Kastriot Islami: “Në PS, s’ka konkurrim elitash, por përplasje të klientëve të Ramës”

Reagimet e “mendimit ndryshe”, ditën e konsumimit të mëkatit
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, hedh akuza të ashpra ndaj kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, se manipuloi zgjedhjen e delegatëve të kongresit. Sipas Islamit, kjo u bë me qëllim që Rama të bëjë spastrime në parti dhe të reformojë kryesinë, duke larguar elementët kryesorë të saj. “Prej kohësh në PS nuk ka më punë organizative dhe se strukturat e saj kanë kohë që nuk e kryejnë funksionin. Prej shumë kohësh nuk është mbledhur sekretariati i PS-së. Ndërsa prej 2 vjetësh organizata e FRESH-it nuk funksionon. Zgjedhjet në PS-së nuk po bëhen mbi bazë meritash. Në PS nuk ka konkurrim vlerash, idesh, elitash, por ka konkurrim klientelizmi. Ajo që kërkohet në këtë rast, është që njerëzit të ndërgjegjësohen. Ka një lëvizje, ajo e zotit Malaj, për modernizmin e PS-së dhe rikthimin e vlerave demokratike në të, për ta kthyer PS-në aty ku ishte para vitit 2005-ë. Për të progresuar akoma më shumë në ruajtjen e demokracisë së brendshme, të vlerave, kontributeve dhe konkurrimit të ndershëm, u shpreh Islami, duke theksuar se, prej kohësh nuk është më një parti e organizuar”.
Ndërsa bën me dije se Kongresi ka mundësi të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në këtë kongres do të zgjidhet një asamble dhe sekretariat i ri. Duke iu referuar PD-së, ai thotë se ajo është një parti e organizuar dhe që ka struktura që funksionojnë. Islami deklaroi se PS që prej vitit 2005 po synon të imitojë PD-së. Islami komentoi dhe 10 pikat e opozitës për nisjen e bashkëpunimit me mazhorancën.
Sipas tij, pikat më të rëndësishme për klasën politike, janë ato për integrimin. Në këtë sens, ai ftoi faktorin politik të plotësojë rekomandimet e Brukselit, ndërsa për reformën zgjedhore tha se “ky është një proces që do të zgjasë deri në dhjetor të vitit të ardhshëm”.
“Në kushtet paraprake mes dy partive kryesore, as kushtet e opozitës dhe as editorialet e Ramës, nuk lënë hapësirë për tu ulur PD dhe PS. Ajo që duhet theksuar është se ka një axhendë për vendin, dhe është axhenda e integrimit evropian. Reforma zgjedhore, nëse do ketë ndonjë ndryshim të sistemit, nuk do të jetë e përfunduar para dhjetorit të vitit 2012-të”, tha ai.
Edhe njëherë Islami thotë se PS nuk është gati të fitojë zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Sipas tij, duhet të ndryshojë Rama që edhe PS të pretendojë qeverisjen e vendit. “Unë nuk shikoj shenjë reale për të bërë shëndoshjen politike të PS, me qëllim që të fitojë zgjedhjet e 2013-ës. Po të shikojmë, vijnë personazhe të rëndësishme të BE-së, dalin nga takimi dhe thonë se do ketë një vendimmarrje unanime në ligje dhe reforma, por ndërkohë nuk po shohin asnjë hap konstruktiv”.