E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përulje figurës së humanistes shqiptare

27/08/2010 Kryeministri elozhe nobelistes Nënë Tereza me rastin e 100-vjetorit të lindjes

Kreu i qeverisë organizon një pritje të veçantë në ambientet e Pallatit të Brigadave

Kryeministri Sali Berisha gjatë një ceremonie në Pallatin e Brigadave, mbrëmjen e djeshme, ka vlerësuar lartë figurën e Nënë Terezës. Në pritjen e organizuar me rastin e festimeve për 100-vjetorin e lindjes së humanistes shqiptare, kreu i qeverisë ka mbledhur përfaqësues nga fusha të ndryshme, politikanë, përfaqësues të besimeve fetare në vend, artistë, gazetarë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj. Gjatë fjalës së tij të shkurtër Kryeministri konsideroi si madhore punën dhe veprën e Nënë Terezës, e cila sipas tij ka shërbyer, ngjallur shpresë, mjekuar dhe ndihmuar miliona qytetarë në vuajtje të mëdha. Aktiviteti u zhvillua pasi gjatë paradites së djeshme, Kryeministri gjatë një ceremonie në Vaun e Dejës, ka thënë se 26 gushti është një ditë unike në gjithë historinë mijëravjeçare të kombit shqiptar. Sipas tij, shqiptarët, së bashku me qytetarë të të gjitha kombeve, të të gjitha besimeve, të të gjitha racave, përulen me nderimin më të madh para gruas, para nënës, sepse askush tjetër në historinë e njerëzimit nuk bëri më shumë për të gjithë të tjerët që e nderojnë sot. “Nënë Tereza nderohet në të katër anët e rruzullit. Ajo nderohet, sepse në një shekull askush nuk i dha më shumë në këtë jetë qytetarëve të kësaj bote sesa Shenjtorja e dhembshurisë dhe dashurisë njerëzore”, - ka thënë Berisha. Në vlerësimet për nobelisten shqiptare, shefi i ekzekutivit tha se “në histori janë të shumtë ata që kanë luftuar varfërinë, qeveri, shoqëri civile, institucione fetare, por në mbretërinë e Nënë Terezës, përveç asaj dhe motrave të saj, Krishtit që ajo e shihte në çdo njeri, të tjerët mungonin. Ndaj dhe ajo nderohet me një shenjë mirënjohje të pakufishme nga mbarë njerëzit e qytetëruar të botës”. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se 26 gushti është një ditë nderimi për Selinë e Shenjtë. “Miku i madh i kombit shqiptar, Papa Gjon Palin e II që nga ballkoni i Ipeshkvisë së Shkodrës do t’ua paraqiste shqiptarëve dhe mbarë botës Gonxhe Bojaxhinë si bijën e këtij kombi”, - tha Berisha duke iu referuar vizitës në vendin tonë, në fillim të viteve ’90, të ish-kreut të Vatikanit. “Është një ditë nderimi për Motrat, misionaret e dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore, të cilat në 130 vende të botës u shërbejnë, ngjallin shpresë, mjekojnë, ushqejnë, miliona qytetarë të këtij planeti, të braktisur, në vuajtje të mëdha”, - tha Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›