E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farsa gjyqësore

Nga
padrejtësia nuk buron e drejta - Ex iniuria ius non oritur

E drejta e bashkimit të personave në grupe
shoqërore, e drejta e shprehjes së lirë të bindjeve politike, e drejta e
shprehjes së revoltës me protestë të qetë dhe paqësore, janë të drejta fondamentale,
thelbësore, bazike të demokracive liberale perëndimore

Valon
Kurtishi*

Më 15 shkurt 2010 në sallën e Gjykatës së
Qarkut në Prishtinë do të fillojë seanca e radhës në procesin maratonik ndaj
liderit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti. Sipas informacioneve paneli i
gjykatësve do të jetë një përzierje e shqiptarëve të kosovarizuar vendorë dhe
evropianëve të ballkanizuar të EULEX-it, të cilët janë edhe shtytësit dhe
udhëheqësit e këtij procesi të çuditshëm gjyqësor.

Procesi ka të bëjë me demonstratat që
VETËVENDOSJE!-a i organizoi më 10 shkurt 2007 kundër planit të të dërguarit
special të OKB për statusin e Kosovës, finlandezit Marti Ahtisari, i cili
paraqiste bazën për pavarësinë  e
kushtëzuar dhe sovranitetin e cunguar që sot e gëzon shteti më i ri në botë,
Kosova multietnike.

Në këtë protestë paqësore u vranë dy
demonstrues dhe u lënduan rëndë mbi 80 të tjerë. Policia ndërkombëtare, më
konkretisht policët rumunë të angazhuar nga OKB, ishin përgjegjës të
drejtpërdrejtë për vrasjen e dy protestuesve të rinj, që u goditën nga disa
lloje municionesh, përdorimi i të cilëve është i ndaluar me Konventa
ndërkombëtare.

Një numër i helmeve të ndryshme paralizuese
dhe djegëse, gjithashtu të ndaluara me marrëveshje ndërkombëtare, u përdorën në
shkallë të gjerë nga policia ndërkombëtare. Policët që përdorën këta plumba
ishin pjesë e atij korpusi të ndërkombëtarëve që janë në Kosovë për ti mësuar
qytetarët vendorë se si zbatohen standardet ndërkombëtare.

Gjyqi është transferuar nga UNMIK-u tek
EULEX-i i cili nuk e ndjen veten përgjegjës për veprimet e policëve të OKB,
pasi vetë është një institucion që i përgjigjet Bashkimit Europian.

Pra, kështu arsyetohen ata të cilët nuk janë
të interesuar të nxjerrin të vërtetën në shesh, dhe të cilët, për të mbuluar
krimin e qartë të policisë ndërkombëtare, organizojnë procese të tilla të
montuara gjyqësore, që skanë asgjë të përbashkët me gjyqësinë e pavarur.

Në sallën e gjyqit duhet të sillen policët
rumunë dhe të akuzohen për vrasjen e dy të rinjve të pafajshëm, si dhe një
numër i madh i policëve e eprorëve të tyre nga vende të ndryshme të cilat i
kanë tejkaluar qartësisht kompetencat e tyre në përdorimin e çmendur të dhunës
ndaj demonstruesve shqiptarë. Këta duhej të ishin në bankat e të akuzuarve të
drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare bashkë.

Sa u takon akuzave kundër Albin Kurtit, ato
duket qartë se janë një montim i pastër dhe absurd për kohën në të cilën
jetojmë. Akuza e rrënon autoritetin e vetë Gjykatës dhe të Kurtit kur shprehet
për vepra kriminale të kryera në grup, për pjesëmarrje në grup, që ka penguar
personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare, apo për thirrje në rezistencë në
lidhje me ngjarjet shkurtit 2007.

Këto akuza do tu përshtateshin plotësisht
policëve ndërkombëtarë përgjegjës për eskalimin e situatës gjatë demonstrimit,
për vrasjen dy protestuesve në një protestë të qetë të një kryeqyteti evropian,
për masakrimin barbar të shumë të tjerëve si dhe për përdorimin në shkallë të
gjerë të një numri të substancave helmuese, prej të cilave një numër i madh i
aktivistëve vuajnë pasoja akoma sot e gjithë kohën.

Gjykata, siç duket, e konsideron organizimin e
demonstratave paqësore për të shprehur vullnetin politik, si një vepër
kriminale. As totalitarizmat më të egër nuk kanë vepruar në këtë mënyrë.

E drejta e bashkimit të personave në grupe
shoqërore, e drejta e shprehjes së lirë të bindjeve politike, e drejta e
shprehjes së revoltës me protestë të qetë dhe paqësore, janë të drejta fondamentale,
thelbësore, bazike të demokracive liberale perëndimore. Ato tashmë janë pjesë
përbërëse e korpusit të të drejtave dhe lirive të njeriut, nënshkruese të të
cilave janë të gjitha shtetet anëtare të OKB.

Me këtë bie poshtë me automatizëm pika e parë
në lidhje me veprimet kriminale të Albin Kurtit dhe aktivistëve të tjerë të
VETËVENDOSJE!. Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre nuk
mund të vërtetohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast.

Nëse Albin Kurti ka intervenuar për të
shpëtuar ndonjë qytetar rasti ose ndonjë djalosh të ri nga dhuna e shfrenuar e
policisë rumune dhe ndërkombëtareve të tjerë, kjo nuk përbën kurrsesi pengim të
personit zyrtar në kryerjen e punëve të tij.

Edhe vetëmbrojtja apo mbrojtja e të tjerëve
nga dhuna e shfrenuar e policisë serbe në të kaluarën e aparteidit arsyetohej
nga pushteti serb në të njëjtën mënyrë. Prokurorët e EULEX-it, siç duket, e
imitojnë pushtetin kriminal serb edhe në finesat e ndryshme juridike.

Pika tjetër e akuzës në lidhje me thirrjen në
rezistencë ndaj ngjarjeve të shkurtit është gjithashtu një farsë e vërtetë pa
asnjë lidhje me realitetin. Nëse apeli i një grupi të veçantë të komunitetit
civil të vendit për të reaguar paqësisht ndaj një vendimi të caktuar në lidhje
me fatet e atij komuniteti konsiderohet si vepër penale për tu dënuar, kjo
është krejtësisht jashtë kohës së sotme në të cilën jetojmë.

Sistemi evropian i drejtësisë është së paku që
nga viti 1789 në mbrojtje të shprehjes së lirë të mendimit për çështje të
caktuara shoqërore. Nëse VETËVENDOSJE!-a e ka shprehur mendimin e vet publik në
lidhje me masakrën e 10 shkurtit 2007, kjo nuk përbën asnjë krim, përkundrazi i
shërben zgjimit të ndjenjës së solidarizimit me ata që vuajnë dhe përpiqen për
të mirën e përgjithshme, për interesat kolektive, për popullin e thjeshtë.

Shikuar në përgjithësi, vazhdimi i kësaj farse
gjyqësore është një turp për EULEX-in, UNMIK-un, qeverinë e Kosovës dhe të
gjithë të involvuarit në të. Vetë drejtësia, vlerat sublime e të larta morale
që ajo ka për detyrë të mbrojë e respektojë fyhen dhe vihen në dyshim nga ky
pseudo-proces.

Përkundrazi, vepër të mirëfilltë kriminale të
dënueshme në bazë të ligjeve të sovranit e të zotit kanë kryer ata që vranë dy
protestues të paqësorë, masakruan rreth 80 të tjerë si dhe helmuan mëse 5,000
njerëz në qendër të Prishtinës.

(*) Kryetar i shoqatës Illyricum Libertas nga
Tetova)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›