E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet Katedralja e Tiranës Ngjallja e Krishtit

TIRANE- Besimtarët ortodoksë në Shqipëri do të përurojnë kompleksin e Katedrales së re të Tiranës Ngjallja e Krishtit, e cila është ndërtuar në qendër të kryeqytetit. Ky përurim vejn edhe në kuadrin e 20-vjetorit të ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe zgjedhjes së Fortlumturisë së Tij Anastasit si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Sot janë parashikuar të mbahen disa veprimtari;

Pas Liturgjisë së parë Hyjnore, në orën 10.30, në Katedralen e re Orthodhokse Ngjallja e Krishtit, me rastin e përurimit të saj do të ketë një Shërbesë Dhoksologjie, Falënderim dhe më pas do të mbahen fjalimet e rastit, do këndohen himne kishtare etj. Në orën 18.00 do të ketë një koncert në sallën e re, pranë Katedrales.

Kompleksi i Katedrales përbëhet nga këto korpuse: Kisha katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore. Koncepti arkitekturor i Kishës katedrale mbështetet në ciklin, që përmban kuptimin e kohës së pafundme (së përjetshme), aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me Qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është po ashtu edhe qendra e një kryqi të madh, me gjatësi dhe gjerësi 49 m, krahët e të cilit përbëjnë masat kryesore mbështetëse të kishës. Kisha mbulohet me kupolë, me dia-metër të brendshëm 26 m dhe lartësi 23 m, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysmë cilindrike.

Të dhëna për Kompleksin

Sipërfaqja e truallit: 5039 m2

Sipërfaqja e kishës katedrale: 1660 m2

Lartësia e kishës katedrale: kupola 29.2 m,

kryqi 32.2 m

Sipërfaqja e kishëzës: 55 m2

Lartësia e kishëzës: 6.3 m

Sipërfaqja e qendrës sinodike: 830 m2

Lartësia e qendrës sinodike: 22 m

Sipërfaqja e kambanores: 42 m2

Lartësia e kambanores: kubeja 43 m,

kryqi 46 m

Katedralja ka nisur të ndërtohet në vitin 2004.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›