E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profil presidencial

Vështirë se para dhjetë vjetësh, Bujar Nishanit do t’i kishte shkuar në mend se do zgjohej një ditë President i Republikës së Shqipërisë. Por muajt e fundit, diku në mendjen e Sali Berishës, në skemat e tij ka qenë. Kur vëmendja ishte shpërndarë në radhët e juristëve, dhe listat filluan të zgjateshin, kryeministri nxori ‘asin’ e vet nga mënga, dhe e hodhi në tavolinë. Duke mos marrë konsensusin, por arkëtuar fitoren. Bujar Nishani ishte fituesi.
Për hir të gjenealogjisë dhe historisë duhet thënë se Nishani, nuk është mbiemri historik i Bujarit. Fisi ku ka rrënjët presidenti i sotëm, quhej Beu. Me shtëpi të vendosura në afërsi të Qafës së Pazarit, është pinjoll i atyre që quhen oxhaqe të vjetra gjirokastrite. Vendasit flasin për një familje të mirë dhe të vjetër të këtij qyteti. Pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të prejardhjes dhe frikës së përndjekjeve komuniste, familja largohet në Durrës. Adoptimi i mbiemrit Nishani, që ishte ai i presidentit të parë të pasluftës, dhe origjina gjirokastrite, do kenë shkaktuar konotacione për prejardhje të përbashkët midis ikanakëve dhe Omer Nishanit, duke i shpëtuar nga vendosja në targetin e mekanizmit përndjekës të diktaturës, dhe mundësuar një jetë normale Nishanëve tashmë durrsakë.
Kush e ka memorien të gjatë, nuk e mban mend në politikë. Nëpunës deri në përmbysjen e madhe të ’97-ës, vështirë se do ketë ushqyer ambicie politike. Spektator si çdo shqiptar i shtresës së mesme, e ka vëzhguar politikën e lartë nga radhët e fundit të platesë, duke dalë në skenë rastësisht, si rezultat i luftës së dy dinozaurëve të kohës, të quajtur Igli Toska dhe Monika Kryemadhi. Jo gjithmonë fjala e urtë se “bari shkelet kur zihen atllarët”, del e vërtetë. Hipën në skenë në vitin 2005, me rimishërimin e Berishës në timonin e shtetit. Pas këtij çasti fati është dorëlëshuar me karrierën e tij. Fat i mishëruar në dorën e Sali Berishës. Pas vitit 2005, rruga e përshkruar nga ai, nuk ka nevojë për fjalë. Ka qenë gjithmonë në rreshtin e parë. Jo aq për shkak të aftësive të spikatura, se sa të kuptuarit të bosit të tij, i cili nuk duron dot protagonizmin e dikujt tjetër, dhe pëlqen butësinë e llojit të Bujarit.
Por gjithë sa më sipër, tashmë janë histori dhe sot e mbrapa fillon gjykimi i tij mbi parametra të tjerë. Ajo që shumë kanë frikë, dhe është shprehur dhe nga opozita, është se në selinë presidenciale, ka hyrë një noter i Berishës. Në antitezë me këtë frikë, në një nga debatet e fundit televizive, një ish-kandidat tjetër presidencial, Artan Hoxha, arsyetoi se kushdo në atë post, pavarësisht sponsorit të tij, do përpiqet të ushtrojë prerogativat. Mbetet për t’u parë. E shkuara e Nishanit nuk ka asnjë indikacion për këtë devijim të mundshëm. Kush ka kryqëzuar brirët me Berishën, ka mësuar se inatin e ka të madh dhe kujtesën të gjatë. Berisha ishte më i moshuari ndër debutantët politikë të vitit ’92, çka nënkuptonte edhe daljen më të shpejtë të tij nga skena. Ka ndodhur e kundërta, duke bërë që t’i afrohet në vite qeverisjeje efektive asaj të Enver Hoxhës, dhe shpresuar të konkurrojë në moshë biologjike Mathusalemin. Ogur i keq ky për ndonjë ngasje për duel të Nishanit.
Duke lënë pas profilin politik, rutina e përditshme e qenies President i Republikës, përveç mbajtjes së ekuilibrit të sforcuar politik, do t’i ofrojë sfidën e reformimit të gjyqësorit. Kërkesat e kohës janë të mëdha; sfidat më komplekse; shoqëria më e emancipuar dhe kërkuese, dhe baza e referimit me të shkuarën nuk mund të shërbejë si justifikim. Presidenca është i vetmi pushtet ku politika prek gjyqësorin. Sistemi është i sëmurë dhe nën presion, ndërsa Nishani i paragjykuar dhe pa formim juridik.
Një dimension tjetër i kërkuar i presidencës së re, do jetë ekonomia. Kohët janë të vështira. Kriza që po përjetojmë është ndër më të rëndat dhe gjendet tek dera e presidencës. Nuk pritet dhe mundet presidenti të ndihmojë në zgjidhjen e saj. Kurajoja që ta përballojmë dhe gjejmë rrugëdaljen, është e mirëpritur nga cilado anë që të vijë. Atë presidenciale përfshirë. Lista e problemeve mund të zgjatet akoma. Administrata dhe rendi sa për të përmendur disa. Por edhe kaq nuk është pak.
“Mos të paragjykojmë kandidatin”, është fraza klishe e gazetarëve kur nuk kanë çfarë të thonë, apo e politikanëve kur fshehin djallëzinë. E shkuara të ndihmon të njohësh të ardhmen. Dhe Nishani i ka gjithë të dhënat për një presidencë mediokre. Por historia nuk ka munguar të na çudisë. Dwight Eisenhower ishte një gjeneral, që la pas si trashëgim një nga presidencat më të mëdha; Lindon Johnson, një njeri-hije që ndërmori aktet më të mëdha për emancipimin e Amerikës; Ahmet Zogu, një injorant që pati intuitën që reformat e shtetit t’ua linte në dorë njerëzve të ndritur; Alfred Moisiu, një ushtarak që i dha prestigj postit më shumë se sa pritej prej tij. Ashtu siç shpresa të mëdha të njerëzve, janë kthyer në makthe, dhe këtu lista është e gjatë duke përmendur si fillim udhëheqësit e komunizmit në vende të ndryshme, që u pritën si profetë të kohëve moderne, dhe kthyer më pas në sëpata të satanait. Deri më sot, e vetmja statistikë për t’u shënuar, është rikthimi i gjirokastritëve në një nga tri pozicionet kyçe të shtetit shqiptar, ku kishin munguar vetëm shtatë vitet e fundit që prej formimit të tij. Myfit Bej Libohova, Enver Hoxha, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Fatos Nano, Pandeli Majko, janë disa nga emrat që kanë prosperuar apo tmerruar vendin; dhënë lavdi apo parodizuar postin që kanë mbajtur. Po Bujar Nishani, si do mbahet mend?
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›