Leje-privatizimit të Edvinit, anëtarësia socialiste i përgjigjet me një bojkot 90 përqindësh
Celula e Ramës është turpëruar dje nga bojkoti i anëtarësisë socialiste, nga Tropoja në Sarandë. Edhe mediat pranë tij u porositën të mos i mëshonin një procesi që ishte katandisur në zbardhje të emrave të delegatëve, sipas procedurave të mafie-partisë
Edi Rama u bojkotua dje nga 80-85% e anëtarësisë së Partisë Socialiste në gjithë vendin. Në zgjedhjet e pretenduara për delegatët e kongresit, PS u ndesh me një fenomen të rrallë, çka shkaktoi anomali dhe pështjellim të pazakontë në radhët e klikës së klientelës socialiste, në selinë rozë. Nga veriu në jug, nga Shkodra në Sarandë, zgjedhjet e djeshme u bojkotuan masivisht nga anëtarësia e thjeshtë socialiste, në shenjë zemërimi për atë që katandisej ndërkohë në zyrat e degëve lokale të PS, me urdhër nga zyra qendrore e Tiranës. Ishin vetë socialistët ata që dy ditë më parë denoncuan ashpër si proces të manipuluar zgjedhjen e delegatëve dhe gjithçka u konfirmua dje nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites. Makinacionet, spekulantët dhe mashtruesit ordinerë, kishin përpiluar listat në zyrën e degës lokale të PS-së dhe se ajo që do të shprehej me vullnet ‘vote’ në çdo cep të vendit, as që do konsiderohej, e jo më të merrej parasysh. I tillë ishte arsyetimi i qindra e mijëra socialistëve, anë mbanë vendit, për pështirësinë politike që mban emrin e Edvin Ramës. Ndaj, në kushtet e manipulimit dhe hajdutërisë që vjen nga “lart”, socialistët e thjeshtë me të drejtë vote, braktisën zgjedhjen e anëtarëve të kongresit, në shenjë morali, qytetarie dhe një standardi që vlen për t’u admiruar. Ata s’pranuan të bëhen palë me maskaradën e manipulimit ditën për diell, që zë fill nga ngrehina socialiste, ndërsa me krenari të plotë, i plasën për fytyre Edi Ramës shpërfilljen e tyre, ndaj maskarallëqeve të kryesocialistit klientelist. E thënë me thjeshtë dhe qartë, vetëm 10-15% e anëtarëve të Partisë Socialiste në gjithë Shqipërinë, i janë përgjigjur me pjesëmarrje, zgjedhjeve për delegatët e kongresit, që u mbajtën dje. Në Shkodër, alarmi u dha dy ditë më parë se Edi Rama po manipulon listën e delegatëve. Jo më kot, socialistët shkodranë dje s’dolën të votonin delegatët. Arsyet ishin nga më të ndryshmet, ndër to edhe nga më banalet që vetëm një mendje e krisur si ajo e Edvin Ramës, mund t’i inkorporojë në axhendën politike të një lidershipi politik. Në Lezhë, qindra personalitete me kontribute në PS, ishin hequr nga lista e votuesve, mes tyre edhe ish kryetari i PS-së dega Lezhë. Në Fier, polemika të ashpra ngjalli “votimi familjar”, një proces i dënueshëm ky nga PS, në çdo palë zgjedhje vendore dhe parlamentare. Në Sarandë dhe më gjerë, qindra e mijëra socialistë nuk gjenin emrat në listën e votuesve, ndërsa po ashtu ndesheshin edhe me shpërfilljen e komisionerëve, të cilët sipas zakonit s’lejonin socialistët të votonin për arsye po aq banale sa vetë procesi në tërësi.
Ajo që del zbuluar nga e shtuna e djeshme, është lakuriqësia e kryesocialistit Edi Rama, për të kontrolluar në çdo instancë, sado të panevojshme, logjikën funksionale të Partisë Socialiste.
