E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori me zhurmues në PS

Gjergji Koja 

Ç‘po ndodh ne PS?Për fat të keq, ajo që po ndodh sot ne PS ka qenë paralajmëruar prej kohësh nga ne. Tanimë aty brenda po e pranojnë me zë se PS prej kohësh është në krizë, por u desh humbja në zgjedhje që ata socialistë të Asamblesë Kombëtare të guxonin, gjë që nuk kishte ndodhur të paktën që nga viti 2006. Pra, gardhi u prish! U prish sepse socialistët, në vend të ngjitjes në pushtet, përfunduan rrugëve për të dytën herë që nga zgjedhjet e 2005-ës. Dhe kuptuan që Rama i kish gënjyer.  Por a do të mjaftojë prishja e gardhit që Rama të japë dorëheqjen? Kjo mbetet për t’u parë, por askujt të mos i shkojë ndër mend se në atë parti do të zbatohet statuti, sepse në atë parti ka kohë që janë prishur rregullat e lojës, por gjithashtu, ka po aq kohë që nuk flet njeri. Prandaj erdhi dhe kjo gjendje. Por të paktën sot atje brenda po thuhet qartë se: PS humbi zgjedhjet sepse politika e re e rrënoi këtë parti që e mbushën me njerëz të marrë nga rruga apo akoma më keq nga gardhi matanë, sepse lideri i saj përjashtoi vërtet shumë socialistë duke prodhuar vetë një parti tjetër tipike socialiste, sepse askush në fushatë nuk dëgjoi ndonjë program nga kjo parti; sepse kjo parti gaboi me konceptimin dhe rreshtimin e koalicionit.
Por a është vetëm faji i Ramës për të gjitha këto gafa? Jo, janë absolutisht po aq të fajshëm edhe ata se duhej të jepnin dorëheqjen kur e dha Fatos Nano, neë shtator 2005. Por skemat e kulisave u përsëritën... dhe në vend që të merrnin përgjegjësitë politike që u takonin dhe të jepnin dorëheqjen, ata bënë më të keqen: përzunë mediat nga Asambleja e PS (si kurrë më parë) dhe vendosën zhurmuesin në PS, për ta nxjerrë këtë parti përfundimisht jashtë realitetit. Po, a ka zhgënjim dhe tallje më të madhe për socialistët kur në atë mbledhje asambleje, në vend që të bëhej analiza e humbjes, deputetja e politikes së re e sapoemëruar e hap diskutimin e saj me fjalët: “Të dashur socialistë, ju uroj gëzuar fitoren e 28 qershorit??!!”
Rama nuk mund të tallet kështu me shqiptarët. Ai duhet të pranojë humbjen e zgjedhjeve si një mesazh të qartë se shqiptarët nuk e besuan, madje u frikësuan nga ai, sepse nuk flitej më për PS, por vetëm për të. Ai personalizoi gjithçka. Shqiptarët nuk dëgjuan program te PS për të papunët, për tatimet, për shëndetësinë, për heqjen e vizave me Evropën, etj., etj., por dëgjuan vetëm se ai kishte vendosur të fitonte zgjedhjet?! Dhe PS përsëri humbi zgjedhjet. Dhe Rama këtë duhet ta pranojë, bashkë me guximin për t’u dorëhequr pa kthim. Përralla e zgjedhjeve të parakohshme është shumë për t’u tallur me socialistët.
Koalicioni PD-LSI?
Eshtë i vetmi i mundshëm për ta qeverisur këtë vend dhe për të mos ta fundosur në një vorbull të frikshme të zgjedhjeve të parakohshme, që do t‘u kushtonte shumë shtrenjtë shqiptarëve në kohë, ekonomi dhe stabilitet, të cilën BE nuk do ta falte. Ata që bërtasin sot për imoralitet të këtij koalicioni duhet të qepin gojën, sepse Kodin Zgjedhor që prodhoi këtë realitet qeverisës e hartuan vetë, siç e deshën. Berisha vetëm ua firmosi! Ky koalicion nuk e ka luksin të jetë imoral për një serë arsyesh e në radhë të parë për shkak të ligjit, gjithçka ose asgjë që Rama imponoi në këto zgjedhje dhe ku asnjeri në PS nuk u ndje për rrezikun ekstrem të këtij lloj ligji në politikë. Ky ligj i imponuar shfarosi votat e LSI, shfarosi votat e PSV91 dhe bëri që në fund fare Rama të binte vetë në gropën politike që u hapi teë tjerëve (me të cilët bashkërisht kishte fituar në 2007-ën), sepse kodi që ai vetë e bëri e ndëshkoi. Ndërkaq, imorale janë deklaratat e Ramës dhe të atyre dy-tre të tjerëve që nuk njohin zgjedhjet se PD u vodhi votat?! Kujt i tregoni të tilla përralla o zotërinj? Deklarata të tilla të sikletshme bëhen vetëm kur ke prova, dhe prova shqiptarët nuk po shohin. Problemi i zgjedhjeve është një dhe i vetëm: Kodi Zgjedhor. Ketë kod e hartoi rresht për rresht Rama dhe Islami. Kaq shpejt u harrua kjo? Çudi se si ata nuk e kuptuan se me këtë kod ia dhanë PD-së fitoren në tavolinë. Kodi është gjithë meseleja. Të tjerat janë gjepura. Ky kod i qethi edhe votat e LSI dhe PSV 91. Këtë e di mirë Rama, por edhe të tjerët në PS.
E ardhmja e se majtës?
Eshtë akoma e turbullt dhe ka akoma gardhe. Do të duhet edhe ca kohë, por ka vetëm një rrugë: riformatim i së majtës më gjithëpërfshirje. Përjashtimet e shpeshta i dhanë frytet e veta. Nuk na duhet kjo rrugë. Nuk të çon gjëkundi.
Duhet hequr zhurmuesi!
Por e ardhmja e së majtës në këtë vend është e lidhur shumë ngushtë me sa duket edhe me procesin e menaxhimit të votave të shqiptarëve. Nuk ka më sens që në dy palë zgjedhje parlamentare të majtët marrin më shumë vota se të djathtët, por këta të fundit fitojnë më shumë mandate deputetësh?! Dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht me përçarjen e së majtës, por edhe me konceptimin e koalicioneve (para zgjedhjeve koalicion aleat dhe jo armiq), si edhe me mënyrën e numërimit të votave. Po t’i shtosh të gjithë këtyre edhe heqjen e zhurmuesit në PS dhe riformatimin e gjerë të saj, atëherë në këtë vend do të kemi një realitet krejt tjetër politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›