Konsensusi tradicional i mosrinumërimit
Një konsensus i ri dhe ad-hoc për zgjidhjen “ekstra” të çështjes se kutive është i kondicionuar nga ai më jetëgjati, dakordimi tradicional që përbën substancën e legjislacionit zgjedhor. Frymëzimi kryesor në këtë dakordim, ka qenë oportuniteti në përmbushjen e interesit publik, që ka spostuar në plan të dytë e çështjeve të tjera të së drejtës së palëve pas mbylljes së zgjedhjeve. Ky inspirim jetik, interesave të palëve u ka njohur dominancën në një kornizë të kufizuar kohore të njohur nën kategorinë “periudha zgjedhore”, pas së cilës vetëm interesi publik do të ishte motiv investimi institucional. Ndryshimi i kësaj balance që parashihet në paketën kërkuese, nuk mund të bëhet njëanshmërisht, aq më tepër në terma prapaveprues dhe si moment konsensusi nga vetë natyra do të jetë vijim i të mëparshmit. Për këtë natyrë specifike, procesimi zgjidhës konsensual do të gjejë një boshllëk substance në problemin e shtruar, për shkak të veprimit me kundërthënie nga i njëjti instrument. Në veçanti, mungesa e vetive faktike të trajtueshme nga kjo zgjidhje, dhe e interesit publik në qëllimin e saj, do të përbënin pengesë serioze, pasi në çdo rast, anëtaret e Kuvendit nga ku kërkohet zgjidhja (konsensuale), do të motivojnë votën nga përgjigjja e arsyetuar se “kush është mira, kush është interesi publik në një investim të tillë”, dhe së dyti, nëse pranohet politikisht se ekziston një interes i tillë, “a kemi lënde për të trajtuar sipas kërkesës, pra nëse ndërtojmë mjetin procedural, a ka çfarë trajton ajo”. Këto mund të ngjajnë si dogmatike në një demonstrim fjalimesh apo në debate të lira mediatik, por kur zgjidhja të kërkohet në institucione rezultojnë elemente thelbësore. Siç u parashtrua, substanca konstante dhe historike e dakordimit në legjislacionin zgjedhor ka përcaktuar se me skadimin e periudhës zgjedhore, interesat elektorale të palëve shuhen, dhe më pas shkrihen në interes publik, pra i vetmi mjet kërkimi do të ishte ai që përmbush më mirë interesin publik. Çdo moment procedural do të fillojë nga ekzistenca e interesit publik në çështjen e kutive. Historikisht, për interesin e publikut, konsensusi ka pranuar investimin kryesisht të autoritetit shtetëror në periudhë zgjedhore, dhe vijimin e përmbushjes së tij për pjesët që nuk shuhen nëpërmjet kanaleve të së drejtës administrative dhe penale. Kjo frymë e plotësimit maksimal të interesit publik ka në bazë përkohshmërinë e problemeve dhe mosmarrëveshjeve elektorale, e shprehur në afate të posaçme, në regjime të posaçme dhe kategori të posaçme. Shuarja e komponentes zgjedhore pas mbylljes së periudhës zgjedhore, është një konstante në legjislacionin e stabilizuar zgjedhor (që nga 2001), pranuar me konsensus të plotë nga të dy palët, tregon se në veçanti edhe lënda zgjedhore shuhet pas këtij çasti juridik. Ky konsensus konstant shfaqet në veçanti në inspirimin e një dispozite të paprekur nga asnjë amendim dhe ribërje të kodit zgjedhor: djegien e fletëve të votimit pas shpalljes së rezultatit. Vetëdija politike ka vendosur se pas mbylljes së ankimeve zgjedhore, fletët e votimit nuk janë më vota, ato nuk përbëjnë më objekt të numërueshëm apo të rivlerësueshëm. Kjo zgjidhje që sot mund të kthehet çështje debati, është pranuar pandryshueshmërish nga të dy palët politike si më e mira në interes të publikut. Për këtë shkak, në kuptimin e legjislacionit zgjedhor sot në kutitë e votimit ka vetëm dokumentacion zgjedhor me fat juridik të përcaktuar nga ligji, destinacioni në arshivën e shtetit. Fletët e mbetura nga procesi zgjedhur nuk janë më vota, nuk kanë me vetinë e vlerësueshmërisë apo numërueshmërisë, ato janë shuar si të tilla pasi e kanë kryer qëllimin e ligjit. Vetëm pjesës dokumentare i garantohet integriteti me regjim sipas kodit zgjedhor, dhe sapo këto dokumente përcillen në mënyrën ligjore në destinacionin e përhershëm të sigurt (arshivë), kutive u rikthehet gjendje natyrale (jojuridike) materiale, pra ambalazh. Kjo dispozitë e paprekur, e marrë pa ndryshim nga kodi i vjetër, është konkludimi vulosës i dakordimit politik për përkohshmërinë absolute të defekteve zgjedhore. Ky nen as nuk është ankimuar, as nuk ka qenë subjekt amendimi apo riformulimi, domethënë është çmuar konsensualisht edhe në 2008, se kështu e përmbush më mirë interesin publik. Arsyeja inspiruese dhe kaq bindëse për faktorët politikë nuk ka qenë përgatitja e kutive për zgjedhjet e radhës, pasi