E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet si ballafaqim i lidershipit politik

Ferdinand Xhaferri 

Në të dielën e fundit të qershorit qytetarët shqiptarë u ftuan të zgjidhnin sipas një sistemi elektoral, që provohej për herë të parë në historinë politike të 20 viteve të fundit.  Pra, klasa politike në Shqipëri testoi më 28 qershor, sistemin elektoral proporcional rajonal duke revolucionarizuar kështu modelin elektoral të mëparshëm. Në bazë të rezultatit të shpallur nga KQZ-ja, zgjedhësit shqiptarë prodhuan qartazi më shumë mandate për koalicionin e drejtuar nga kryeministri Berisha, duke i dhënë kështu edhe të drejtën të krijojë Qeverinë. Por, rezultati i ngushtë i zgjedhjeve dhe leximi horizontal i tyre hedhin dritë se këto zgjedhje më shumë se një fitore e të djathtës ndaj të majtës ishin saktësisht një fitore e strategjisë dhe taktikave që përdorën udhëheqësit e kampeve kryesore politike. Objekt i këtij shkrimi do të jetë analiza e sjelljes politike të drejtuesve të dy koalicioneve kryesore që garuan në këto zgjedhje.
Kryeministri Berisha 
Z. Berisha erdhi në qeverisje, në verën e vitit 2005, mbas një opozite tetëvjeçare. Qe në fillim u vu re se opozita e zgjatur i kishte shërbyer Berishës për të skanuar më së miri jo vetëm gabimet e qeverisjes së shkuar të Partisë Demokratike, por edhe  gabimet në qeverisje të kundërshtarëve të tij politik. Për t’i dhënë stabilitet qeverisjes dhe për të mos mbetur i kryqëzuar nga një maxhorancë e brishtë (sëmundje kjo nga e cila kishte vuajtur jo pak qeverisja e majtë) Berisha joshi drejt kampit të tij agrarët e Xhuvelit dhe Partinë e të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, e gjithë ecuria e qeverisjes katërvjeçare të Partisë Demokratike dëshmoi se Berisha diti të gjente mjeshtërisht instrumentet për të mos rrezikuar asnjëherë maxhorancën nga kriza e numrave. Për më tepër, Berisha provoi se ishte në gjendje të prodhonte zgjidhjen optimale në favor të interesave të vendit për të gjitha problematikat madhore, që duhej të zgjidhte apo të kontribuonte për zgjidhjen gjatë mandatit të parë të tij. Kështu, në çështjen e pavarësisë së Kosovës, Berisha, si lideri politik më influent në Kosovë, diti ta rezononte më së miri kapitalin dhe pozicionin e tij politik me interesat dhe projektin e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën. Lidhur me anëtarësimin në NATO, Berisha jo vetëm ekzekutoi në mënyrë mbresëlënëse reformat e brendshme, por i shoqëroi ato me një politike shumë të mençur në raport me fqinjët. Kjo mundësoi një avancim të pamenduar më parë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Mjafton të kujtojmë politikën shumë fine në raport me Greqinë dhe Maqedoninë kur grupe nacionaliste, apo në dukje nacionaliste, në Shqipëri u munduan të provokonin Berishën si në çështjen e varrezave në Kosinë apo edhe kur qeveria e Maqedonisë tentoi për disa ditë të ndërlikonte tej mase procedurën e vizave me Shqipërinë. Pra, Berisha, në çështjen e anëtarësimit në NATO, diti të integrohej shumë mirë dhe në kohën e duhur me ekuacionin e komplikuar të anëtarësimit që kishte si variabla edhe vizionin e NATO-s për këtë pjesë të Evropës, edhe reformat e brendshme, edhe raportet me fqinjët, edhe kontributin në rajon dhe me gjerë, edhe raportet me opozitën. Një çështje që u zgjidh më së miri nga Berisha në mandatin e parë të tij ishte edhe rritja ekonomike. I bindur se rritja ekonomike nuk vjen nga burimet shtetërore, por nga biznesi privat, Berisha si me politikën e uljes së ndjeshme të taksave edhe me lehtësimin substancial të procedurave të së bërit biznes e futi Shqipërinë, në vitin e tretë të qeverisë së tij, në debatin interesant me institucionet financiare ndërkombëtare për një rritje ekonomike një apo dy shifrore. Një tjetër çështje ku Berisha ekspozoi vizion ishte energjia. E transformuar në problematike botërore, energjia është kthyer në kërcënimin më serioz për ekonominë e shumë vendeve në rajon dhe përtej tij. Investimet e nisura në sektorin energjetik jo vetëm që do zgjidhin lehtësisht nevojat e Shqipërisë për energji, por mendohet se në të ardhmen e afërt, duke e kthyer Shqipërinë në një burim të rëndësishëm energjie, do ta pajisin atë me një instrument të fuqishëm ekonomik dhe politik që do të influencojë jo pak në marrëdhëniet rajonale. Po kështu, investimet në infrastrukturën rrugore duket që u bënë me një këndvështrim afatgjatë, dukë kryqëzuar interesat kombëtare me ato ekonomike. Pra, në mandatin e parë të qeverisjes së tij, Berisha ishte në gjendje të përfundonte rrugën Durrës-Kukës dhe aksin rrugor Vlorë-Sarandë, duke garantuar kështu edhe bashkimin fizik të kombit edhe tregun turistik të vendit. Gjithashtu, Berisha dukshëm dalloi nga konkurrentët e tij politik kur me ofertën e tij për katër vitet e ardhshme i dha zgjedhësve shqiptarë një sens përkatësie, duke projektuar qartë se ku do të shkojë secili grup shoqëror në katër vitet që vijnë. Së fundmi, është leximi efecient që Berisha i bëri Kodit elektoral dhe përsëri si në 2005, me koalicionin e gjerë që krijoi, ai diti të shfrytëzonte shumë më mirë se kundërshtarët e tij sistemin elektoral që po aplikohej. Këtu duhet të përmendim që Berisha i fitoi këto zgjedhje edhe në kushtet kur në Shqipëri kishin filluar të ndjeheshin efektet e krizës globale edhe kur para dhe gjatë fushatës elektorale mediat pasqyronin tregues të rritjes ekonomike që nuk ndihmonin Qeverinë. Dhe meqë dolëm tek mediat, përsëri duhet theksuar se, Berisha i fitoi këto zgjedhje duke pasur mbi 80 për qind të medias kundër apo e thënë më troç, duke pasur dashamirës të tij shumë pak televizione dhe gazeta.
