Tre malazezë të Zetës firmosin për Vllazninë
Vllaznia bën realitet marrjen e tre futbollistëve të parë të saj në merkato. Ka qenë presidenti i saj Agron Çela dhe trajneri Artan Bushati që kanë bërë prezantimin e tyre para mediave. Bëhet fjalë për tre futbollistët më të mirë të ekipit malazez Zeta, të cilët tashmë kanë firmosur me kuqeblutë dhe mund të quhen pjesë e saj. Ata janë Goran Burzanoviç, që është edhe kapiteni i Zetës dhe luan si mesfushor, Balsa Bozoviç, që luan si mesfushor shkatërrues, dhe Ivan Novoviç, që luan si mbrojtës i majtë. Para firmosjes së kontratave me këta futbollistë, është firmosur edhe kontrata e binjakëzimit mes dy klubeve. Numri 1 i klubit shkodran e ka quajtur një nisje të shkëlqyer të merkatos këtë gjë, duke deklaruar se do ndërtojë një ekip pretendent për titullin kampion. Nga ana tjetër, edhe trajneri Bushati ka vlerësuar ardhjen e tre lojtarëve, duke i konsideruar shumë të rëndësishëm.