Preken rrogat. Vendimi, rritet pagesa për të marrë pension
Bashkë me rritjen e të gjitha kategorive të pensioneve, Qeveria shton pagesën e kontributeve për sigurimet shoqërore.
Zbardhet vendimi edhe për rritjen e pensioneve sipas kategorive.
Të punësuarit me paga minimale dhe ato me paga të larta do të paguajnë më shumë para për të siguruar pensionin. Gazeta zbardh sot vendimin që pritet të miratojë qeveria për rishikimin e dyshemesë dhe tavanit të nivelit të pagave mbi të cilat mbahen kontributet shoqërore. Në vendim zbulohet edhe rritja e pensionit minimal pensionit maksimal, si dhe të pensionit të pjesshëm. Efektet pritet të nisin nga 1 korriku. Gazeta boton tabelën e plotë me ndryshimet për të gjitha kategoritë e atyre që paguajë kontribute, nga fermerët e shitësit ambulantë, deri te dadot apo punonjëset e shtëpive.
Ndryshimet
Për të mbl-edhur kontributet, qeveria përcakton një pagë minimale, dhe një pagë maksimale. Nga korriku i vitit 2011, paga minimale mbi të cilën mba-heshin kontributet ishte 17540 lekë në muaj dhe pagesa e kontributeve për këtë pagë ishte 4894 lekë në muaj. Me vendimin e ri, qeveria ka vendosur që paga minimale për efekt kontributesh të bëhet 18295 lekë në muaj dhe, si rrjedhojë, pagesa minimale e kontributeve të bëhet 5104 lekë në muaj. Nga shuma prej 5104 lekësh në muaj, pjesën më të madhe e paguan punëdhënësi. Rritja e pagës minimale për efekt pensioni rrjedhimisht rrit edhe pagën maksimale mbi të cilat mbahen kontributet. Ligji përcakton që paga maksimale mbi të cilën mbahen kontributet është pesë herë më e madhe se ajo minimale. Në ndryshimet e reja paga maksimale për efekt pensioni nga 1 korriku 2012 shkon në 91475 lekë në muaj, nga 87700 që ishte më parë. Pra, pavarësisht sa është paga, mbi këtë shumë, pagesat e kontributeve do të bëhen vetëm për 91575 lekë në muaj. Rritja e pagës minimale dhe maksimale mbi të cilën mbahen kontributet ka efekt direkt në paratë që marrin në dorë qytetarët. Rritja e pagesës për pagat minimale është 210 lekë në muaj, dhe pritet që me kaq të shkurtohet edhe paga. Ndërsa për pagat e larta ndryshimi është më i madh. Rritja e pagesës shkon në 434 lekë çdo muaj më shumë, kjo vetëm për pjesën e të punësuarit, prej 11.2 për qind.
Rritja e pensioneve
Në vendimin e qeverisë zbulohet edhe rritja e pensioneve nga data 1 korrik. Shuma bazë e përfitimit nga data 1.7.2012 e në vazhdim, të jetë 11562 lekë në muaj, nënvizohet në vendim. Aktualisht shuma bazë e pensionit është 11117 lekë, dhe rritja e re do të jetë 445 lekë në muaj. Kjo do të jetë shtesa për pensionet minimale. Pensioni maksimal bazë, pas datës 1 korrik do të jetë 23124 lekë në muaj, nga 22234 lekë në muaj që është aktualisht. Pra, pensionet maksimale do të rriten me 890 lekë në muaj. Kjo pasi ligji parashikon që shuma e pensionit maksimal të jetë sa dyfishi i pensionit minimal. Në vendimin që zbardh sot gazeta, parashikohet të rritet edhe pensioni i pjesshëm. Aktualisht pensioni për ata që nuk përmbushin të dy kushtet, nga 7468 lekë në muaj, bëhet 7841 lekë në muaj, pra me një shtesë prej 373 lekësh në muaj.