Kronika e dështimit të procesit të zgjedhjes së delegatëve të Kongresit/Partia Socialiste zhvilloi dje zgjedhjet për 880 delegatët që do të marrin pjesë në kongresin e 5 nëntorit. Por, forca më e madhe politike e opozitës në këtë proces humbi shansin për të treguar se është e aftë të zhvillojë zgjedhje të pakontestueshme dhe të drejta brenda gjirit të saj. Probleme të forta shoqëruan këto zgjedhje në disa qytete të vendit. Në Lezhë ish kryetari i degës së rrethit, një prej themeluesve të saj, i njohur si kritik i kryetarit Edi Rama, është përjashtuar nga lista pa asnjë shpjegim. Një akt që sipas tij, cenon integritetin e këtyre zgjedhjeve. Vetë ish kryesocialisti i këtij qyteti, Ndoc Lleshi, flet për një proces qartësisht të manipuluar. “Kam ardhur për të votuar sot me parimin ‘një anëtarë, një votë’, për strukturat e deleguara, apo për delegatë Kongresi të PS dhe çuditërisht nuk gjendet emri im dhe i bashkëshortes sime, në listën e votimit. Ky është kulmi i skandalit, pasi pa asnjë lloj argumenti, pa asnjë lloj dëshmie dhe dokumentacioni dhe pa asnjë lloj vendimmarrje, jam jashtë listës së votuesve të Partisë Socialiste. Dua të denoncoj këtë farsë, këtë mashtrim dhe këtë manipulim që bëjnë personat që kanë uzurpuar Partinë Socialiste në Lezhë dhe në qendër, në Tiranë”, denoncon Ndoc Lleshi.
Dhe cilët janë ata? Janë ata që historikisht kanë qenë manipulatorë. Historikisht kanë qenë përvetësues dhe historikisht të korruptuar. Mesa duket, e gjithë kjo është një lloj filozofie që financohet që nga Tirana, që nga ai kryetari i gjatë, i cili është humbës dhe i interesojnë humbësit atij. Atij nuk i interesojnë faktorët, njerëzit publikë, njerëzit me vlera, njerëzit që janë qytetarë si gjithë të tjerët, por që nuk kanë negativitet, as morale, as qytetare, as shoqërore, as administrative dhe as penale. Uzurpimi i Partisë Socialiste nga Muamar Gadaf Ramës, është kthyer në një bandë që s’njeh vlerat dhe as parimet demokratike. Në Fier socialistët u përballën me një prej fenomeneve të cilin e kanë kundërshtuar me forcë në çdo proces zgjedhor, atë të votimit familjar apo në grup. Debate të ashpra u krijuan në qendrat e votimit. Një situatë e tillë shkaktoi pakënaqësi në radhët e Partisë Socialiste të këtij qyteti. Në Shkodër socialistët e bojkotuan në masë të madhe këtë proces zgjedhor. Mes dyshimeve të hedhura një ditë para votimit, për manipulime, nga sekretari për marrëdhëniet me publikun në degën e partisë. Në këtë rreth, sipas të dhënave të komisionit kanë votuar më pak se 20 për qind e anëtarësisë.
Në Sarandë procesi u bllokua për më shumë se 4 orë. Shkak u bë fakti se një pjesë e kryesisë së degës nuk kishte dijeni mbi listën e kandidatëve në garë. Sipas tyre, lista është përpiluar në fshehtësi nga një pjesë tjetër e kryesisë. Votimi ri-nisi pas disa orësh debati të zhvilluar mes anëtarëve të kryesisë, larg vëmendjes së publikut dhe medias.
Edhe në qytete të tjera si Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Rrëshen, Burrel, Lushnje dhe Korçë, pjesëmarrja ka qenë e ulët krahasuar me votimet e zhvilluara për kryetarin, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2009-ë, me një mesatare nën 50 për qind.