E Diel, 1 Nëntor 2026

Përtej së majtës së Ramës

Mentor Nazarko 

Beteja për kreun e Partisë Socialiste në disa aspekte të saj, kryesisht për meritë  të rivalëve të Ramës, po tenton të shndërrohet dhe në betejë ideologjike.  Kundërshtarët e tij po përpiqen të strukturohen ideologjikisht rreth disa tezave, ku më e rëndësishmja është ajo që e lidh dështimin elektoral të Ramës me dështimin e tezës së tij “përtej së majtës dhe së djathtës”. Ata thonë se ajo ishte një tezë e gabuar që mbajti larg elektoratin prej Partisë Socialiste, ndaj partia duhet të lëvizë majtas, që të afrojë më shumë vota rreth vetes. E artikuloi në fillim Blushi, dhe pastaj dhe të tjerët filluan ta përsërisin. Madje Blushi argumentoi siç duhet nëpërmjet numrave dështimin e kësaj teze. Ai mori për shembull sesa pak tërheqëse ishte PS-ja për elektoratin e ri, diku tek 150 mijë vetët që ju shtuan regjistrit elektoral për shkak të kapërcimit të pragut të moshës 18-vjeçare. Sipas tij, Partia Socialiste prej këtij elektorati nuk arriti të afronte më shumë se PD-ja. I drejtë shembulli i gjetur. Ilustrativ segmenti moshor i përzgjedhur: 18-vjeçarët vërtet janë pjesa e votuesve të cilët përgjithësisht nuk kanë bindje politike të konsoliduara, dhe tentojnë shpesh të kapërcejnë prindërit e tyre në pikëpamje ideologjike, veçanërisht në kohëra të tilla kur familja nuk ka vargonj të fortë midis brezave.
Por përfundimi i rivalëve të Ramës që ja hedhin fajin tezës ndoshta është i gabuar: mund të mos jetë faji i tezës, por i përmbajtjes me të cilën është mbushur ajo prej Ramës. Teza “përtej së majtës dhe së djathtës” është njëlloj kryeteze, është njëlloj kapaku i artë që duhet mbushur me teza të tjera, me premtime, me objektiva zhvillimi, që duhet të tërhiqnin votues nga të gjitha grupimet klasore apo segmentët moshorë. Mos vallë është gabuar pikërisht këtu? Dakord me rivalët e Ramës që fajin e ka Rama, por të mos ja hedhim fajin tezës. Sepse...
Së pari, të gjithë partitë e majta, në Perëndim kanë arritur të vijnë në pushtet vetëm kur janë spostuar drejt qendrës, kur janë çideologjizuar, kur janë shndërruar në parti të qytetarëve, pra kur janë udhëhequr nga një eklektizëm ideologjik. Pavarësisht sloganit drejtues të secilës prej tyre, fjala kyçe ka qenë çideologjizimi, dmth heqja dorë nga marksizmi, nga paraqitja e vetes si parti e punëtorëve, etj, etj. Ky ndryshim rrënjësor i bëri këto parti më tërheqëse për segmente të popullsisë, që ndiheshin të papërfaqësuara, dhe të shtyra majtas prej krizës së partive të tjera popullore tradicionale. Shikoni rastin e Italisë, Francës, Gjermanisë, Anglisë, etj. Madje dhe vetë Nano, të cilit i referohen shpirtërisht, por jo ideologjikisht rivalët e Ramës, shpalli dikur një si tip doktrine për rishikimin e historisë kah e djathta, një fryt i së cilës sa për shembull ishte kultivimi i miqësisë me familjen mbretërore (diçka dhe si tip gosipi për familjen e re Nano).
Së dyti, në një kontekst kombëtar. A gaboi PS-ja me fshatin? Përveç të rinjve, janë fshatarët, të cilët janë vërvitur herë majtas, herë djathtas, në varësi të asaj sesa joshëse kanë qenë premtimet e partive. Po i sjellim një argument ndihmës kundërshtarëve të Ramës, por që vërteton tezën tonë: Rama dështoi në fshat, sepse nuk ishte shumë konkret në premtimet e tij, pra nuk e mbushi kryetezën e tij me lëndë të kuptueshme dhe tërheqëse për fshatarët. Praktikisht programi i PS-së nuk u zbërthye mirë për fshatin (mbrojtësit e Ramës thonë se ka program qeverisës, por për qëllime elektorale u përdorën vetëm disa teza). E pra, tezat për fshatin, nuk dukeshin tërheqëse!