Kontributet e tjera
Kontribute për të marrë pension me ligj paguajnë edhe disa shtresa të tjerë të punësuarish. Të vetëpunësuarit dhe ambulantët paguajnë kontribute mbi një page të përcaktuar. Edhe pagesat për këtë lloj punësimi janë rritur. Nga 1 korriku kush ka një dyqan, ku punon edhe vetë, do të paguajnë 2250 lekë në muaj për të siguruar pensionin apo shërbimin shëndetësor. Aktualisht kjo pagesë është 1800 lekë, pra shtohet me 450 lekë në muaj. Për personat e punësuar që punojnë si punëtorë shtëpie, për të cilët kontributi minimal mujor ishte 1800 lekë, kontributi minimal mujor bëhet 2250 lekë.
Paga maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve
Ishte 87 700 lekë/muaj
Bëhet 91 475 lekë/muajShuma minimale e kontributeve
Ishte 4 894 lekë/muaj
Bëhet 5 104 lekë/muajKontributet për të vetëpunësuarit
Ishte 7% e pagës ose 1 228 lekë/muaj
Bëhet 7% e pagës ose 1 280 lekë/muajKontributet për të vetëpunësuarin, të vetëpunësuarin në ortakëri, të vetëpunësuarin që punëson të tretë
Ishte 30% e pagës minimale prej 17 540 lekësh ose 5262 lekë/muaj
Bëhet 30% e pagës minimale prej 18 295 lekësh ose 5488 lekë/muajKontributet për të vetëpunësuarit në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantët
Ishte 1 800 lekë/muaj
Bëhet 2 250 lekë/muajKontributet për personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia
Ishte 7% e pagës minimale prej 17 540 lekë
Bëhet 7% e pagës minimale prej 18 295 lekëKontributet për të vetëpunësuarit në bujqësi
Ishte 21 600 lekë/vit
Bëhet 27 000 lekë/vitKontributet për të vetëpunësuarit në bujqësi në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë
Ishte 14 040 lekë/vit
Bëhet 20 400 lekë/vitKontributet për ata që punojnë si punëtorë shtëpie
Ishte 1 800 lekë/muaj
Bëhet 2 250 lekë/muaj
Rritja e pensioneve sipas kategorive
Pensioni bazë minimal
Ishte 11 117 lekë/muaj
Bëhet 11 562 lekë/muaj
Pensioni bazë maksimal
Ishte 22 234 lekë/muaj
Bëhet 23 124 lekë/muaj
Pensioni i pjesshëm
Ishte 7 468 lekë/muaj
Bëhet 7 841 lekë/muaj
Ndryshimet e pagesës së kontributeve sipas kategorive
Paga minimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve
Ishte 17 540 lekë/muaj
Bëhet 18 295 lekë/muaj
Rritje rekord e kontributeve të fshatarëve, shtesa mbi 25 për qind
Vendimi: Lejohen të paguajnë, edhe pse janë të pasiguruar më parë
Rritjen më të madhe të pagesës për të përfituar pensionet e ka pasur fshati. Vendimi i qeverisë i shton këto pagesa mbi 25 për qind. Kështu, një fermer në zonat fushore për të siguruar vitet e punës, paguante një kontribut vjetor prej 21600 lekësh. Nga data 1 korrik, kjo pagesë bëhet 27 mijë lekë, pra me një shtesë prej 540 lekësh. Ndërsa për fermerët e zonave të tjera të vendit, shtesa është shumë më e madhe. Nga 14040 lekë në vit që paguanin, pas 1 korrikut do paguajnë 20400 lekë në vit. Sipas relacionit të vendimit, shtesa është bërë për shkak të përafrimit të përfitimeve me ato të qytetit. Kështu, një fermer merr një pension minimal sa një qytetar, por edhe me këtë rritje paguan sa 53% e kontributeve që paguhen në qytet. Relacioni paralajmëron një rritje të mëtejshme të kontributeve për fshatin, për të balancuar kostot. Por qeveria, në vendimin e ri, parashikon lehtësi të tjera për fermerët. Në relacion theksohet se fermerët mund të vazhdojnë të paguajnë kontribute, edhe në rast se kanë pasur shkëputje nga sistemi. Duke mbajtur parasysh edhe dispozitat e ligjit për faljen e kamatëvonesave dhe me qellim që të stimulohen dhe lehtësohet pjesëmarrja e fermerëve në skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në këtë vendim propozohet të përcaktohet se personat e vetëpunësuar në bujqësi lejohet të paguajnë kontributet për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse, por në këto raste periudhat për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi.
NERTILA MAHO