E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej dritares së ngushtë

Fenomeni homoseksual na ka trembur, duke
harruar kulturën tonë që çdo njeri i cili merr frymë gëzon të drejtat e
frymëmarrjes së tij, gëzon angazhimin në jetën shoqërore apo në komunitetin ku
bën pjesë

Nga Rajmonda
Bulku
Nuk është problem i dyerve të mbyllura, të bisedave
kokë më kokë, apo pëshpërimave nëpër zë, kur bëhet fjalë mbi mbrojtjen e
homoseksualëve. Në një shoqëri ku mungon sensi qytetar i këtij debati, opinioni
duhet të jetë i hapur dhe të respektojë të drejtat e çdokujt, që pavarësisht
nga deviacionet natyrale, ka të drejtë të jetë i integruar në çdo veprimtari
shoqërore, pa asnjë lloj paragjykimi apo diskriminimi. Ligji kundër
diskriminimit është një ligj i rëndësishëm i vendeve të zhvilluara kudo në
botë. Ai rregullon të drejtat e çdo individi, që i përket një komuniteti të
caktuar njerëzish, pavarësisht nga prirjet e tyre.

Në historinë e popullit tonë, kanë pasur ekzistencën e tyre diskriminime si në
gjini, në ngjyrë, racë, moshë, bindje fetare, status familjar apo martesor,
status shëndetësor, gjendje të paaftësisë, etj., gjë që ka përbërë ngërçin për
krijimin e një shoqërie të hapur, ku përbashkësia e tyre të jetë drejt
zhvillimit modern.

Është koha që të thyejmë heshtjen tonë, është koha që të themi se janë të
papranueshme diskriminimet që cenojnë statusin e çdo njeriu për ta jetuar jetën
sikurse do të dëshironte, sepse askush sështë i ndarë nga të drejtat e çdo
njeriu

Në mediat e shkruara apo vizive, herë pas here jepen mendime të ndryshme rreth
mbrojtjes së homoseksualëve. Hapen debate të guximshme dhe mbyllen përsëri. Ka
njerëz që diskutojnë dhe japin mendime të vlefshme mbi miratimin e një ligji
për përkrahjen e tyre, sikurse ka njerëz të tjerë që nuk i pranojnë, apo
skeptikë që rrinë të heshtur në opinionet e tyre. Kategoritë janë të ndara dhe
ndonëse të pajtueshëm, të papajtueshëm apo skeptikë, prania e homoseksualëve është
prezente në hallka të jetës shoqërore ku kontributet e tyre intelektuale kanë
qenë dhe mbeten të çmuara.

Kemi lexuar, dëgjuar apo parë, se kudo në botë njerëz me prirje të tilla kanë
dhënë shumë në politikë, shkencë, filozofi, në art dhe kulturë, në sport e në
çdo veprimtari shoqërore. Askush nuk është diskriminuar, sepse në një shoqëri
ku emancipimi njerëzor ka bërë histori, duke thyer tabu, hamendësira, opinione
keqdashëse, komente të pavlera, i kanë pranuar pa njohur apo shprehur hezitim.
Jo vetëm kaq. Ata i gjen kudo, bëjnë jetën e tyre, jetojnë lidhjen mes tyre, pa
njohur cenim apo mosbarazim, qoftë në ambientet e punës, apo në jetët e tyre
private apo shoqërore. Ligji i marrëdhënieve mes tyre u ka dhënë garanci dhe
trajtim me një domethënie të madhe, që liria dhe të drejtat e njeriut nuk
njohin veçime, por vëmendje ligjore, çka domethënë: ekzistenca e çdo njeriu,
gëzon të njëjtën barazi sikurse tjetri.

Integrimi i tyre nuk ka përbërë lajm apo çudi, asgjë nga këto, përkundrazi
është folur mbi sukseset e tyre, mbi arritjet dhe vizionet që kanë shprehur dhe
që ia kanë arritur, me shumë modesti.

Sot më shumë se kurrë, çdokush duhet të mbrojë veten e tij, të japë diçka nga
vetja e tij, të jetë pjesë aktive në shoqëri, se vetëm kështu shoqëria ecën
përpara, në kërkim të standardeve të reja, duke respektuar të drejtat dhe jetën
e tjetrit, pa komentuar prirjet, apo tendencat jetësore që nuk janë në
përputhje me mendimin e tij. Përballja me veten tonë na bën më të arsyeshëm për
të respektuar më shumë të tjerët që janë disi ndryshe nga ne.
Miratimi i një ligji mbi njohjen e homoseksualëve ishte një domosdoshmëri se jo
vetëm i merr në mbrojtje, por më gjerë, i bën të ndihen si gjithë të tjerët, pa
pasur frikën e diskriminimit, të ndrojtjes, apo përballjen me njeriun cinik, të
paarsyeshëm, apo mosrespektues.

Është e vërtetë dhe duhet shprehur që njerëz me prirje të tilla i kemi parë me
syrin e keq, apo u kemi qëndruar larg, duke cenuar disi edukatën tonë qytetare.
Përse? Sepse fenomeni homoseksual na ka trembur, duke harruar kulturën tonë që
çdo njeri i cili merr frymë gëzon të drejtat e frymëmarrjes së tij, gëzon
angazhimin në jetën shoqërore apo në komunitetin ku bën pjesë. Nuk ka
alternativë, përveç marrjes në mbrojtje të lirive dhe prirjeve të tyre. E thënë
saktësisht, stop dhunës psikologjike ndaj tyre, se kjo gjë jo vetëm do u bënte
keq, por do të lëndonte çdokënd që do të ndihej i mënjanuar apo i përjashtuar
nga ambientet shoqërore, jo vetëm do të cenonte apo kufizonte lirinë, por do të
përndiqej keq apo do të shihej, si një njeri i ardhur nga një planet tjetër.

Sot nuk është koha e bisedave kokë për kokë, e mëdyshjeve për të dhënë një
opinion për njerëz me prirje ndryshe nga ne, as koha për ti parë nga një
dritare e ngushtë, as koha për të qëndruar indiferentë apo apatikë ndaj një
miratimi për mbrojtjen dhe përkrahjen e njerëzve me prirje ndryshe nga ne, por
erdhi koha që diktoi edhe në vendin tonë ligjërimin e prirjeve të tyre, si një
emancipim të madh të një shoqërie që kërkon të bashkojë hapat për standarde të
larta sociopsikologjike.

Vlerat njerëzore janë për këdo që e quan veten të vlefshëm për veten e tij, për
familjen e tij, për shoqërinë ku jep kontributin. Vetëm duke respektuar vlerat
njerëzore, duke i njohur dhe kultivuar këto vlera, kemi bërë një hap më shumë
drejt Europës, jemi ballafaquar më shumë me standardet europiane, jemi në derën
e hapur të saj, duke përkrahur edhe njerëz të tillë, që pavarësisht ligjeve të
natyrës, dinë po aq mirë tu përshtaten ligjeve të saj më së miri. Ne, duke reflektuar
në mbrojtje të tyre, mbi të gjitha u kemi dhënë garanci se jeta vazhdon dhe
dikton që ata janë mes nesh, me të gjitha të drejtat jetësore të tyre. 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›