Përtej nuk ndodh asgjë?!
Përtej, domethënë, te fqinji jugor - Greqia, po të ndjekësh dendësinë e ngjarjeve, nxitur nga dramaciteti i borxhit tragjik, dhe të gjykosh mbi to, nga pasqyrimi i tyre në mediat shqiptare, thua: atje nuk ka ndodhur kushedi se çfarë!
Por, prapëseprapë, kjo e mediave tona, që gati përditë merren edhe me gjëra të pavlera, si ta zëmë, një miss shqiptare në Amerikë paska dalë cullak përsëri para kamerave e aparateve fotografike, kurse në Shqipëri janë tërhequr prej flokësh dy këngëtare, e plot kotësi për të vërteta si këto; si ta zëmë, gjithashtu, që ka memecëri të hatashme për vepra madhore, por zhurmohet me reklama të potershme, faqe të tëra me tekst e foto të stërmëdha, për libra dhe autorë të zakonshëm, e të tjera kotësi si këto; pra, kjo gati heshtje e mediave tona për dramën e rëndë greke, nuk është edhe aq keq, nëse ato, për fisnikëri, nuk ndërmorën një “hakmarrje” për çfarë patën bërë mediat greke me ne, gjatë vitit 1997. Pas familjes së ngushtë e të afërmve, keqardhja më vuajtëse për një fatkeqësie është ajo ndaj fqinjit. Ndërsa, pesëmbëdhjetë vite më parë, media helene udhëhiqte, shpërndante e furnizonte median botërore, duke u vardallisur nëpër Shqipëri si të ishte këtu tokë greke, me lajme më tronditëse edhe se saç ngjarjet ishin në të vërtetë.
Kësisoj vijnë dy pyetje jo aq naive nga ‘97-ta jonë, dhe një paralajmërim shokues nga borxhi skandaloz grek: 1. Një shtëpiake 90-vjeçare, 16 vjet më parë, kur shqiptarët i dorëzonin paratë te huamarrësit mashtrues, për të marrë prej tyre më shumë se sa ata u jepnin, ajo u pat thënë të bijve: “Po shkoj për 100 vjeç, veç kurrë nuk kam parë e dëgjuar, të japësh lekë më pak e të marrësh më shumë!”
2. Të shkolluar të kohës së sotme, edhe pse lexojnë, ata bëjnë një pyetje të thjeshtë, nga që nuk arrijnë t’i kuptojnë shpjegimet e tjerrura nga specialistë të fushës: “Dimë si bëhet pushtimi i një vendi, por si ndodh falimentimi i një shteti, për shembull Greqia e mbytur në borxhe, si të ishte një dyqan a kompani, kjo është gati e pakuptueshme?!”
3. Ministri grek i financave, Evangjelos Venizellos, para dy-tri javësh, doli në televizion dhe tha që, nëse treshja (BE, Banka Qendrore Europiane dhe FMN) nuk jep ndihmën e kërkuar, “Greqia ka para deri më 15 nëntor”. Sa tronditës dhe revoltues është një njoftimi i tillë, ne shqiptarët e kuptojmë fort mirë, le të themi, në dy raste të vona: së pari, në cakun e shndërrimit të sistemit në Shqipëri, kryeministri i atëhershëm i pati kumtuar popullit zezditën: “Kemi bukë vetëm për 6 ditë!”; së dyti, më 1997, Sudja pati dalë me megafon te vrima e zezë e pallatit prej nga jepte njoftime dhe tha se, kompania e saj ishte piramidë dhe se ajo kishte falimentuar. Kur një shtet themelues i BE-së gjendet në prag falimentimi - si Sudja jonë më 1997- kjo është për të vënë kujen dhe zënë kryet me duar!
Nuk ka kush që të mos e dijë çfarë është borxhi. Ai është i vjetër sa dhe historia njerëzore, por ka mbetur si hija që e ndjek njeriun dhe shtetin. Borxhin nuk e trajtojnë vetëm autorë të shquar bashkëkohorë. Për të kanë shkruar që nga lashtësitë. Plutarku i famshëm, qysh në vitin ‘91 Para Krishtit ka shkruar librin “Fatkeqësitë e huazimit”, në të cilin, individë dhe shtete, i këshillon kështu: “Ke? Mos merr hua se nuk të mungojnë. Nuk ke? Mos merr hua se nuk do të mund të shlyesh borxhin tënd”.