Së treti, në një kontekst personal apo lidershipi. Strategjistët e Ramës, (ndoshta fjalë e madhe kjo) menduan se Rama me personalitetin dhe historinë e vet politike “edhe të majtë, edhe të djathtë”, duhet t’i sillte PS-së votat e atyre që simpatizonin Ramën, por s’kishin votuar ndonjëherë partinë më të madhe të së majtës. Ata i referoheshin rezultateve të Ramës në Tiranë, ku Rama në tre ballafaqimet kishte marrë më shumë vota se vetë PS-ja (sigurisht në 2007 duhet kalkuluar faktori LSI). Dhe kjo ishte një këshillë e drejtë, por problemi është sesi u realizua në praktikë. Asociimi i këtij lloj Rame me Ruçin ndoshta s’ishte tërheqës për elektoratin e pavendosur dhe të rinjtë, megjithëse Ruçi në Fier doli më mirë se anëtarët e rinj të kryesisë socialiste në qarqe të tjera.
Së katërti, duke llogaritur distancën midis programit qeverisës, dhe premtimeve elektorale PS-ja, s’mund të premtonte vetëm objektiva të majtë, ndërsa kur të vinte në pushtet do të kishte pamundësi të mbante premtimet se do i duhej të s’postohej djathtas. Çdo parti, qoftë e majtë, qoftë e djathtë, në një vend si Shqipëria me deficit tregtar të ndjeshëm dhe probleme zhvillimi të mëdha, ku asistenca e FMN-së së djathtë është e domosdoshme, është e detyruar të mbajë shpesh timonin djathtas. Hiq doktor Berishën, që ka urrejtje institucionale për FMN-në, dhe është aq populist, sa mund të premtojë dhe Hënën, pa asnjëlloj shqetësimi për mbajtjen e fjalës kur është në qeverisje. Mjafton që të fitojë! Madje për analogji: doktori për të marrë vota, u s’postua majtas pa pikë problemi! Pse Rama të mos shtyhet pak djathtas? D.m.th., drejt qendrës?
Së pesti, duke parë nga e ardhmja. Të thuash se në zgjedhjet e ardhshme do s’postohemi majtas, sepse dështoi teza “përtej së majtës dhe të djathtës”, do të thotë t’ja lësh të vetmen fushë të lirë, atë të elektoratit të paqëndrueshëm, të pavendosur, një aleance të re agresive si PD-ja dhe LSI-ja. Kjo duket diçka krejtësisht vetëvrasëse, dmth të bësh saktësisht atë që duan kundërshtarët e tu.
Së gjashti. Të spostohesh më majtas, domethënë të humbasësh votat plus që PS-ja nën udhëheqjen e Ramës fitoi në 2009. Në pikëpamje të votave, Rama mori më shumë vota se në 2005, pra ai jo vetëm thithi votat tradicionalisht të majta, por mori dhe pak më shumë. Madje ai arriti të godiste ndjeshëm LSI-në (gjithmonë duke ju referuar rezultateve zyrtare) dhe në Skrapar, Berat, Tiranë, etj. Problemi është se duhet të merrte shumë më shumë. Që të merrte shumë më shumë, duhet të krijonte frymën fituese, që do të tërhiqte të rinjtë; duhet të kishte një program të zbërthyer më konkretisht për shtresa të tilla si fshatarët, pronarët e vegjël, etj, etj.
Pra, Rama ndoshta nuk gaboi me zgjedhjen e tezës. Por me zbërthimin dhe realizimin e saj në praktikën politike, me mbushjen e saj me përmbajtje. Një përmbajtje që do të përfaqësonte emëruesit e përbashkët për segmente të ndryshëm shoqërorë dhe do të thithte votat e tyre. Kinezët e thonë më thjesht se Rama: nuk ka rëndësi se ç’ngjyrë ka macja, kryesorja është të kapë minjtë, d.m.th., votat. Në kohëra jo-ideologjike si këto tonat, kinezët kanë të drejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›