Lideri i opozitës Rama
z. Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste mbas dorëheqjes së ish-kryetarit Nano. Në ato momente Edi Rama gëzonte një imazh pozitiv të krijuar nga disa punë të bëra në Bashkinë e Tiranës.  Kjo sepse Edi Rama ishte në gjendje të përfitonte jo pak nga ish-kryeministri Meta. Duke i dhënë mbështetje politike kryeministrit Meta, Rama diti të merrte fonde nga qeveria qendrore dhe mbushi kështu më së miri një farë vakumi qeverisës, që kishin lënë në Tiranë pushtetarët vendorë të PD-së. Duke shfrytëzuar imazhin e tij dhe duke përdorur pushtetin dhe favoret e ofruara nga Bashkia e Tiranës, Edi Rama ia doli të merrte drejtimin e selisë rozë. Në zgjedhjet lokale të 2007, megjithëse humbi zgjedhjet në rang vendi, Rama, falë bashkëpunimit me Ilir Metën, arriti të fitonte në Bashkinë e Tiranës dhe në disa bashki kryesore. Nga këtu problematika e ndarjes së pushtetit me Ilir Metën u kthye në paranojë të tij dhe i gjithë investimi politik i Ramës u adresua për të shkatërruar politikisht Ilir Metën. Ai investoi në infrastrukturën zgjedhore me të vetmin objektiv, që të shmangte kërcënimin që vinte nga Ilir Meta. I shoqëruar nga një klientelë biznesmenësh, të cilët i ofroi edhe në listat e tij për deputetë, duket se Rama u eksitua edhe më shumë për forcën e parasë, duke abuzuar së fundmi në mënyrë skandaloze me praktikat e dhënieve të lejeve të ndërtimit. Kështu, në prag të zgjedhjeve të 2009, duke menduar se ishte fuqizuar së tepërmi, politikisht dhe ekonomikisht, Rama iu fut një misioni të pamundur apo e thënë më saktë një zero-sum game duke synuar Metën OUT dhe Berishën DOËN. E gjithë fushata e tij u orientua nga e shkuara, duke u përpjekur edhe të sjellë në vëmendje të votuesve modelin e Bashkisë së Tiranës edhe të anatemojë kryeministrin Berisha. Pra, pa program elektoral dhe vetëm me një fushatë negativiste në adresë të Berishës, Rama mendoi se zgjedhësit do ta sillnin në pushtet për të vetmen arsye se nuk duhet të ishte Berisha. Të gjitha këto nuk mjaftonin dhe nuk mund të mbulonin deficitin në nivel nacional të portretit politik të Ramës. Kjo sepse, Rama do të mbahet mend si i vetmi lider që nuk ka qenë në gjendje të artikulojë asnjë lloj qëndrimi jo vetëm për problemet kryesore të zhvillimit të vendit por edhe për çështjet sensitive shqiptare në Kosovë apo Maqedoni. Rama mbeti në spiralen e demagogjisë lidhur me ofertën e tij qeverisëse dhe duke mos pranuar të jepte dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës ai mori përsipër një mision të pamundur. Ai tentoi të motivonte pasuesit e tij opozitarë nga pozitat e pushtetarit. Po kështu, ai shmangi pa finesë çdo debat politik duke dëshmuar thjesht frikë nga ballafaqimet publike. Me këto qëndrime të tij, Rama certifikoi se çdo gjë mund të bëhet por vetëm lider nuk bëhet dot. Pra, nëse Rama do të dorëhiqet apo do t’i kërkojnë të dorëhiqet kjo mbetet për t’u parë, por ajo që është parë qartë deri tani është fakti se Rama nuk ka çfarë t’i ofrojë opozitës shqiptare.
Në vend të konkluzioneve
Lideri është një individ që me iniciativat e tij personale influencon, motivon dhe frymëzon një grup drejt arritjes së një qëllimi. Lideri është kryekeput modeli që krijon një frymë tek grupi që ata të kontribuojnë, që diçka e vështirë të bëhet e mundur. Edhe kjo fushate zgjedhore dëshmoi se të jesh drejtues i një partie të madhe politike nuk do të thotë se mund të jesh edhe lider. Pra, nga vështrimi që hodhëm mbi sjelljen politike të Ramës dhe Berishës duket qartë se Berisha dhe Rama kanë diferenca të ndjeshme në lidership. Përplasja elektorale e 28 qershorit provoi se Berisha mbetet lideri, që me diferenca të theksuara në raport me homologun e tij në opozitë, është në gjendje të njohë në detaje çdo problematikë që pret zgjidhje dhe po kështu, të investojë për ta maksimalizuar produktin në favor të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›