në këtë rast kutitë zbrazen për pak ditë. Faktorët politikë ndoshta kanë çmuar se në këtë mënyrë të shuajnë polemikat postzgjedhore me karakter destabilizues, në “kurriz të transparencës” për shkak të brishtësisë së demokracisë, ose ndonjë arsye tjetër madhore e interesit publik mbipartiak. Por në çdo rast, kjo zgjidhje është dakorduar politikisht në nivel ligji të cilësuar, pra mbart dukshëm interesin publik mbipalësh, dhe është e tillë aktualisht në fuqi pa nevojë interpretimi. Një zgjidhje e re e mundshme nuk mund të mohojë këtë vijimësi. Kështu, mosekzistenca e një interesi të arsyeshëm publik në një investim rreth çështjes së kutive bashkëshoqëron pamundësinë juridike të ringjalljes së votave nga fletët me veti elektorale të shuara, që të mund t’u shqyrtohet rivlersueshmëria. Ky dakordim i qëndrueshëm politiko-ligjor, sanksionuar në një dispozitë të tillë rezistente nuk mund të vetëshuhet në asnjë trajektore të zgjidhjes së menduar, që kondicionon fillimin e zgjidhjes për shkak të mungesës juridike e problemit. Për pasojë zgjidhja e çështjes së kërkuar të kutive do të mund të kënaqej me amendimin e kodit zgjedhor sidomos në këtë pikë, dhe vënia në një regjim të ri në të ardhmen, pasi zgjedhjet e radhës përkatësisht ato lokale, tradicionalisht vuajnë më shumë nga defektet se ato parlamentare. Për më tej, për shkak të kornizës konsensuale nga ku do të mendohej një zgjidhje, çështja e mungesës së lëndës në vetvete rëndohet nga vakuumi i formës, mjetin konkludues, pasi kërkon në thelb që mazhoranca të kthehet në minorancë, në të gjitha etapat, pra në shtrim të çështjes, në kërkimet e mjeteve, në realizimin e tyre, dhe në dhënien e përfundimeve, pra në tërësinë e një çështjeje, që çon në absurditet dhe antidemokraci. Një rrugë e tillë procedurash përkon me shuarjen e vullnetit të mazhorancës dhe pra vetëshuarjen faktike të saj, pasi ajo ekziston si e tillë pikërisht si shprehje e vullnetit mazhoritar vendimmarrës, që mund të shfaqet në trajtën e thjeshtë të vendimmarrjeve klasike, dhe në trajtën e përforcuar në rastet e konsensusit. Në këtë mënyrë, një hetim parlamentar apo hartimi i një ligj i posaçëm që të konkludonin në zgjidhjen ashtu siç kërkohet, do të bllokoheshin pikërisht nga mungesa e lëndës dhe e formës për problemin e shtruar, mosarsyetimi i interesit publik, pra i shkakut motivues, si dhe nga pamundësia e kthimit të mazhorancës në minorancë në një proces me bartje themelore filozofike. Kjo nuk do të thotë se pretendimet e opozitës nuk kanë asnjë rrugë ligjore trajtimi, pasi kjo pikë boshe rezulton nga mënyra dhe natyra e kërkimit, prandaj hapja e rrugës së shtrimit legal të çështjes së kutive do të jetë përcaktuese për qëllimin sipas deklarimeve kërkuese. Së pari, shfrytëzim i rrugëve ligjore në sistemin administrativ dhe penal që në fakt përbejnë dhe rrugën më të sigurt, pasi interesi i palëve dhe ai publik është i garantuar në këtë rast, dhe për këtë sistem cilësitë e objekteve dhe kategorive nuk shuhen asnjëherë, pavarësisht se nuk janë elektorale. Për institucionalizimin dhe fillimin e zgjidhjes janë eficente rrugët që maksimalizojnë interesin e palëve, siç është aktiviteti i Kuvendit me mjetet e fuqishme që disponon, përfshi debatin e lirë, kërkimet e posaçme, investigimet në diskutimin e detajuar të raportimeve të institucioneve në muajt shkurt mars, përfshi raportin vjetor të KQZ-së. Diskutimi i këtij të fundit fillimisht në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në Kuvend janë hapësira mjaft efikase për formësimin të çështjes së zgjedhjeve pas rezultatit, pasi nuk vuan nga problemet e sipërcituara. Në këtë hapësirë opozita mund t’i prezantojë Parlamentit dhe të institucionalizojë jo vetëm faktet që disponon dhe mbështetet, por edhe pretendimet që kërkojnë fakte shtesë që duke u bashkuar konturojnë tani legalisht një problem me lëndë dhe formë funksionale. Duke menduar numrin e deputetëve opozitare dhe hapësirat që krijon Rregullorja e Kuvendit, diskutimi në këto raste do të përbënte de facto një hetim pararendës dhe faktmbledhës për jetësimin e një aktiviteti zgjidhës që duhet të konkludojë në amendimin në kohë dhe me debat të gjerë të kodit zgjedhor, si dhe do të frymëzojë një numër aktivitetesh plotësuese për transparencën dhe standardet evropiane të zgjedhjeve që nuk janë me një target orientues, por një realitet plotësisht i arritshëm për demokracinë tonë në këtë faze përfundimtare konsolidimi.