Në kohërat tona, të ndërvarësive të jashtëzakonshme, pa kredi nuk është i mundur zhvillimi më i shpejtë. Por, ajo që të lë pa frymë, sa nuk arrin ta kthjellosh mendjen, të sqarohesh me veten apo me çfarë shkruajnë më të diturit, nuk është Sudja e njohur e piramidës financiare - ne vinim të paditur nga ekonomia e centralizuar dhe e izoluar te ekonomia e tregut të lirë - por është Greqia, ky vend-anëtar i hershëm i BE-së, që pas një “nate” të hareshme dhe bollëku, siç le të themi e paraqisnin shtetin Lojërat Olimpike të organizuara në Athinë, në “mëngjes” zgjohet me një borxh që njeriut nuk ia rrok fiqiri! Ku e ku skandali i borxhit grek me borxhleshën Sude. Atje skandaloze bëhen qeverisjet, këtu skandaloze ishte mashtrimi përmes një gruaje rome! Dhe, çfarë krize komplekse është krijuar mes grekëve, sa që qendrat shëndetësore japin alarmin për vërshimin e të sëmurëve me depresion të thellë dhe rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Në Shqipëri nuk njiheshin piramidat financiare si dukuri, dhe le të themi, gjithashtu, edhe se të dy forcat politike, njëra në pushtet nuk i ndaloi, tjetra në opozitë nuk i kritikoi, për t’i shfrytëzuar për pushtet, po qeverisjet greke, si dhe pse nuk i vunë fre borxhit? Greqia, përveçse shpikëse e demokracisë si sistem politiko-shoqëror, qysh pas luftës dhe gjatë shumë viteve anëtare e Bashkimit Europian, krijoi një elitë politike, administrative dhe shoqërore dhe, pikërisht kjo elitë e çoi vendin drejt një borxhi falimentues, duke pushtuar mediat botërore me lajme, duke frikësuar shtete të ngjashme dhe krijuar një shqetësim serioz m’u në zemër të Bashkimit Europian. Vërehet edhe një çudi tjetër: tragjeditë e famshme greke, edhe pse aq të lashta, u dihen autorët. Borxhi tragjik grek i tanishëm, s’shihet të ketë përgjegjësit! Barroso tha se BE e dinte që, Greqia ishte pranuar në BE pa i plotësuar kushtet e anëtarësimit, por i pakuptueshëm mbetet mosvëzhgimi i saj, derisa “rrufeja shkrepi në qiellin pa re”. Brenda BE-së ka dy pamje: vendet Skandinave nuk bëjnë fjalë për krizë, Greqia është kthyer në shembullin botëror se si një shtet nuk duhet të sillet me financat.
Gjithçka zhvillohet si në skena të mëdha: protestat e grekëve janë masive, të pandërprera, të dhunshme. Të pasurve, edhe pse krizë, nuk u mungojnë paratë. Shumica e tyre i kanë depozituar fitimet jashtë vendit. E gjithë kjo duket tejet cinike përballë atyre që mbushin spitalet greke nga tronditja shëndetësore e mospasjes, humbja e vendit të punës, shkurtimi drastik i rrogave e pensioneve dhe frika nga e nesërmja. Mediat botërore zjejnë duke pasqyruar Greqinë, por zemërimi grek, edhe pse pret “prerjen e litarit” nga Gjermania e fuqishme, është kundër Gjermanisë, media dhe politika e së cilës ka qenë më e ashpra në kirurgjinë financiare të Greqisë. Disa gazeta gjermane edhe janë tallur me shitjen e ishujve për shlyrjen e borxheve apo dhe me dorëzimin e një pjese të sovranitetit të vendit. Por mediat greke iu përgjigjën si “ borxhliu krenar”: në ditën e ndeshjes së skuadrës së Borussia e Dortmundit, në Greqi, u botua fotomontazhi i kancelares gjermane Angela Merkel, veshur si naziste!
Media shqiptare edhe jep ndonjë njoftim. Ato botojnë aty-këty ndonjë artikull. Por, të marra së bashku, pasqyrimi i tyre sillet të jetë sikur borxhi grek është në Honolulu, a thua se ekonomia e këtij vendi nuk është e lidhur fort me ekonominë e Shqipërisë; a thua se atje gjendet ndonjë emigrant ekzotik shqiptar, si dikur Riza Cerova në Harbin të Kinës; dhe jo mbi gjysmë milioni shqiptarë, të cilët tanimë ndjehen as atje e as këtu. Në Greqi po zhvillohet diçka tronditëse dhe për një kohëzgjatje që askush nuk ia di cakun, ndërsa për median tonë, ajo gati është si të thuash, “përtej nuk ndodh asgjë”.