E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjen vdekjen në një aksident 27-vjeçari

Dritan Ranxha po lëvizte me një motoçikletë kur u përplas nga një automjet tip "fuoristradë"


ELBASAN - Një 27-vjeçar ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak disa orë pasi u përplas në mesnatë nga një automjet tip "fuoristradë". Ngjarja e rëndë u regjistrua në vendin e quajtur "Kthesa e Mjekësit". Mjeti fuoristradë me targa EL1284C i drejtuar nga shtetasi Xhevahir Jolla, 51 vjeç, me banim në Mjekës është përplasur me një motoçikletë pa targa, e drejtuar nga shtetasi Dritan Ranxha, 27 vjeç, lindur në Seltë të Zavalinës me banim në lagjen "Skënderbej", ndërsa pasagjer ishte kushëriri i tij Nikollë Ranxha, 23 vjeç.

Për pasojë janë dëmtuar rëndë të dy shtetasit në motoçikletë. Në gjendje më të rënduar është transportuar për në Spitalin Ushtarak 27-vjeçari Ranxha. Gjendja e tij ka qenë tepër e rënduar dhe për pasojë ka gjetur vdekjen në spital në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën 23-vjeçari që ishte pasagjer në motoçikletë.


Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xhevahir Jolla. Dyshohet se motoçikleta i ka prerë menjëherë rrugën fuoristradës, por gjithsesi kjo pritet të sqarohet nga hetimet në vazhdim. 51-vjeçari Jolla do të përgjigjet aktualisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.


Një aksident tjetër ka ndodhur rreth orës 09:30 të mëngjesit të së enjtes në vendin e quajtur "Gurabardhi". Një e moshuar ka mbetur e dëmtuar rëndë, e përplasur nga një automjet.


Paqka Buza, 70 vjeç, ka qenë duke kaluar rrugën kur është përplasur nga një mjet i drejtuar nga shtetasja Albana Balla. E dëmtuara u dërgua në spital ku mori mjekimin e nevojshëm dhe ndodhet nën vëzhgimin e mjekëve. 26-vjeçarja Balla do të procedohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›