E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, grabitja e biznesmenit, në pranga një 15-vjeçare

AKSIONI/ Blutë kanë arrestuar katër persona, të cilët të veshur si policë, kanë grabitur një banesë në janar

ELBASAN - Tre presona të ndihmuar nga një adoleshente 15-vjeçare rezultojnë të jenë "policët" të cilët pesë muaj më parë grabitën nën kërcënimin e armëve shtëpinë e një biznesmeni në Elbasan. Policia ka bërë të ditur se ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur më 19 janar të këtij viti, si dhe të vërë në pranga katër shtetas, mes të cilëve edhe një adoleshente. Kështu, kanë përfunduar në pranga Ferdinand Dedja, (i dënuar më parë për "vrasje të mbetur në tentativë", Alban Dedja, Mikael Kamani (i dënuar më parë për "shpërndarje të narkotikëve"), dhe një 15-vjeçare. Policia konfirmon se ndaj 4 personave ekzistojnë prova të mjaftueshme që i përfshijnë ata në ngjarjen e regjistruar.


Ata dyshohet se kanë hyrë mbrëmjen e 19 janarit, të maskuar si efektivë specialë policie, kanë hyrë në familjen e një biznesmeni të armatosur me pistoleta e thika. Nën pretekstin e një kontrolli ata kanë arritur të gjejnë paratë në një sirtar të dhomës së gjumit, rreth 250 mijë lekë të reja, si dhe të gjitha bizhuteritë me vlerë. Kur autorët janë larguar, familjarët e gjendur të shokuar përballë kësaj ngjarje kanë dyshuar dhe kur kanë konstatuar vjedhjen kanë lajmëruar policinë. Mësohet se ata i kanë izoluar pjesëtarët e familjes në bodrum. Bëhet e ditur nga policia se sasia e bizhuterive kapte vlerën e 200 mijë lekëve të reja. Ndërkohë, policia është njoftuar për grabitjen e çuditshme përmes një telefonate. Familja nuk ka dashur të bëjë asnjë koment për ngjarjen që u cilësua e studiuar nga ana e autorëve dhe me objektiva të qarta grabitjeje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›