E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtërihen Kadarenjtë. Përse do të përdoren?


Gjirokastër - Nis së shpejti faza e dytë dhe përmbyllëse e punimeve në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në Gjirokastër. Pas përmbylljes së prokurimeve nga dega e organizatës UNESCO në Venezia është shpallur edhe firma fituese e tenderit ndërkombëtar. "Proinvest", e arkitektit Agron Doraci do të vijojë punimet me një fond prej 16.7 milionë lekësh. "Është zyrtarizuar tashmë firma fituese e tenderit ndërkombëtar për kryerjen e punimeve në shtëpinë e shkrimtarit dhe shumë shpejt do të nisë edhe rikonstruksioni", - është shprehur drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze, Rajmond Kola.

Në fillim të projektit u mendua për kthimin e saj në një qendër shumëfunksionale, që do të shërbente si pikë pelegrinazhi për shkrimtarë e admirues të Kadaresë nga vendi e bota.
Në të vërtetë, akoma nuk dihet cili do të jetë destinacioni i përdorimit të saj.


Punimet për ringritjen e banesës së Kadaresë filluan në muajin shtator të vitit 2007, me fondin prej 10 milionë lekësh. Gjatë fazës së parë u ngritën themelet, si dhe muret e pjesës së jashtme të godinës dhe mbulesës. Përveç punimeve, në këtë fazë u bënë edhe disa zbulime të rëndësishme për historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore. Një tjetër zbulim me rëndësi është një pllakë e të dhënave tipologjike për banesën, me dy mbishkrime, njëri në gjuhën turke, "Viti 1677.


Shtëpia e familjes Kadare ndodhet në lagjen "Palorto" të Gjirokastrës. 8 vjet më parë, si pasojë e një zjarri aksidental, shtëpia u shkrumbua. Ndërsa më parë në të strehoheshin banorë të pastrehë. Banesa dykatëshe është lënë e harruar dhe e braktisur për vite të tërë, edhe pse përbënte një nga ndërtesat më me vlerë që mund të shfrytëzohej në të mirë të turizmit kulturor. Në vitin 2000, nga Bashkia e Gjirokastër u dha një fond prej 3.5 milionë lekësh për ringritjen e banesës, por punimet në këtë objekt që mban statusin e monument kulture të kategorisë së dytë, nuk filluan asnjëherë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›