhe kurrkush s’i ka përjashtuar”, tregon Berati për Express. Por, pavarësisht kësaj, familja Gashi thotë se do t’i përdorë të gjitha mundësitë që Jetlira të kthehet në shkollë.

Motra më e madhe, Besarta thotë për Express se familja do të trokasë në të gjitha dyert e institucioneve për ta çuar drejtësinë në vend. “Ne nuk po e mbrojmë motrën se nuk ka ba ndonjë faj, por nuk besoj që ka bë diçka që të përjashtohet nga shkolla”, thotë Besarta. Krejt ky problem ka nisur në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa Jetlira është përjashtuar nga shkolla më 1 dhjetor. Si arsye për përjashtim janë përmendur mungesat dhe sjellja e pahijshme me kujdestaren e saj.

Por, Jetlira mohon të ketë pasur shumë mungesa. Deri kur ka ndodhur incidenti me kujdestaren, thotë se i ka pasur 18 mungesa, ndërsa këto tjerat i janë bërë pasi është përjashtuar, edhe pse ajo merrte pjesë në mësim, mirëpo mësimdhënësit e kanë injoruar duke mos mbajtur orën kur ajo ishte aty. Por, krejtësisht tjetër shpjegim ka profesoresha. E ajo që u bë shkas që Jetlira të largohet nga shkolla nuk ka dashur shumë të komentojë problemet që ka pasur me nxënësen.

Profesoresha Besa Haxhiu, inxhiniere e elektroteknikës, nuk dëshiron shumë të flasë për sjelljet e ish nxënëses së saj, duke thënë se e ka të vështirë të tregojë fjalët që ia ka thënë Jetlira Gashi. Ky veprim i nxënëses e ka shtyrë atë që ta paraqesë rastin në drejtorinë e shkollës. “Unë nuk kam mundur të qëndroj në një klasë ku është ajo e as të mbaj mësim ku është ajo vajzë”, ka thënë shkurt profesoresha Haxhiu në një prononcim për televizionin Klan Kosova.

Por, Bekim Latifi, drejtor i shkollës “Anton Çeta”, thotë se Jetlira Gashi e ka fyer rëndë kujdestaren e saj duke e prekur në moral. “Nëse të duhet baba, ta bie për çdo ditë n’ daç në shtrat”, citon drejtori Latifi atë çka i ka raportuar profesoresha Besa Haxhiu t’i ketë thënë ish nxënësja Jetlira Gashi. Drejtori Latifi thotë për Express se menjëherë kanë iniciuar procedurën për përjashtimin e saj nga shkolla, një raport i cili i është dërguar Drejtorisë komunale të Arsimit për shqyrtim. Kjo drejtori ka dërguar në debat komunal çështjen e nxënëses në fjalë dhe Asambleja Komunale në njërën nga seancat e Kuvendit, saktësisht të mërkurën, nuk e ka përkrahur kthimin e saj në shkollë. Ata përveç kësaj nuk e kanë përkrahur as kërkesën që asaj t’i mundësohet provimi i klasës dhe pajtimi me kujdestaren dhe drejtorin e shkollës. E vetmja mundësi që komunarët kanë lënë për shkollimin e Jetlirës është transferimi i saj në një shkollë tjetër jashtë komunës së Skenderajt.

Por, familja Gashi nuk pajtohet që vajza e tyre të transferohet në ndonjë shkollë jashtë Skenderajt. Vetë Jetlira thotë se nuk dëshiron të shkojë diku tjetër. “Unë dua këtu në vendin tim të shkoj në shkollë”, thotë ajo. Jetlira Gashi dhe familja e saj do të kërkojnë drejtësi edhe në institucionet që merren me të drejtat e njeriut, te Avokati i Popullit dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Deri në një vendim tjetër, ajo do të vazhdojë të mbetet jashtë shkollës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›