E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Do t’ia shkurtojmë ditët qeverisë jolegjitime

 

Për të disatën herë radhazi Partia Socialiste zotohet se do të punojë për t’ia shkurtuar ditët qeverisë së koalicionit të djathtë. Deputeti i kësaj force politike për qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja tha dje në një konferencë për shtyp se PS do të denoncojë situatën e vështirë ekonomike në të cilën është vendi, megjithë heshtjen, sipas tij, të Kryeministrit Berisha. “Shqetësimin për situatën e vështirë ekonomike e kemi shprehur në mënyrë të përsëritur që në fillim të vitit. Është detyrë e Partisë Socialiste të vazhdojë të denoncojë shurdhërinë e Sali Berishës, të cilit shqiptarët nuk ia dhanë votat për të qeverisur. Bashkë me qytetarët e Shqipërisë ne do të punojmë çdo ditë, duke përdorur çdo mjet demokratik për t’ia shkurtuar ditët pushtetit jolegjitim të Sali Berishës”, u shpreh Beqja. Duke iu referuar pikërisht krizës ekonomike, deputeti i PS-së solli para mediave shifra që, sipas tij, tregojnë situatën e keqe financiare në vend. “Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh sot shqetësimin e saj për situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi. Të gjithë sektorët e ekonomisë ndjehen në vështirësi. Të gjithë sektorët e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit 2009 kanë punuar më pak se vitin e kaluar. Në sektorin e industrisë sipërmarrësit nuk po shfrytëzojnë gati 40 % të kapaciteteve të tyre prodhuese. Edhe sektori i ndërtimit po punon nën stres sepse po shfrytëzon vetëm 63% të kapaciteteve”, theksoi Beqja. Sipas tij “Bujqësia do të ulë me disa herë ritmin e rritjes gjatë këtij viti, ndërkohë që prodhimi agroindustrial ka rënë me 7 për qind. Situata pritet e zymtë edhe në 6 muajt e dytë të vitit. Sipërmarrësit deklarojnë se nuk kanë plane të investojnë apo të rrisin numrin e të punësuarve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›